BUJKU I KARBUNARËS DHE KRYEBASHKIAKU I ROMËS ose Xhevahir Shehu dhe Francesco Rutelli

BUJKU I KARBUNARËS DHE KRYEBASHKIAKU I ROMËS
ose Xhevahir Shehu dhe Francesco Rutelli

Jemi në vitin 1997. Një grup emigrantësh shqiptarë nga Karbunara e Lushnjes, vendosur në Itali që nga viti 1992, banonin në Romë, ku merreshin me punë të ndryshme, si: ndërtim, bojatisje, bujqësi, etj. Këta e kishin rregull, pjesë të regjimit ditor që, pas punës, në mbrëmje të mblidheshin në një birrari…

Tek tavolina shqiptare afrohet një italian:
-Mund të ulem?
-Urdhëroni!- e ftuan.-Uluni. Çfarë do merrni?
-Daleni! – iu thotë i porsauluri. -Porosis unë edhe për ju.
-Jo! – thanë me ton të prerë. – Ti drejton Romën, por tavolinën shqiptare, këtu, e drejtojmë ne.
Ishte kryebashkiaku i Romës, Francesco Rutelli (1993-2001).

Qëndroi një copë herë me shqiptarët dhe iu tha se i duhej një punëtor për disa punime e pastrime barërash në kopshtin e shtëpisë së tij. I thanë se ata ishin të zënë, kishin punë, por do t’i dërgonin një punëtor tjetër.
Dhe i dhanë emrin: Xhevahir Shehu.
Para se të largohej nga lokali Francesco Tutelli shkon tek kamerieri për të paguar tavolinën, por kamerieri e refuzon, duke i thënë:

-Jo. Ti nuk e kupton mentalitetin e tyre. Po u ule në tavolinë, ata nuk të lënë të paguash. Edhe shok i tyre të jesh. I ardhuri apo i vajturi tek ata nuk paguan. Po qe se pranoj liretat e tua, ata nuk më shkelin më në lokal. Por nuk dua të më ikin. I japin gjallëri lokalit, rrezatojnë energji…

Xhevahir Shehu punoi gjithë ditën dhe, kur erdhi pasdite vonë Rutelli, nuk po u besonte syve me sasinë dhe cilësinë e punës, punimet, sistemimet, tre thasë me barishte…
-Më ka ngelur dhe pak punë për nesër,- i thotë Xhevahiri.
-Bravo! – i thotë Rutelli, – por do ta jap pagesën që sot dhe i jep një milion e 200 mijë lireta(!)
-Jo! – thotë Xhevahiri.- Janë shumë, janë sa për një javë pune. Mua haka më bën vetëm 200 mijë.
Këmbëngul Rutelli. Këmbëngul dhe shqiptari nga Karbunara, duke i thënë kryebashkiakut të Romës se ai besonte në Perëndi, në Zot dhe Perëndia thotë që të paguash hakun dhe të marrësh po hakun!…
-Merri! – e urdhëron Rutelli e mos më jep mësime për Perëndinë!…

Kaluan disa kohë dhe pas nja dy javësh Rutelli shkon përsëri në birrarinë ku mblidheshin shqiptarët ku kërkon prapë atë punëtor, Xhevahirin…
-E kemi sëmurë, – thanë, është keq!
-Ku është?
E çuan tek Xhevahiri Rutellin. E mori Xhevon, e çoi në spitalin më të mirë, duke iu thënë mjekëve se të gjitha shpenzimet për diagnostikimet, ekzaminimet, mjekimet ishtin të tijat.

Mjerisht, Xhevahiri u diagnostikua me sëmundje të rëndë, të avancuar, të pashërueshme…

Po kush ishte Xhevahir Shehu?

Ishte punëtor i klasit të parë Xhevahiri, që banonte në një barakë ndanë rruge. Një herë vërshon tek baraka e tij policia. Kontroll. Xhevahiri po i mbante duart mbledhur sikur donte t’i fshihte gishtrinjtë e tij me nyje si gdhënj, i mbante duart mbledhur sikur të fshihte diçka.
-Hapi duart! – urdhëroi polici.

Dhe policët shtangën!
Para syve të tyre u shfaqën, befas, një grusht me kallo, si një grusht lajthish. Policia u zmbraps kur pa ato kallo!

Dhe i dhanë një copë letër, i dhanë një shkkresë, që kushdo që do t’i vinte për kontroll a do ta shqetësonte, Xhevahir Shehu nga Karbunara t’ua tregonte si kartabiankë…

-Sipas Bardhyl Myftiut. Xhevahir Shehu ishte kushëriri i parë i të shoqes së Bardhylit.-

/Në foto: Francesco Rutelli dhe Bardhyl Myftiu./

(Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”) Nga Simon Vrusho.

Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho