Shqipëria barazoi 2 – 2 me Gjeorgjinë, në një ndeshje të nisur keq për kuqezinjtë, por që përfundoi me golat e kërkuar me ngulm. Kombëtarja zhvilloi takimin e fundi në stadiumin “Qemal Stafa”, pasi në janar FSHF-ja ka parashikur prishjen, për të ndërtuar një të ri.
Kjo miqësore ku luanin shumë lojtarë të rinj, pasi disa titullarë ishin lënë pushim, shfaqi një ekip me probleme në mbrojtje. Gjeorgjianët shënuan nga një gol në në fillim e çdo pjese duke dhënë përshtypjen që do të arrinin fitoren e radhës me Shqipërinë. Në fundin e pjesës së parë Kombëtarja u ndëshkua edhe nga gjykimi, pasi goli i Shkëlzen Gashit në pjesën e parë u anulua gabishimsht nga gjyqtarët italianë.
Zëvendësimet e kryera gjatë pjesës së dytë i sollën një frymëmarrje sulmit. Migjen Basha realizoi i pari në minutat e fundit të kohës së rregullt dhe më në fund shënoi me Kombëtaren edhe Sokol Cikalleshi, pikërisht në aksionin e fundit. Provat e radhës janë në vitin ardhshëm ku federata pret të gjejë kundërshtarat.
Tv Klan
Barazimi me Gjeorgjinë, De Biasi i pakënaqur me ekipit: Luajtëm vetëm 10 minuta
Pavarësisht barazimit në fund me Gjeorgjinë, trajneri Gianni De Biasi veçoi problemet që vuri re në fundin e saj.
Gianni De Biasi (Trajner i Kombëtares): “Nga kjo ndeshje mora disa sinjale pozitive dhe disa negative, prandaj qëndrova për 20 minuta me lojtarët duke i thënë se çfarë duhet të bëjmë mirë, pasi disa nga ato cilësi që na çuan në Francë nuk i pashë. Nuk më pëlqeu se pësuam gol që në momentet e para dhe pastaj nuk pati reagim. Luajtëm me zemër vetëm 10 minuta në fund kur barazuam, por nuk duhet të luajmë kështu”.
Megjithatë De Biasi pranoi se kjo ndeshje nuk do të thotë se nuk do të besojë më te këta lojtarë. Gabimet në miqësoren me Gjeorgjinë i pohuan edhe futbollistët.
Në këtë takim Gianni De Biasi provoi disa skema loje që do të shërbejnë për ndërtimin e ekipit për finalet e Euro 2016.
Tv Klan