NJE REBUS I RI POLITIK NË TIRANË!
Po përballemi çdo ditë me personalitetin e rënuar të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar. Tani që po del në dritë e vërteta, po nxirren shumë pengesa për të justifikuar verbërinë dhe paaftësinë totale të tyre në krye të institucioneve qëndrore kushtetuese.
Po përsëritet e njejta shfaqje si në rastin e kundërshtimit të armëve kimike siriane për t’u shpërbërë në Shqipëri, me qëndrime “pro dhe kundër” propozimit amerikan, duke iu kundërvënë qëndrimeve të SHBA-ve në raport me interesat e tyre dhe interesave shtetërore shqiptare.
Çfarë tregon ky lloj rrebelimi kundër mbështetjes dhe përkrahjes amerikane për reformën në drejtësi?
Qëndrimet e Adriatik Llallës janë personale, apo një reagim i ashpër i aradhës së të korruptuarve në politikën shqiptare, të cilët e ndjejnë që laku i drejtësisë po shtrëngohet kundër perandorisë së tyre të krimit dhe korrupsionit?
Kush qëndron pas veprimeve të Adriatik Lllallës dhe çfarë mesazhi jep përkrahja që ai siguron nga kreu i Kuvendirt të Shqipërisë, kur në të njejtën kohë qëndrimi amerikan dhe ai i BE-së janë unik?
Po përballemi me një amoralitet brenda sistemit të drejtësisë pa drejtësi, duke shtuar edhe një rebus të ri politik në mes të Tiranës. Kjo mënyrë e presionit të fortë psikosocial mbi opinionin e lodhur shqiptar, prej strukturave të kriminalizuara, nuk justifikon askënd për pasojat që ka përjetuar vendi në këto 25 vjet.
Nuk na habisin mendësi të tilla bizantine në politikën dhe institucionet shqiptare, që po lodhin opinionin dhe nuk kanë të mbaruar.
Pse nuk dërgoi Adriatik Llalla 10 kandidatura por vetem 3 të tillë?
Mos vallë kjo ishte një manovër që të ruante pushtetin dhe dikimin e tij brenda këtij institucioni, apo kështu i rekomanduan ata që e vunë për interest e tyre në krye të organit të akuzës?
Përse për një kohë të gjatë “njeriu i ligjit” iu kundërvu ligjeve dhe aplikimit të reformës në drejtësi, veçanërisht procesit të verifikimit?
Një primitivitet nga një zyrtar shumë i lartë i shtetit me mendësi anadollake të mykura. Akuza e kundërshtimit të të gjithë masave për të kaluar në filtër funksionarët e shtetit, pengesa për vetingun, ishin akuza të hapura.
Ai duhet të kishte kurajo që t’i kthente përgjigje konkrete ambasadotit të SHBA-ve për akuzat publike dhe jo të sillte kundërakuza. Ambasadori nuk është pjesë e mentalitetit shqiptar. Çfarë përfaqëson ambasadori amerikan për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar?
Përfshirja në llumin mediatik që përhapet çdo herë në skandalet e panumërta që shoqërojnë jetën shqiptare, duke u bazuar në produktin e “institucionit” të thashethemeve, të shpifjeve dhe akuzave azat, pa adresë, pa objekt, synojnë vetëm mbrojtjen mjerane të njerëzve të dërrmuar moralisht, të rrëzuar përtokë, të cilët po kërkojnë shtigjet e shpëtimit.
Prokurori i Përgjithshëm i shtetit nuk ka për detyrim të tregojë se çfarë është dhe çfarë përfaqëson një ambasador, por të bëjë mirë detyrën e tij. Nëse ka probleme për ambasadorin, Adriatik Llalla e di se ku duhet të drejtohet zyrtarisht dhe jo të ngrejë akuza dhe të denigrojë në opinionin shqiptar një instancë diplomatike, që përfaqëson një shtet tjetër. Ambasadori amerikan përgjigjet para departamentit të Shtetit dhe jo para politikanëve dhe opinionit shqiptar. Nëse keni diçka për zotin Lu, drejtohuni institucionalisht atje ku duhet, qoftë dhe pa e ditur shqiptarët.
