Kuçova, “kryeqyteti” i naftës që lindi të mëdhenjtë e këngës dhe artit

Kuçova, “kryeqyteti” i naftës që lindi të mëdhenjtë e këngës dhe artit
·          
·          
Nga:Dilaver Xhelili
Udha për në Kuçovë
Pasi shkëputesh nga rruga Berat- Lushnje , sapo lë pas qytetin e vogël Urë- Vajgurore, 6 kilometër larg të shfaqet qyteti bukur i Kuçovës, vendburimi më i madh i naftës në shkallë vendi. Kuçova njihet nga vendasit si qyteti naftës inxhinierëve, aviacionit dhe i kulturës. Këtu fëmija linde dhe rritet me erën e gazit dhe zhurmën e reaktivit. Qyteti Kuçovës që është ndërtuar mbi  një zone naftembajtese. Kuçova ka nxjerrë dhe talent të shumtë si muzikanti Nita Lala, njëkohësisht dhe regjisor, aktorin Sulejman Pitarka, Agim Shuke, si dhe tenorin e famshëm Gaqo Çako. Kuçova njihet si qyteti i naftëtarëve dhe inxhinierëve. Si qyteti i piloteve, por edhe si vendi ku u rriten muzikantët që  sot kanë bërë emër kudo në botë. Një prej tyre që e shkriu jetën ne tingujt e fizarmonikës dhe nxori breza të tëre artistësh, është edhe Nito Lala. Vetëm pak kohë më parë, bashkia e ka shpallur “Qytetar nderi”, për vlerat që i ka dhënë qytetit. Muzikanti Nito Lala tregon se veprimtaritë kanë qenë të shumta dhe cilësore. Vetëm festivalet e këngës për fëmijë janë zhvilluar 21. Në  Pallatin e kulturës “18 Tetori” kemi organizuar 8 festivale”. Më tej muzikanti  Lala shton: “Mbaj mend që në vitin 1964, në bashkëpunim me muzikantin Zef Leka, u ngrit Ansambli i Këngës Naftëtare, me të cilin zumë vendin e parë në Vlorë, Durrës e në Tirane. Ansambli ynë ishte me katër zëra, e përbehej nga arsimtarë, pilotë, inxhinierë e teknikë nafte”. Ai saktëson se grupi kishte korin më intelektual në Shqipëri. Në estradë kanë punuar edhe artistët e mëdhenj që në tingujt e fizarmonikës kanë interpretuar të mëdhenjtë e teatrit shqiptar, Sulejman Pitarka, Agim Shuke, si dhe tenori i famshëm Gaqo Çako, që me këngët e tij i jepte frymëmarje “kryeqytetit” të naftës, rrëfen Lala
Historia Kuçovës
Kjo trevë ka qenë vendbanimi i hershëm ilir i fisit Desarët. Nga gërmimet e bëra në periferi të qytetit të Kuçovës (në komunën Perondi, ku ndodhet sot Kisha e vjetër e Shën Nikollës) del se kjo trevë ka qenë një vendbanim i lashtë me një kulturë të zhvilluar, gjë që vërtetohet nga mënyra e ndërtimit të shtëpive dhe e shëtitores për banorët e saj. Kjo shëtitore ka përmasat e një bulevardi të vërtetë (10m gjerësi dhe 50m gjatësi) të shtruar me kalldrëm e me gurë të gdhendur bukur. Po kështu në kodrën e Omurit në verilindje të qytetit, janë gjetur punime mbrojtëse ilire e mbi të gjitha një pishtar (i ekspozuar në muzeun e Beratit), i cili shërbente për të sinjalizuar rrezikun armik nga njëra kala në tjetrën si dhe në të gjithë zonën. Nga gërmimet e bëra në vitet ’40 –’50 të shekullit të kaluar u nxorën në sipërfaqe amfora, shpata e mburoja të kohës ilire. Në kohët e Mesjetës është shfrytëzuar për interesa jetike  të banorëve vendas edhe nafta e dalë në sipërfaqe me vetërrjedhje. Në fund të viteve 1700 – fillimi i viteve 1800, banorë kuçovarë si fiset e vjetra të Brisqeve apo të Skurove e më vonë të Kurtëve, kanë shitur naftë bruto për myzeqarët, të cilët e përdornin për bucelat e rrotave të qerreve si vaj grasatues e më pas për djegie. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, në periferi të Kuçovës (aty ku sot janë varrezat e qytetit) u vendos një repart ushtarak austriak. Në vitin 1916, një inxhinier gjeolog, pjesëtar i këtij efektivi vuri re se uji i përroit që rridhte nga kodra e Omurit vinte me naftë. Pasi e shëtiti më këmbë vendin ai arriti në përfundimin se Kuçova ishte një vend me pasuri të mëdha nafte. Këtë fakt ai e bëri publik në vitin 1918. Që nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë Shoqëri kërkuese nafte si AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), një Shoqëri Anglo-Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe Shoqëri Franceze etj.
