PAFTAL: KISHË, KISHAR, MBISHKRIME NË GUR…
Paftal, rrëzë Shpiragut, një kishë që duket si një trup kompakt, në një territor me kisha e manastire si në Sadovicë apo Kamçisht, madje ndanë rrugës në Paftal, ku kalonin karvane e udhëtarë nga jugu, Gjirokastra, Tepelena a Përmeti, gjëndej dhe një manastir dykatësh, me tipare hani, bujtine, derisa aty i ofrohej udhëtarit, jabanxhiut, strehë, ushqim, mbulesë, falas… Askush nuk mund lihej pa ushqim e strehë në rrezen e juridiksionit të kishës së Paftalit, shërbim që i ofrohej kujtdo që i binte rruga, pavarësisht besimit, madje nuk pyetej fare për besimin…
Ja, jemi këtu tek kjo kishë me kambanore e me harkore ku ftohen besimtarët në mbretërinë e Perëndisë, një mbishkrim shkolle, qivuri i një Ati, At Thanasit, lindur më 1868, vdekur më 1928, varri i të cilit gjendet thuajse ngjitur me ajodhimën… Prift dhe dhespot…
Dhe ja kishari: 87-vjeçari Vasil Fani, bashkë me një kishar më të vogël nga fisi Prifti… Qetësi…
Vetëm një erë e lehtë Shpiragu që sapo ndihet, po aty fashitet, sikur edhe ajo futet brenda në kishë për lutje…
Kisha e Paftalit… E paharrueshme… Kompakte dhe impozante…
Thjeshtësi e qetësi solemne… Një erë temjani na dizinfekton nga djajtë dhe na hedh një pelerinë të padukshme ëngjëlli… mbi supet tona të raskapitura njerëzore…