Prokurori dezinformon, futet në rrugën e thashethemeve, nxjerr për kundërakuza zëdhënsin, dhe pa dashje del zbuluar, duke hapur një nga thasët e pleshtave nga mjedisi i errët që mbart bota e krimit.
Kjo ngjarje mund të jetë një ogur i mirë për shoqërinë e traumatizuar shqiptare. Le të fillojë me Prokurorin e Përgjithshëm kjo reformë. Do të ishte e nderëshme dorëheqja pa ece – jake për të kërkuar pafajësi, duke e ditur se ata që e kanë vënë, për të shpëtuar përgjegjësitë e tyre, do ta braktisin lehtë.
Ajo që duhet të bënte duhet të ishte e qartë dhe e lexueshme për opinionin. Tu jepte përgjigje akuzave të rënda, të ngritura nga ambasadori kundër tij. Me kundërakuza nuk fitohet pafajësi.
Opinioni shqiptar nuk beson që ambasadori amerikan të veprojë në kokën e tij. Joshjet e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar shqiptarë nga ndryshimet në drejtimin e SHBA-ve dhe shpresa e tyre, nuk mund të justifikojë dhe të shmangë investimin e madh amerikan për të reformuar thellë drejtësinë në Shqipëri.
Opinioni nuk beson që ambasadori amerikan, që ka për detyrë të forcojë marrëdhëniet dhe miqësinë midis dy popujve dhe shteteve, në një moment të caktuar të dal jashtë misionit të tij, vetëm për shkak se Adriatik Llallës iu prish qetësia në perandorinë e tij të antidrejtësisë dhe korrupsiopnit.
Opinioni nuk beson që një ambasador karriere të prish me dashje perspektivën e tij për shkak të një Adriatiku në Shqipëri dhe të atyre që e kanë vënë dhe e mbajnë peng institucionin që ai drejton.
Opinioni nuk beson që mund të devijohet lehtë angazhimi amerikan për ta reformuar thellë drejtësinë, me shantazhe shtetarësh vetëm pse antidrejtësia në bllok ka shfaqur rezistencën e saj të rrezikëshme, me pasoja shumë të rënda për perspektivën e Shqipërisë, kur në të njëjtën kohë, interesat gjersostrategjike amerikane në trojet shqiptare janë të qarta dhe angazhimet e Shqipërisë në NATO janë akoma më të qarta për shtetin shqiptar.
T’i biem problemit në kokë:
Pse duhet të bëhen shqiptarët objekt i keqardhjes prej të huajve, qoftë ky edhe ambasadori amerikan?
Cilët njerëz kanë uzurpuar institucionet e shtetit shqiptar dhe në cilat duar ka rënë pasuria kombëtare?
Mos vallë deklarata e prokurorisë fsheh një prapaskenë të errët politike, me një qëndrim të sinkronizuar dinak kundër pranisë së SHBA-ve në Shqipëri.
Mos vallë ky klan i korruptuar ka interesa deri në ndryshimin e kursit politik ndërkombëtar të Shqipërisë?
A nuk po e kuptojmë që në këtë përplasje janë kapërcyer kufijtë e çështjes së një prokurori, qoftë ai dhe i Përgjithshëm, duke cënuar rëndë miqësinë dhe marrëdhëniet Shqipëri – SHBA?
Shqiptarët duhet të falëndërojnë sinqerisht këta njerëz të huaj, që kanë dëshirën për të shëruar jetën shqiptare të ndotur rëndë në këto 25 vite, nga kjo politikë dhe nga këta njerëz problematik, që jo vetëm nuk ndëshkuan krimin sipas detyrimeve ligjore institucionale, por i hapën me dashje rrugën korrupsionit të thellë dhe degradimit moral të shoqërisë.
Këta njerëz dashamirës na rekomandojnë kurajo qytetare, të ngrihemi kundër të keqes, kundër mafies shqiptare që ka kapur politikën. Rumania nuk është shumë larg nesh.
Politikanët e korruptuar shqiptarë dhe pas tyre, zyrtarët e lartë të shtetit, duhet ta kuptojnë që, shqiptarët do të rreshtohen masivisht në krah të ambasadorit amerikan dhe të mbështetjes së BE-së, me dëshirën e mirë për ta çuar deri në fund këtë proces jetik për Shqipërinë. /Sulejman Abazi
Tiranë, 04 shkurt 2017