Në vitin 1928 në vendin që sot quhet “Dikatër” u shpua e dha naftë pusi  i parë në Shqipëri. Që nga ky moment Kuçova u hodh në hartat gjeologjike  të botës si vendburim nafte dhe më vonë edhe në hartat politike dhe ushtarake. Që nga viti 1928 e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga Shoqëria Italiane AIPA. Kjo Shoqëri bëri marrëveshje me Qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse prodhimi i naftës në vit do t’i kalonte 50 000 tonët, kjo Shoqëri do të ngrinte në Kuçovë një rafineri. Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t’u përpunuar në Itali. Në historinë e Shqipërisë, Kuçova përmendet edhe si qyteti ku është organizuar greva e parë e punëtorëve në vitin 1936. Zhvillimin më të madh Kuçova e ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet 1975 – 1990. Popullsia në fund të viteve 1980 arriti 32 000 nga 6 400 banorë që ishte në vitin 1938. Në vitin 1944, për stabilizimin e gjendjes shumë të rënduar në Kuçovë si pasojë e djegieve dhe shkatërrimeve të bëra nga pushtuesi, Qeveria e Përkohshme e Beratit urdhëroi ngritjen e një Komisariati të Jashtëzakonshëm për naftën.

Ky komisariat do të kishte atributet e një drejtorie të përgjithshme, e cila do të vinte në punë të tërë sistemin e shfrytëzimit të vendburimeve. Në vitin 1951, me vendim të veçantë të Qeverisë  Shqiptare, në Kuçovë u krijuan 11 ndërmarrje ekonomike, ndërsa në vitin 1970 renditej midis qendrave më të zhvilluara në shkallë vendi. Në këtë periudhë në Kuçovë shtrinë  veprimtarinë e tyre 15 ndërmarrje ku më të rëndësishmet ishin Uzina e Përpunimit të Naftës, U.M.N Shpim Shfrytëzimi, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TECI, Transporti, Ndërtim Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Fabrika e Pluhurave Larës, Fabrika e Tullave, Shkolla e Mesme e Naftës etj. Edhe pse Kuçova ka pasur një zhvillim industrial shumë të vrullshëm, deri në vitin 1991 ka qenë e përfshirë në Rrethin e Beratit. Nga ai vit funksionon si rreth më vete, brenda Qarkut të Beratit. Banorët e Kuçovës flasin dialektin tosk, pa ndryshime të  dukshme me të folurën letrare shqipe, veshja është ajo e tipit të Myzeqesë. Traditat kulturore të komunitetit tonë janë të tilla që lejon komunikimin e shpejtë, ka aftësinë për t’u besuar partnerëve, për të përqafuar idetë e reja në përshtatje me sistemin e ekonomisë së tregut, është artdashës e shquhet për një mikpritje karakteristike.