Ç’TË GJETI TEK SHQIPËRIA,
O MUHAMET AUSTRALIA ?!
Adem Salillari, 73 vjeç, mësues i pensionuar historie në Fushë Peshtan, është personazh që nuk i janë ndarë historitë.
I
Vetëm fillore bëri ditën Ademi, pastaj 7-vjeçaren natën, që e mbaroi më 1962, 18 vjeç, sepse 7-vjeçarja u hap me vonesë, ndonëse Fushë Peshtani ishte vetëm 10 km larg nga Berati.
18 vjeç, më 1962, u fut në pedagogjiken e Beratit, por dora e zgjatur e ushtrisë e mori nga bankat e shkollës dhe e hodhi në transhe.
Pas ushtrie rikthehet në pedagogjike, që e përfundon më 1969, 25 vjeç.
II.
Ademi mban mend një skenë nate, në vitin 1949, kur ishte 5 vjeç, kur tek shtëpia e tyre mblidhet gjithë fshati.
Ç’kishte ngjarë?
Ishte kthyer nga Australia gjyshi, Muhameti, pas 20 vitesh emigracioni, atëhere 56 vjeç. Sebep për kthimin ishte bërë edhe një letër e të vëllait, Feimit, lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, i cili ishte shef policie në ato kohra në Berat. (“…Hajde Muhamet vëlla. Shqipëria u çlirua. Do bëhet zonjë. Do hamë me lugë floriri…”)
……………………………………………………………………….
Më 1949 u kthyen shumë nga Australia, me vapor. Shteti i kohës u bëri pritje madhështore, me fjalime e lule, me banket tek “Vollga” në Durrës. Po u dukej vetja sikur ishin prapë në Australi. Bankete, pije, muzikë. Drita, llampadarë. Iu thanë se shteti kishte marrë masa edhe për shpërndarjen, duke iu vënë mjete në dispozicion dhe, vërtetë, të nesërmen që në mëngjes, policët iu sistemonin bagazhet, valixhet, çantat, mbushur e stërmbushur me peshqeshe…
Në mbrëmje Muhameti u gjend në fshat, Fushë Peshtan, kur i biri, Skënderi, ishte bërë dhe kryetar këshilli i fshatit… U mblodh gjithë fshati, gjithë kushërinjtë e farefisi, por nuk po dukeshin tre kushërinj të afërt: Avdyl, Haki e Ali Kapinova…
-Ku janë? -pyeti të birin. -Pse nuk kanë ardhur? Pse nuk vijnë? Jeni grindur? Pse, jeni zënë?
– Jo baba, nuk jemi zënë, po i ka zënë… Janë në burg…
– Pse, çfarë kanë bërë? Sa kanë vrarë, sa kanë prerë? Ata ishin dhe të urtë…
– Jo, nuk kanë vrarë e prerë, por as kanë gërvishtur njeri… Po lufta e klasave, kulak, agjitacion…
Muhamet Australia dëgjonte dhe mpihej…
Të nesërmen në mëngjes montoi një nga dy biçikletat e paketuara që kishte sjellë dhe pas dy orësh, nëpër një rrugë të dëmtuar, arrrin në Berat për të takuar miqësinë..
Por, i pari mik që shihte, pas 20 vjetësh kurbet, Gani Tozhari, i ktheu kurrizin, iu shmang mu në qendër të Beratit, por nuk iu nda Muhameti… Jam shumë i zënë, i thoshte Ganiu, takohemi herë tjetër dhe i iku përduarsh, ndonëse burrë në moshë… Sa largohet pak Ganiu, Muhametit i afrohet një i panjohur që i thotë:
– Ku e njeh atë ti?
– E kam kushëri.
– Pushteti e ka armik. Sa ka dalë nga burgu. Je dhe vëllaii i Feimit, shefit të policisë… Nuk bëre mirë. Armiku donte të ikte, ti doje ta mbaje me zor…
I vajti Feimit në zyrë… Një kushëri kish dalë, tre ishin futur brenda…
– Mos i zër më në gojë ata kushërinj, – i tha shefi i policisë të vëllait… ai që me letrën e tij e pruri në Shqipëri… Pas 6 muajsh tatime, tatime për tokën, bagëtitë… Kursimet e kurbetit avulluan… Donte të kthehej prapë në Australi, por ishte, jo vonë, por e pamundur…
Më 1956 fshati u bë kooperativë… Ngriti prapë zërin:
– Në Australi, në Australi!
-Mbylle gojën! – i thanë.
Filloi punë në kooperativë, 63 vjeç… Merrej me duhanin… Iu helmua gjaku. Fliste me vete:
“Ç’të gjeti tek Shqipëria,
O Muhamet Australia?!”
U shua më 1980-ën, duke folur me vete:
– Australia, Australia…
Në foto: Muhamet Australia (Salillari), i vëllai Feimi, i biri Skënder, nipi Adem dhe djali i Ademit, Bledar.
Nga triptiku (“Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)


