Ulqini është larg. Larg e afër Beratit. Qytetet me njerëzit, historinë, legjendat, misteret e të thënat e tyre kanë gjithmonë një Kod bashkëjetese kudo ku gjallon fryma e të mbuluarve me dhe e të atyre që gjëllojnë ende. Është më i saktë ky Kod sidomos në qytetet shqiptare, ku të njëjtat tinguj të ëmbël shqip gurgullojnë në buzët e tyre. E njëjta histori bashkëjetese thuhet herë si amanet, herë si këngë, herë si mbishkrime gurësh ….
… Anijet e vjetra ulqinake dikur e kishin folenë pranë Bunës në Shëngjin. Aty ishte edhe fari dritëndezur. Tani i janë afruar më tepër brigjeve të këtij “Qyteti të Bardhë.” Dikur…ata sillnin nga larg njerëz, robër, piratë, legjenda, pasqyra nusesh, ikona të zografisura larg në Evropë, arkiva të mbushura …e merrnin prej këtej ullinj, qëndisma, dru të gdhendur, jehona ezanesh e tinguj këmbanash.
Osumi fjongokaltër me pamjen e Tomorit përballë dhe vetë Berati, nuk e kanë patur fatin e një bregu kaq mikpritës, por e kanë patur përherë në përfytërimin e tyre, në këngët e bukura qytetare Ulqinin dhe bashkë me shumë shqiptarë të tjerë kanë përsëritur refrenin dashuror “M’ka shku mendja me u feju /e me marrë një ulqinak.”
……Na ishte një herë një Kala….. E fortë…..E madhe….Të gjithë Mjeshtrat e saj bënin një garë të ylbertë që ajo të ishte gjithmonë e tillë. Hapësirave të saj të gurta të kishte gjithmonë jetë, lule, aromë gjellësh, bedena, stere uji për kohëra të vështira, dashuri të pashprehura e fëmijë që lindnin mes urime kështjellarësh…
Kështu mund ta kenë nisur rrëfimin të gjithë legjendëshkruesit e kronikanët e kështjellave në Berat e Ulqin. Si për rastësi të bukur të dy qytetet kanë të njëjtën moshë atë të shekullit IV para erës sonë. Lirizmi dhe epizmi, tragjizmi dhe gojëdhëna e legjendës së Kalasë së Beratit që krijoi Osumin, një lumë të tërë me lotët e dashurisë e të dhimbjes, në Ulqin zëvendësohet me një rrëfenjë po kaq të bukur, tronditëse, epike, që sjell edhe sot mesazhin e mbijetesës shqiptare. Për të krijuar emblemën e jetës, për shtëpitë e shpirtërat e banorëve të tyre, beratasit e ulqinakët zgjodhën BARDHËSINË që s’e ndërruan asnjëherë. Edhe kur në pragjet e gurta iu afrua dhimbja njerëzore..
….Në Bjeshkën e Rumisë, fare pranë Uqinit, thonë se ishte varrosur mbreti i Labetaëve, të parët ilirë të ulqinakëve të sotëm.Varri duhej ruajtur sa më mirë nga të huajt. Duhej ngjitur deri afër qiellit, afër diellit …Ndaj që nga lashtësia e deri në ditët tona të gjithë brezat sipas mundësisë së forcës së krahëve e shpatullave, në një ditë të caktuar të vitit, ngjiten lart në majën e saj me ca gurë në duar dhe i vënë një mbi një te ai varr.Që Bjeshka të ngjitet sa më lart. Janë ca Antisizifë të kohëve moderne. Këngëtari popullor, pasi e tendosi telin e lahutës në një nga këto ditë peligrenazhi, dhe I kërkoi ndihmë lodërtarit më të mirë të krahinës, nisi të këndojë: “Moj Rumija , bjeshkë e naltë/ti u bafsh ma e naltë se ç’je!”
Që në shekullin e kaluar të dy këto qytete shqiptare morën “pasaportën e kryeqyteteve kulturore”. Që më 1922 qeveria e Ish Jugoslavisë e shpalli Ulqinin “Qytet me rëndësi kurative “ në mbarë rajonin që ia rriti e ia shumëfishoi mysafirët. Me qindra e mijëra francezë, gjermanë, austriakë, kroatë, anglezë, për të mos thënë për kosovarët, e quanin privilegjin më të madh të vinin në Ulqon. Në këto 100 vjetët e fundit, e vunë Ulqinin në axhendat verore të pushimeve të tyre. Më 1961, 45 vjet më parë Berati mori statusin e “Qytetit Muze” e është afër sihariqit për të qënë “Pasuri e gjithë njerëzimit “ në kujdesin e UNESCOS.
Kur e prek me sytë e tu “bymimin“ njerëzor të këtij qyteti në disa muaj të vitit, edhe qytete të mëdhenj të Evropës e botës si Kajroja, Londra, Parisi e kanë vërtet zili se ai shtatëfishohet e tëtëfishohet në popullsinë e vet, gjë që nuk ndodh tek ata kjo shifër. Ky entuziazëm është jo më pak edhe në Berat. Një qytet që ende kërkon vetveten në labirintet e turizmit bashkëkohor. Kur ambasadori çek Mirosllav Sinderlar hapi mes miqve të tij në Çeki disa foto të bëra nga ai në Berat e Skarapar, të gjithë ata menduan se mund të ishin bërë në Teksas të SHBA. Me shumë vështirësi ai i bindi se ato ishin mu në qendër të Evropës , në Berat.
