PASTIÇERI NUMBER ONE NË BERAT.
KOZMA PICINANAE, 76 vjeç në një profil të shpejtë me disa penelata.
Mësues, arsimtar që 15 vjeç, që mungesën e arsimimit e çertifikimit profesional e mbulonte me shtatlartësinë, me etikën, komunikimin e ëmbël dhe me takt, me ligjërim metodik, ndonëse nuk e dinte fare se ç’ishte metodika. Mësues i këtij mësuesi që me 7-vjeçare jepte mësim në fillore, ka qenë Petrit Leskoviku.
Boksier, zbuluar nga tranieri Bujar Orizaj.
Futbollist, zbuluar nga Ibrahim Hoxha, që ka luajtur si qendërmbrojtës me ekipin “Tomori” në vitet ’60-të.
Këngëtar i këngëve qytetare beratase, kur edhe gjatë një bisede citon të plotë “Serenatën e kalarinjve.”
Pasiçer Number One. Mon Blan. “Mon Blan. Monte Blanc. Monte Bianco. Wihte Mountain. Po ne sa e lamë në Zvicër!- thoshin të habitur turistët.”
22 vjet në Turizmin e Beratit. I vlerësuar, i çmuar, i nderuar. Personalitet i ëmbël. “-Merr një zanat që të ëmbëlsosh njerëzit,- më thoshte nëna. Por mua më tërhiqte edhe pjesa e artit tek ky profesion. Dhe dua që të rinjtë, të rejat e Beratit të përvetësojnë e perfeksionojnë profesionet pareshtur, të merren me sport, me kulturë, me art, sepse pa këto nuk ka as zhvillim, as tregti, as progres, as biznes.”
Ka drejtuar edhe kurse pastiçerësh në Berat e ka çertifikuar nja 200 të tillë që sot i gjen si në Berat e qytetet të tjera shqiptare, sikurse edhe në Greqi, Itali, Suedi, që punojnë si pastiçerë të suksesshëm.
-Jam kalari i vjetër, kështjellar, të paktën në Berat 400 vjet para se të vinte Skënderbeu në Berat. Edhe nga nëna, Elena, po kalari, nga Mbricat. Ke dëgjuar, ke lexuar për Agathangjel Mbricën, argjendarin që dispononte një mikrofonderi, punishte, argjendari floriri, ku treste, shkrinte edhe zogj floriri në fluturim?
-Mbaj mend dhe kam punuar me dy gegë të famshëm në Berat: Ymer Uka, Ymer Gega nga Kukësi që bënte të famshmet torona që ëmbëlsonte një stadium të tërë! Ma mësoi teknikën dhe ma dha edhe mua recetën e toronës… Do të të bëj disa torona?! Tjetri Musta, Musta Dibrani, Musta Gega që furnizonte me kos të freskët deleje gjithë Mangalemin…
Libri i tij, “ËMBËLSIRAT E QYTETIT TIM” është në proces tani dhe së shpejti do të hidhet në qarkullim…
(Triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime”




