Sporti dhe reforma territoriale, “Binjakët” e progresit

harta  rajone nga Agron Kaja.
Muaji korrik 2014 u mbyll me një moment historik për Shqipërinë. Miratimi në Kuvend i Reformës Administrative – Territoriale i bën shqiptarët të ndjehen më qytetarë për standartet progresivë që ajo ofron në gjithë aspektet e jetës së tyre. Shqipëria e ka pasur nevojë urgjente të bashkohej për t’u riorganizuar administrativisht dhe ekonomikisht për të shfrytëzuar sa më mirë burimet natyrore dhe njerëzore që disponon, në funksion të rritjes së mirëqënies të shqiptarëve dhe pasurimit të kombit. Në kanalet e politikës shqiptare, kjo reformë u gjend mes Po-së dhe Jo-së në miratimin e saj, ç’ka do të thotë se lufta politike kërkon që ta bëjë këtë moment një nul që do ta vononte në limit arritjen në kohë në stacionin drejt Evropës.
Efektet e reformës
Në këtë situatë, komuniteti sportiv mund të ndodhet në dilemë dhe mund të jetë i interesuar se çfarë ndryshimi do të pësojnë sportet në vendin tonë pas reformës së re administrativo-territoriale, brenda së cilës ende nuk janë shprehur publikisht të qarta politikat e vazhdimësisë sportive me këto ndryshime. Sepse sporti nuk ka nevojë për politikë, vetë ai është një politikë sportive që sfumon çdo lloj politike tjetër që rreket rrugës së demokracisë, por brenda kësaj reforme natyrisht që edhe sporti do të pësojë ndryshimin e tij administrativ. Për këtë reformë madhore, natyrisht që efektet do të jenë pozitive, por kjo reformë nuk do të jetë asnjëherë e plotë pa sportin brenda, pasi deri më sot në vendin tonë pjesa më e madhe e skuadrave sportive janë nën “sqetullën” e bashkive të tyre respektive. Edhe vetë kjo reformë nëpërmjet ndarjes së re territoriale do të ndjehej e cunguar pa dhënë koordinatat e sportit në gjeografinë e re të saj, e me këtë rast, kriteret teknike të kësaj reforme duhet të kenë “mëshirë” për sportet, ata duhen të bëjnë atë pjesë të këtyre ndryshimeve. Pa një informacion publik, të gjithë qytetarët e interesuar edhe mund të pyesin se, sa i përgatitur do të jetë sporti të hyjë në këtë reformë? Dhe këtë përgjigje duhet që ta japin drejtuesit lokalë aktualë, pasi nëpërmjet tyre do të bëhet kalimi në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që ata së bashku me hartuesit e kësaj reforme, kanë një përgjegjësi serioze sa i përket sportit, që në perceptimin e vlerave të saj, është e kuptueshme se efektet e kësaj reforme nuk do të jenë sikundër ka ndodhur në 22 vite demokraci, ku sportet e skuadrat që mbahen nga bashkitë e komunat, më shumë i kanë shkatërruar ato se sa i kanë dhënë cilësinë e nevojshme sportit shqiptar. Këtu kanë dorë kryesisht politikanët e kësaj periudhe, të cilët e kanë përdorur sportin si pedana për t’u zgjedhur në kolltukë deputetësh apo kryebashkiakësh. Ky shqetësim vjen nga njohja e aktualitetit me sportet në vendin tonë, ku së pari duhet kujtuar se burimet njerëzore që do të realizojnë këtë Reformë Territoriale në interes të sporteve, nuk duhet ta degjenerojnë këtë sport si deri më tani, ku kryebashkiakët aktualë në sportin lokal bëhen edhe shefa klubesh dhe si presidentë skuadrash, me lekët e shtetit. Rëndësi në ecurinë e kësaj reforme duhet të marrë edhe organizimi i skuadrave të futbollit dhe për sportet në përgjithësi, të cilët kanë vartësi financiare nga bashkitë aktuale, sepse kur themi që të ndahen sportet mes shtetit e privatit, prioritet duhet t’u jepet këtyre të fundit me angazhimin maksimal të pushtetit lokal.

Terrenet sportive
Biznesi është një kalë që tërheq një karrocë të rëndë, por po nuk e ndihmoi shteti, ai do të bëjë ndalesa rrugës. Një problem real do të lindë tashmë që u miratua reforma administrativo- territoriale, pasi ende nuk kuptohet qartë se si do të funksionojë pronësia në terrenet sportive aktualë. Me Ligjin aktual të Sportit, terrenet sportive si stadium, pallate sporti etj, janë pronë e bashkive dhe komunave respektive, ku deri më sot asnjëra nuk ka dhënë as edhe një kacidhe për mirëmbajtjen e tyre. Këtu duhet të ketë nevojë emergjente të ndryshojë ligji aktual për sportin, si për shembull, nëse një person juridik apo një shoqëri biznesi që e mbajnë sportin me financat e tyre, pse të mos ketë një ligj që për atë kohë që ata e bëjnë këtë punë ta kenë 100% shfrytëzimin e mirëmbajtjen e terrenit sportiv. Me ndarjen e re territoriale, ka menduar qeveria shqiptare një bashkëpunim me FSHF-në për një organizim të ri të kampionateve kombëtare të futbollit dhe atyre rajonale? Kjo duhet të ndodhë, sepse me kampionatet rajonalë të të gjitha moshave, shkojmë më të sigurtë në përzgjedhjen e talenteve, shfrytëzohen më mirë terrenet sportive dhe sporti bëhet më eficient në rezultatet që do të arrijë. Aktualisht kampionate të të gjitha moshave ekzistojnë, por duke u ndarë Shqipëria në bashki të reja, mbi bazën e tyre duhet që të luhen kampionatet e vogla, për t’u bashkuar më pas në ata kombëtare. E për ta mbyllur këtë këndvështrim pas miratimit të reformës administrative – territoriale, le të hedhim në tregun mediatik mendimin se erdhi koha që edhe Shqipëria të ketë një ministri të sportit. Nëse rilindja ka për mision që të kapë të gjitha sferat e jetës në Shqipëri, sportin nuk duhet ta harrojë e ta fusë në xhepat e ministrive të tjera. Këto janë kërkesat që sporti ja kërkon reformës së re administrative- territoriale që u miratua në Kuvendin shqiptar në datën 31 korrik 2014.