FSHP shkarkon përgjegjësitë mbi Luan Shabanin: Ai ishte trajneri!

Shfaqen teoritë e komplotit: Greqia, xheloze për sukseset tona!

Sipas Gazeta Shqip.Foto  Peshngritje

skuadraFederata Shqiptare e Peshëngritjes ka vendosur që për momentin të shkarkojë çdo përgjegjësi mbi Luan Shabanin, personin që ka përgatitur Daniel Godellin, Romela Begajn dhe Hysen Pulakun për pjesëmarrjen në Botëror, ku ata rezultuan pozitivë për përdorim dopingu. Një qëndrim të tillë e ka pranuar edhe presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, i cili ka udhëtuar drejt Greqisë për një takim me ish-kampionin e shtangës, që në muajt e fundit ka luajtur rolin e trajnerit të dy kombëtareve, asaj greke dhe asaj shqiptare. Për më tepër, “dypunësimi” i Shabanit dhe kryerja e stërvitjeve në Greqi, u ka hapur rrugë edhe teorive të komplotit, të hartuara nga vetë drejtuesi i shtangës shqiptare.

“Luan Shabani, në kuadrin e trajnerit kombëtar të peshëngritjes, më deklaroi që sportistët janë të pafajshëm. Kontrolli për ekipin kombëtar ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të atij vetë dhe të mjekëve që ai ka pasur në dispozicion. Me garancinë që më dha trajneri Luan Shabani, nuk e di sa e vërtetë është, por këtë garanci nuk dua ta shpërdoroj”, ishin fjalët e Gjozës pas takimit me Shabanin, të cilin e ai e ka konfirmuar si trajnerin e kombëtares shqiptare, ndonëse zyrtarisht, medalistët e Botërorit, Godelli dhe Begaj, kanë trajnerë të tjerë në aktivitete. Gjoza ka bërë të qartë se ka një akord jo vetëm parimor, por një kontratë të mirëfilltë pune me Shabanin, i cili për disa muaj me radhë është marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me peshëngritësit shqiptarë që pretendonin medalje, me përjashtim të Erkand Qerimajt, që është stërvitur në Shqipëri dhe Kosovë.

“Në marrëveshje ne përfshimë edhe shëndetësinë, edhe traumat, edhe të gjitha problemet që do të kishin sportistët. Trajneri Luan Shabani e miratoi dhe ra dakord që Qendra Sportive Shëndetësore e Qendrës Olimpike në Greqi, do të ishte si në dispozicion të ekipit kombëtar grek, njëkohësisht edhe të ekipit kombëtar shqiptar”, ka treguar Gjoza. Ndonëse nuk akuzon direkt Shabanin se ka gisht në këtë çështje, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, nuk e ka fshehur bindjen e tij se ky mund të jetë një “komplot” i mundshëm grek ndaj peshëngritësve të suksesshëm shqiptarë. “I kam thënë tekstualisht: E para, kontrollohen tre sportistë grekë nën kujdesin tonë dhe nuk dalin pozitivë, kontrollohen tre sportistë shqiptarë dhe dalin pozitivë. Kush është ai shtet që ka interes të na dëmtojë neve, siç janë dëmtuar edhe shumë shtete të tjera? Për mua, i dashur trajner, vendi që do të ishte xheloz për Shqipërinë është Greqia dhe këtë do ia lëmë të ardhmes”, ishte deklarata e Gjozës. Sipas tij, Shabani deri tani i ka konfirmuar se peshëngritësit, të cilët rezultuan pozitivë ndaj dopingut, nuk kishin marrë asnjë lloj vitamine të ndaluar apo medikament që mund të ndikonte në rezultatet e testit, ndërsa ka bërë të qartë se do të flasë pas Testit B. “Momentalisht jemi në këtë fazë, ku vetë sportistët dhe trajneri janë të pafajshëm. Përgjegjës për vitaminat është vetëm trajneri. Ai më siguroi që nuk ka përdorur asnjë medikament të ndaluar dhe pret Testin B”.

Me këtë qëndrim të drejtuesve të FSHP-së, duket se çdo lloj vendimi rreth kësaj çështjeje do të merret vetëm pasi të kryhet Testi B në klinikën e licencuar nga WADA në Budapest, në dy javët e ardhshme. Sido që të shkojnë gjërat, lindin shumë pikëpyetje rreth mënyrës se si është administruar e gjithë përgatitja e Botërorit nga ana e këtij institucioni. Kontraktimi si trajner i përfaqësueses të Luan Shabanit, i cili zyrtarisht ka mbajtur postin e tij në kreun e kombëtares greke, ndërsa paralelisht punësoheshin me këtë rol edhe trajnerë të tjerë shqiptarë, zhvillimi i stërvitjeve në Greqi pa asnjë lloj mbikëqyrjeje nga ana e FSHP-së dhe mjekëve të saj apo moszhvillimi i asnjë analize antidoping nga ana e kësaj federate, bën të qartë se situata është administruar në mënyrën më të keqe të mundshme, me pasoja shumë të rënda për sportin shqiptar.

Autor Gazeta Shqip te 13 Dhjetor 2014. Sport