Integrimi në BE/ I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vizitë zyrtare në Shqipëri!

  • I Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vijë në Shqipëri në një vizitë zyrtare më datë 9 dhjetor.Këtë e ka bërë të ditur ambasada e SHBA-së në Tiranë e cila shton se qëllimi i vizitës është për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për të shprehur mbështetjen e amerikanëve për integrimin e Shqipërisë në BE.

    Sipas ambasadës, Escobar do të zhvillojë takime me liderët politikë në vendin tonë, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, liderin e opozitës Lulzim Bashën si dhe Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

    Escobar do të diskutojë mbi vendosmërinë e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

    Postimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

    Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.