Gati në të njëjtën kufi kohor të dy qytetet janë bërë rezidenca të njerëzve të mëdhenj të Evropës. Biografia e Beratit në kohët modene e shkruar nga kronikani turk Evlia Çelebiu e gdhendi më qartë portretin e tij. Në këto kohë në brigjet e Ulqinit do të zbriste Kryeshkrimtari spanjoll Miguel Serevantes. Me një dorë të prerë në Betejën e Lepantos, me “statusin ‘ e të internuarit apo të vizitorit”, ai shetiste në udhët e Kalasë së Ulqinit që e kishte vështrimin nga të gjitha anët drejt detit . Emri i Dulqinjës ai e gdhendi në romanin “Don Kishoti”. Do të jetë gatuar nga vështrimet spanjolle për vajzat ulqinake, nga bukuria e këtyre viseve të argjenda, të misterta. Pikërisht në rrugët e kësaj kalaje, të mbushur me qindra turistë të ardhur nga të gjitha anët e botës kur Ulqini priste edhe fjalëshkruesit e librave shqip e në gjuhë të huaj, unë vetë takova një filiz të familjeve detare shekullore të këtij qyteti.
Quhej Hajro Nimanbegu. Edhe ai kishte Dulqinjën e vet. Që prej 20 vjetësh kishte blerë një jaht nga më luksozët e atyre viteve dhe për nder të mikut të dikurshëm të këtij qyteti e të vetë qytetit të tij ia kishte vënë emrin “Dulçinea”. Ai na tregoi se në varrezat ortodokse të Ulqinit kishte edhe disa pjesëtarë të familjes beratase të Llazar Cilingirit që kishin jetuar për dhjetra vite aty. Në Ulqin kishte shumë shqiptarë që e kishin vizituar Beratin në këto vitet e fundit . Shumë prej tyre, me të cilët folëm mes tryezave letrare, kishin dëgjuar e kërkonin të vinin për ta vizituar. Kjo dashamirësi qytetare të rriste obligimin për t’i dhënë një lavdi të re qyteteve tona. Një lavdi të kohërave moderne, ku natyrisht turizmi, kultura e arsimi të jenë “kryefjala” e jetës së secilit.
Me jehonën e tregimit të Hajro Detarit e të Hajri Poetit si e quanin në Ulqin Hajro Ulqinakun, i cili është edhe hartuesi dhe botuesi i Antologjisë poetike kushtuar Uqinit e të titulluar “ Ulqin, ti det”, m’u kujtua fillimi i shekullit XX kur Edit Durhani shkruante në të njëjtën kohë për të dy qytetet shqiptare e po kaq ballkanikë njëkohosisht me aq dashuri.
Në të njëjtën kohë në qytet të shoqëronin paqësisht tingujt e këmbanave dhe ezanet e xhamive që ashtu si në Berat , sillnin pamjen e qyteteve tipikë ballkanikë.
Si për rastësi të dhimbshme edhe humbjet të dy qytetet i kanë patur të njëjta. Të bujshme. Të lavdishme e zulmëmëdha. Edhe pse Beratit i ka ardhur nga toka e Ulqinit i ka ardhur nga deti. Një mbijetesë historike që në Ulqin ma dritëzon botuesi i një reviste aq prestigjoze kulturore e artistike “Lemba” Nail Draga. Duke përfytëruar sa mundja në atë dallgëzim Adriatiku humbjen e Skënderbeut në muret e kalasë së Beratit, dëgjoja rrëfimin tërheqës të njërit prej eksploratorëve më të mirë të trojeve shqiptare, profesorit 28-vjeçar të matematikës në Univerisitetin e Podgoricës Ilir Çapuni, që ka zbuluar para disa kohësh rrënojat e anijes italiane “Regina Margherita”e të disa anijeve të tjera venedikase, të mbytura në Betejën legjendare të Ulqinit. Në duar ka harta pa fund. Ka gërmuar në arkivat e Cetinjës, të Beogradit, të Vjenës, të Ulqinit dhe na tregon për atë betejë ku mori pjesë njeriu, natyra dhe ..Zoti.
…Në brigjet e Ulqinit kishte 214 anije venedikase. Ishte rrethuar. Një lubi e vërtetë me topa. Qetësi. Një det vaj. Dy shehitë (dëshmitarë besimtarë) me vështrim nga deti morën disa thupra e nisën të qëllonin detin duke thënë : ”Zot, shpëtoje detin ! Zot, shpëtoje detin tonë! Zot…..”Një stuhi e madhe në Adriatik. E paparë. Brenda disa minutash u fundosën 92 anije . Pas betejës të gjithë kronikanët e luftës kryen detyrën duke përshkruar ngjarjen . Vetëm nuk thanë dot arsyen.
…….
Herë me një fjongo të kaltër Osumi , herë me një shami të kaltër Adriatiku, të dy qytetet kanë përcjellë dhe përcjellin besnikërisht edhe sot e kësaj dite KUMTIN e QËNDRESËS. Thërrasin shpesh në ndihmë poetët, politikanët, kronikanët, artistët, vallet. Djersijnë shumë . Duan librat e jo rrallë kujtojnë të kaluarën, fytyrëskuqur para së ardhmes që pret më shumë. Gdhihen e ngrysen me Ëndrrën e së nesërmes. Sado larg të jenë, ata ia japin çdo ditë aq lehtësisht njëri-tjetrit këtë KUMT. Shumë më saktë e më të sigurt se marrëveshjet protokollare të pushtetarëve në të gjitha kohërat kur ato të firmosen ….