Togo njeh pavarësinë e Kosovës

  Flamuri i Togos         Shteti i Togos e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kjo njohje vjen në kohën kur ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, para katër muajve kishte realizuar takime me zyrtarët e këtij shteti në Jedah.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në profilin e tij në “Facebook” ka bërë me dije lajmin për njohjen nga ana e Togos. “Një lajm tjetër i mirë për Kosovën. Shteti afrikan Togo sapo e ka njohur pavarësinë e Kosovës duke arritur 107 njohje”, ka shkruar Hoxhaj.
Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka falënderuar nëpërmjet profilit të tij në “Facebook” Qeverinë dhe popullin e Togos për vendimin e tyre për ta njohur Kosovën.
Togo është shteti i 107 që njeh pavarësinë e vendit tonë. Togo është shtet afrikan që ka një popullsi prej 6.64 milionë banorësh dhe një sipërfaqe tokësore prej 56,785 km2. Gjuha zyrtare në këtë shtet është gjuha frënge.