Koment:
Nga Rushan Dosti
Rrema çelsat e Bashkisë – Sherua “opingat e Sheros”
Tashmë që zgjedhjet administrative ne Dibër u mbyllën besojë se palët garuese do të jenë duke lexuar me kujdes leksionin që u dhanë dibranët punëtorë e të mençur. Them leksionin, pasi kjo politikë meriton të mësojë më shumë nga populli i saj dhe të lërë mënjanë retorikat politike, të mbarsura me premtime që prekin qiejtë e që nuk zbresin kurrë në tokë.
Nuk është se për Dibrën nuk është shkruar, personalisht jam angazhuar me disa opinione, por tashmë që mendjet janë ftohur dhe gjykimet janë më të kthjellta duhet thënë ajo që rezultoi mëse e vërtetë dhe që ishte parashikuar. Gjykojë se nëse njëri prej kandidatëve ishte fitues, pra Rrema që mori çelsat e Bashkisë së Dibrës, kjo kurrsesi nuk duhet përjetuar si meritë e partisë ku aderon Muharrem Rama, se sa meritë e tij si mjek dhe intelekrtual. Mbi të gjitha ai fitoi sepse në këto vite të tranzicionit politik, nuk u ngatërrua me mëkatarët, as me gënjeshtarët apo zuzarët, por ju përkushtua punës si mjek duke shkelur shtëpi më shtëpi të dibranëve. Në këtë kuptim ky Rrema i PS nuk duhet të mburret me partinë, por partia duhet të mburret me Rremën.
Ajo që politika kërkoi të bënte me Dibrën dhe dibranët, për t’i përdorur si “Kalë Troje” për betejën e 2017, dështoi plotësisht, sepse Dibra dhe dibranët të dëgjojnë e të respektojnë, por kur vjen fjala për të ardhemn e tyre dhe fëmijëve të tyre të vënë festen sipas kokës. Zgjedhjet administrative në Dibër mbi të gjitha ishin një fitore e dibranëve të ndershëm, atyre dibranëve të cilët Kryetari i Opozitës, Luli i Sheros, nga mllefi i humbjes i cilësoi si “viktima të kartelit të drogës”. E përkthyer më shqip kjo deklaratë pa sens dhe shumë fyese, do të thotë që dibranët na dashkan qeveritarë të drogës dhe jo të punës. Nuk besoja se Luli do të arrinte sa të tallej edhe me varfërinë e dibranëve, kur deklaroi se të varfërit u shitën për pak miell e pak lekë, gjë që vetëm në këtë trevë kaq punëtore nuk mund të pranohet nga askush.
Nejse le të lëmë politikën në hallin që e ka zënë dhe të merremi pak me dy kandidatët, të cilët që të dy janë njerëz të nderuar e që garuan për një qytet të cilin e kanë vendlindjen e tyre. Dihet që Muharrem Rama, që nga dita e dielë, kohë kur u mbyllën kutitë e votimit dhe komisionierët numëruan votat e dibranëve, do të jetë njeriu që tash e tutje do të drejtojë Bashkinë e Dibrës. Ai është qytetari i parë i Dibrës, ndërkohë që kundërshtari i tij Sherefedin Shehu, që nga dita e dielë u kthye në folenë e tij, aty në Tiranë ku për 8 vite ka qënë deputetë dhe zyrtarë i lartë i shtetit shqiptar. Ka qënë, sepse mbasi la mandatin e Deputetit dhe humbi mandatin e kryebashkiakut, mbeti pa mandat fare, por ky nuk është faji i tij. Është vetë politika e partisë së Sheros, që pasi i shfrytëzon mirë e mirë politikanët e saj, më në fund i dorëzon duke i glorifikuar nëpërmjet mandatimit në poste më të ulta, duke i prezantuar para zgjedhsve si shpëtimtarë të dështimit të tyre. Nuk është se kjo ndodhi me Sheron e Dibrës, kjo ka ndodhur më parë me Lulëzim Xhaferin në Durrës, kohë kur Lulë – Kultura la Ministrinë e Kulturës dhe konkuroi për Bashkinë e Durrësit, ashtu siç bëri në zgjedhjet e fundit lokale Grida Duma, e cila la mandatin e deputetës dhe mbeti pa mandat për shkak të humbjes së saj në konkurimin turpërues të saj me Dakon e Bashkisë së Durrësit. Ka plot shembuj të tjerë, që e nxjerrin lakuriq politikën që PD ka zgjedhur për të eleminuar me “lezet” figura që ndoshta meritojnë më shumë se kaq.
Nëse themi që Rrema i PS mori çelsat e Bashkisë dhe Rrema i PD “opingat e Sheros”, kjo ka të bëjë me faktin që vetë PD, përpos zhurmës që bëri për mëse një muaj në Dibër, abuzoi shumë me akuzat kundër njerëzve me para në Dibër, të cilët akuzohen vetëm pse nuk aderojnë në PD. Ana tjetër që kjo parti abuzoi shumë ishte marrja e politikanëve të saj me precedentin Shukri Xhelili, për të cilin ende nuk e ka thënë fjalën drejtësia. Harrojnë këta politikanë mjeranë se të shash qoftë edhe një dibran, ke sharë gjithë Dibrën. Ose premtimet e Lulit dhe Sheros për Rrugën e Arbrit, rrugë të cilët ata e braktisën që kur ishin në pushtet, ishin më shumë se një “shaka pa kripë” që ju kujtojë dibranëve premtime të tjera të parealizuara ndër vite.
Muharrem Rama, ndoshta nuk është më orator se sa Sherefedini, që është një “ujk i vjetër në politikë”, por në fjalët e tij dibranët lexuan sinqeritetin dhe ndershmërinë, që që mungojnë në oratorin e palës tjetër . Fituesi nuk gjykohet, ndaj PD dhe lideri i saj do të ishin në rregull me humbjen e tyre nëse do të kishin zgjedhur urimin ndaj tij dhe jo akuza e ultimatume që nuk pinë më ujë në këtë realitet të trishtë shqiptar. E vërteta sado e hidhur të jetë, është e vërtetë dhe duhet pranuar si e tillë. Rrema hyri në Bashkinë Dibrës me firmën dhe vulën e dibranëve dhe dibraneve, ndërkohë po me të njëjtën firmë dhe vulë Sherua i PD veshi “opingat”, vuri majat nga thembrat dhe u kthye në Tiranë për të vajtuar humbjen e tij, që ndoshta nuk e kishte menduar ndonjëherë. E tillë është politika, ku ka fituesë ka dhe humbës…