JO KËSHTU MORE BALLKANAS TË PAGDHËNDUR, JO!!
[PJESA E DYTE]
Çfarë po ndodh në hapësirën shqiptare?!
Vall e meritojmë këtë ndëshkim të kohës së trazuar, e cila vërtitet brenda psikologjisë ballkanase me të gjithë të mirat dhe negativitetet e saj, kur në fakt duhet të kishim një orientim të qartë mbi devizën; “një komb, një gjuhë, një flamur, një histori dhe një traditë”.
Asgjë nuk është e rastësishme çfarë ndodh sot në trojet shqiptare dhe përreth tyre. Një teatër ballkanik me shumë aktorë, ku në fshatin e të marrëve, budallai po del dhe po duket më i mençur. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë.
Në Tiranë një junior ballkanas, po çirret e bërtet çdo ditë për rrëzimin e qeverisë, duke dhënë natyrën e një njeriu të çoroditur, pa ide, pa kauzë dhe me një projekt republike “të re” në mendjen e tij bizantine. Po shohim përditë një teatër në boulevard. Po përballemi me një opozitë që ka filluar të vërë në kryq ambasadorin e SHBA-ve, të BE-së dhe po i kundërvihet vetingut, për t’i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia.
Përversiteti ballkanik në Tiranë përmblidhet me pak fjalë.
Politikanë hajdut dhe injorantë, gjyqtar dhe prokuror të korruptuar, mjekë që diagnostikojnë dhe mjekojnë gabim, spitale me mungesë medikamentesh, pedagog të paaftë që lektrojnë në salla me studentë të pamotivuar për dijen, nënpunës civil militant dhe arrogant, mjedis i ndotur toksikisht dhe akustikisht, hapësira urbane e shkatërruar dhe dhunuar nga ndërtimet kaotike, njerëz të varfër me shpresa të vrara, të rinj që dëshirojnë të largohen me çdo kusht nga ky vend, shpërthim epidemik i sëmundjeve vdekjeprurëse, elementët e sigurisë kombëtare në kaos, pasuri kombëtare që grabitet sistematikisht në emër të shtetit dhe të ligjit, shoqëri civile memece dhe e korruptuar, media servile klienteliste dhe të politizuara, infrastrukturë rrugore që le për të dëshiruar, taksa që të marrin frymën pa vënë më parë në binarë elementët strategjik të zhvillimit ekonomik, dhe mbi të gjitha, mbizotërimi i një mjedisi amoral që ka vënë në shënjestër sistemin e vlerave tradicionale kombëtare dhe historike. Kjo është diagnoza e politikës drtiëshkurtër që ka sjellë shtetin e sëmurë në Shqipëri.
Me sa po kuptohet, nga ngjarjet e fundit në Tiranë kura e shpëtimit po gjendet në laboratoret e Botës, nëse vërtet do të ketë shpëtim.
Situata e rendit kushtetues e rrezikuar në Tiranë nuk kalon pa refleksione në pjesët e tjera të Shqipërisë. Mos luani këtë herë me këmënguljen e opinionit të gjerë për të realizuar reformën e thellë në drejtësi dhe vetingun, pasi ky proces duhet të fillojë në radhë të parë nga lista e politikanëve pa dallime partiake, të cilët janë mbeshtetja dhe oksigjeni i padrejtësisë, i kriminalizimit, i dhunimit të demokracisë, shkeljes së të drejtave njerëzore dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar.
Këto qëndrime skizofrenie për shkak të famës, karrierës, degjenerimit, amoralitetit, grabitjes dhe fitimeve kolosale në dëm të pasurisë kombëtare, i ngjajne skenës së luanit gjahtar, që ka kapur një zebër për gryke dhe me dhjetra hiena i vijnë rrotull, duke skërmitur dhëmbët, të ndjella nga era e gjakut dhe e mishit. Bosi i politikës e ka kapur fort prenë e vet. Askush nuk ia ka parë hajrin sherrit. Në këtë përplasje brirësh dhe shqyerje me erë gjaku, midis “luanësh e hienash” në arenën e traumatizuar të popullit, as keta gjela kotecesh e plehu nuk do t’ia shikojnë hajrin sherrit që po bëjnë në shpinë të Shqipërisë.
Ajo që po e pëson është Shqipëria, kjo Shqipëri që këta gjela koteci duhet t’i shfarose, t’i shkel me këmbë, t’i flakë jashtë truallit të saj. Sado të mbulohen e të maskohen nën shëllirën e hidhur të çorbës së tyre të prishur, këtyre u ka dalë lëkura e vërtetë. Një skenar shumëdimensional dhe i shumëfaktorshëm që po nxjerr në dritë sot armiqtë më të betuar dhe dinak kundër kombit shqiptar dhe shërbëtorët e tyre shqipfolës.
Në Shkup një tjetër ballkanas i çmendur, po shfaq natyrën më të egër antishqiptare, një vegël e një partie të kriminalizuar, që po e çon Maqedoninë në krizën më të thellë politike, duke rrezikuar destabilizimin e saj drejt një lufte të mundëshme civile. I bindur se do të shkojë në burg së bashku me turorin e tij të kriminalizuar Gruevski, ai po rrezaton një tjetër çmenduri ballkanase.
