Federata Shqipetare: Eshtë e papranueshme që të bëhen diferencime mes shqiptarëve

“Nuk i pranojmë kushtet serbe, shqiptarët të lirë të ndjekin Kombëtaren”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaron se ka kthyer mbrapsht të gjitha kërkesat e federatës serbe. Sipas tij, është e papranueshme që të bëhen diferencime mes shqiptarëve

Jeton Selimitifozat Kuq e zi
Pak ditë, dy refuzime. Marrëdhëniet mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe homologes serbe janë shumë të acaruara në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit, kur në Beograd do të udhëtojë Shqipëria për të zhvilluar ndeshjen e radhës në kuadër të europianit “Francë 2016”. Ndeshja paraqet interes të jashtëzakonshëm dhe ky interes është shndërruar në shqetësim për tifozët shqiptarë që do të udhëtojnë në kryeqytetin serb pasi autoritetet dhe federatat u druhen përplasjeve.
Në bazë të këtij shqetësimi, por edhe duke përfituar nga ky shqetësim, federata serbe kërkoi një ditë më parë që të udhëtonin në Beograd vetëm shtetas shqiptarë, duke shmangur kështu të gjithë shqiptarët nga trevat e tjera etnike apo edhe nga diaspora.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në emisionin “Ora Skaner”, deklaroi se ka kthyer pas kërkesat e palës tjetër.
“Janë kushte të papranueshme. Ne nuk mund të skedojmë tifozët tanë në bazë të numrit të pasaportës. Ne nuk mund t’u themi shqiptarëve që mos të ndjekin Kombëtaren e tyre. Kjo nuk ka kuptim. Ne nuk i shohim shqiptarët të ndarë,” u shpreh Duka, që më pas shtoi se gjithsesi është i shqetësuar për këtë ndeshje.
“Frikë nuk kam sepse tifozëria shqiptare kurrë nuk ka sjellë probleme, por i shqetësuar jam sepse më detyron historia mes dy vendeve”, theksoi presidenti i FSHF-së, ndërsa nga ndeshja e shumëpritur kanë mbetur vetëm 8 ditë.