Demir Sharavolli…Njeriu, kovaçi i famshëm i dinastisë “SHARAVOLLI”, babai i 9 fëmijve, 6 djem e 3 vajza, që me çekanin e vetëm të tij mbante 11 persona… 5 djem u bënë kovaçë, vetëm njëri, më i madhi, i pari i fëmijve, Fatmiri, u bë artist, mësues vizatimi, piktor, grafist, skulptor.
Sharavollët erdhën nga Skrapari, nga Sharova, nga Çorovoda në vitin 1950. Erdhën bashkë me farkëtarinë e tyre, me varetë, kudhrat, kacekët, gjyrykët, çekanët, erdhën dhe u vendosën në lagjen “Vakëf”, ku bënë një lagje, një rrugë që mban emrin “SHARAVOLLI.” Mjafuan 70 vjet dhe ata vunë vulën e emrit të tyre në Berat, si mjeshtra, si njerëz që punën e kishin qejf, e kishin kënaqësi, pasion, art, si njerëz që kurrë nuk iu dëgjua zëri, sepse për ata mbante fjalime pa bujë dora e tyre, mjeshtëria e tyre…
Demir Sharavolli… Kam përpara portretin e tij… Shikojeni shikimin inteleigjent, fin, të përkorë, të matur…. Duket si profesor, si akademik… Gjithë krahina e Shpiragut i kaliste spatat, kazmat tek Usta Demiri… Ishte bërë si banor, si pjesëtar i zonës. Edhe im atë tek ai shkonte…tek dyqani, kovaçana tek Ura e Goricës…
Kovaç që dinte të shkrinte dhe të ngjiste e saldonte hekurin me hekur pa elektroda, ai riparonte dhe prodhonte çarqet e çifteve si të origjinalit, ai që bëri një kalandër tek NSHN-ja, ku u jepej hark balestrave, që dinte të kaliste thikat e tornove që do të grinin hekur, që dinte se kur dhe si i jepej ujë hekurit të nxehtë, si temperohej, dinte të lexonte nuancat, ngjyrat mbi metal…. i tillë ishte deri në fund, sa e meriton dhe e vërteton përkufizimin se “vdiq me çekan në dorë.”
Fatmiri ka vajzën në Amerikë… Një nga suveniret që ka sjellë: një kompozim, rrahje në bakër, por është një kovaç që rreh hekur…
Sharavolli. Një emër që ka bërë emër…
(Triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)