Përballë tyre, disa politikanë shqiptarë, në mentalitetin tipik ballkanas, të kapur dhe të hutuar nga bashkëpërgjegjëesitë në krime, të shkërrmoqur në dekada, vetëm po bëlbëzojnë dhe ndoshta mezi presin të ulen në karriget e qeverisë. Pjekuria në politikën kombëtare mungon. Situata po degradon çdo ditë e më poshtë, e cila nuk po sheh një fund në zgjidhjen politike. Tirana po merret me vetveten dhe po e harron Shkupin.
Përballë një agresioni të egër mediatik, me mendësi foshnjarake nuk po dim më ku janë caqet e ndihmës dhe të ndërhyrjeve, të gjithë përzihemi edhe atje ku nuk na takon, ka humbur sensi i maturisë, pa i pranuar situatat të zhvillohen natyrshëm, duke djegur kohën dhe etapat, duke shpenzuar pa kriter energjitë mbështetëse qytetare. Me veprime politike të nxituara e të papërgjegjëshme harrohet se përgjegjësia kombëtare është me kosto shumë të lartë.
Në Kosovë ende ekziston dhe ushqehet një vatër e mprehtë politike, e mundëshme për përplasje, përballë presionit shtetëror serb të sinkronizuar, këmëngulës e me disiplinë politike e diplomatike. Për shkak të politikës së kapitullimit, Serbia po kalon në rolin e viktimës duke fajësuar shqiptarët dhe duke arritur lehtë objektivat e saj.
Në Prishtinë të tjerë ballkanas tipikë; njeri me natyrë bajraktari, i palëkundur në rrugën e tij të kapitullimit për karrierë politike; tjetri një dinak që përpiqet të manovrojë por që s’di të justifikojë të shkuarën e tij; me një qeveritar të zënë në hall nga e kaluara titiste, të gjithë bashkë vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin, duke përdorur me mjeshtëri ordinacat e bindura. Po hakërrohen me be e rrufe, se do ta bëjnë demarkacionin, do ta zbatojnë asosacionin, do ta bëjnë ushtrinë, do ta injorojnë opozitën, nuk shqetësohen që Kosova po zbrazet përditë, dhe ata do të bëjnë gjithçka tjetër, vetëm të rrijnë sa më gjatë në pushtet. Pushteti i mbron ata nga ndëshkimi dhe drejtësia.
Sot Kosova ka nevojë për mbështetje, por dilema shqiptare kapërcen kufijtë e perceptimit irreal të situatës. Çfarë po ndodh midis nesh? Pse jemi bërë mosbesues dhe dyshues ndaj vetes, me njeri tjetrin, duke e mbushur territorin masivisht me “tradhëtarë, spiunë, bashkëpunëtorë, të shitur”? Një marrëzi kolektive që ka hedhur vështrimin drejt ndëshkimit fizik. Po bëhemi pre e organizimeve të dyshimta fetare që po na çojnë në përplasje. Patriotizmi po jeton në deliret e internetit, duke thërrmuar historinë kombëtare në mokrën e mërive dhe ndasive partiake e krahinore.
Në Preshevë rrëzohet një tjetër hibrid ballkanas nga kryetar komunal dhe del në opozitë, sepse ndryshe premtoi para zgjedhjeve dhe ndryshe veproi me të marrë pushtetin. Edhe në këtë qendër politike partitë hanë njera tjetrën, deputetët moralizojnë dukë dhënë shpresa bajate me sytë nga Tirana dhe Prishtina, ndërsa varfëria po thellohet më shumë dhe njerëzit po marrin arratinë nga sytë këmbët, vetëm t’i shpëtojnë persekucionit shtetëror dhe pisllëkut moral të krerëve politikë, më të pabesueshëm se kurrë ndonjëherë.
Në Hollandë, në “vendin e ullinjve” kanë gjetur strehë ca të tjerë jugoballkanas, që kanë shpallur një “republikë” me president, qeveri, ushtri e katandi dhe fryhen çdo ditë me çaj rigoni përpara për “komb e atdhe”, për “besë e flamur”. Nuk dihet ku janë këmbët dhe ku është koka, por të gjithë duan të bëhen “koka të mëdha” me këmbët në ajër. Pabësi, kaos, demagogji, përbetime, mburrje që burojnë nga një patriotizëm fallco pa asnjë vlerë, përkundrazi.
Dhe populli ynë ballkanas, që rri e vështron këta farë trimash dhe këtë farë trimërie, e cila nuk bën përjashtim nga mentaliteti i sëmurë ballkanas, po vazhdon të jetojë në varr duke u marrë me të vdekurit dhe duke harruar të gjallët, po vazhdon të hajë vetveten nga brenda pa ditur ku shkon, çfarë kërkon, çfarë po bën dhe çfarë do të bëjë……………..
VAZHDON….
Sulejman Abazi, 27 mars 2017.