“MAQEDONIA – 26 VJET SHTET”.. Nga: Dr. Sulejman Abazi [NESHAJ] Studiues politik.

“MAQEDONIA – 26 VJET SHTET”

Përgjegjësia e paqes dhe stabilitetit të rajonit, më së shumti po i takon popujve që jetojnë brenda Maqedonisë.
Do ta vlerësoja këtë datë historike për shtetin e Maqedonisë, dhe jo të barazvlefshme me datat historike që festojnë shqiptarët në historinë e tyre, sepse për shqiptarët kjo datë nuk përbën ndonje event të veçantë. Kjo datë u kujton klasës politike në Maqedoni, që në këtë republikë jeton një popullsi e konsiderueshme shqiptare dhe brenda kufirit të saj janë përfshirë territore etnike shqiptare, të shkeputura nga trungu shqiptar për shkak të padrejtësive historike. Për gati një shekull, popullsia shqiptare humbi të drejtat e saj, duke iu nënshtruar diskriminimit etnik, asimilimit, shpërnguljes, dhe rrudhjes kombëtare. Kjo situatë mundi të bëhej e njohur në opinionin ndërkombëtar vetëm pas përfundimit të luftës së armatosur të shqiptarëve për liri dhe drejtësi, kundër dhunës politike, nacionale dhe diskriminimit që i bëhej popullsisë shqiptare brenda shtetit të Maqedonisë.
Më 8 shtator të vitit 1991, në një referendum të përgjithëshëm me një shumicë mbi 95 për qind të qytetarëve, Republika e Maqedonisë u shkëput nga ish Jugosllavia, duke shpallur ditën e saj të pavarësisë. Fakti që kjo festë nuk përbën ndonjë event për shqiptarët, tregon se ajo është një festë me vlera nacionale për popullsinë maqedone, e cila gjen shprehjen e vet edhe në mënyrën dhe angazhimin e festimeve prej institucioneve shtetërore, ku shqiptarët mund të jenë të pranishëm vetëm formalisht.
Njohja e saj ndërkombëtare për shkëputjen nga ish Jugosllavia u kundërshtua nga Greqia, për shkak të flamurit dhe emrit të saj. Pas 4 vitesh përplasiesh, marrëdhëniet e saj me Greqinë morën një farë normalizimi në vitin 1995, por çështja e ndryshimit të emrit të saj ende mbetet problem i pazgjidhur në këto marrëdhënie. Shkak i keqeverisjes së VMRO DPMNE dhe BDI, me Gruevskin kryeministër për një kohë të gjatë, çështja e emrit të Maqedonisë mbajti të tensionuara këto marrëdhënie deri në ditët e sotme.
Republika e Shqipërisë ishte nga të parët shtete që njohën Republikën e Maqedonisë në marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore, pa asnjë kusht politik edhe pse brenda këtij shteti jetonte gati gjysma e popullsisë së tij. Po kështu, ndryshimi i statusit të Kosovës pas vitit 1999-të dhe konflikti i armatosur që shpërtheu midis shtetit maqedon dhe forcave çlirimtare të ushtrisë Çlirimtare Kombëtare [UÇK], miratimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, edhe pse shënuan fundin e luftës së armatosur nën kujdesin e faktorit politik ndërkombëtar, këto ngjarje me efekte jashtë kufijve të Ballkanit, evidencuan në sytë e opinionit ndërkombëtar ekzistencën e popullsisë shtetformuese shqiptare brenda Maqedonisë, duke i dhënë asaj të drejtën më marrëveshjen ndërkombëtare të bëhej pjesë e shtetndërtimit, mbi bazën e respektimit të të drejtave themelore të njeriut dhe futjes së saj në rrugën e plotësimit të standardeve për pranimin e shtetit maqedon në organizmat ndërkombëtare [NATO dhe BE].
Edhe pse kanë kaluar 26 vite nga shkëputja politiko administrative brenda ish Jugosllavisë, Republika e Maqedonisë sot vazhdon të përballet me probleme të rëndësishme shumë delikate në planin e brendshëm politik dhe po kështu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mosrespektimi dhe mungesa e vullnetit politik për të mos garantuar në mënyrë të njëanëshme statusin e popullsisë shqiptare shtetformuese dhe pakicave të tjera, ka mbajtur një situatë të brendëshme tensionur, me reagime e kundërreagime, të cilat kanë lënë gjurmë në marrëdhëniet e saj, qoftë me SHBA-të apo BE-në.
Cënimi i të drejtave themelore njerëzore, standardi i ulët i jetës social politike dhe ekonomike, zbrazja e vendit nga popullsisa drejt drejt migrimit si dhe ngecja e negociatave drejt institucioneve ndërkombëtare euroatlantike, për shkak të problemeve të brendëshme dhe të marrëdhënieve të brishta me fqinjët deri na acarim të arrëdhënieve, nuk bëjnë entuziast askënd edhe 26 vite më vonë nga data e shpalljes së pavarësisë. Maqedonia në këtë periudhë nuk i është shmangur krizave politike të brendëshme, ende marrëdhëniet rajonale të pastabilizuara, me një rritje ekonomike të dobët në mungesën e investimeve dhe të rritjes së papunësisë, me një situatë jot ë pranueshme në përgjegjësisnë për të pranuar dhe zbatuar standardet demokratike në institucionet shtetërore dhe jetën social politike të popullsisë, me hapësira të lira të depërtimit dhe pranimit të korrupsionit të thellë moralo politik dhe financiar, duke lejuar hapësira për depërtimin e kastës së oligarkisë në majat e pushtetit, ku organet partiake janë vënë tërësisht mbi shtetin dhe pushtetin dhe dhunojnë nevojën mbi jetën demoktarike të vendit.
Për Maqedoninë koha ka sjellë vështirësi të mëdha, të cilat ende janë të pranishme. Kjo kohë e vështirë ka sjellë në vëmendje nevojën e ndryshimeve të thella politike dhe sociale në shtete e rajonit ballkanik, ku ashtu si Shqipëria dhe Kosova, edhe Maqedonia duhet të pranojë rrugën demokratike të integrimeve euroatlantike, duke trasformuar mentalitetin nacionalist në interest ë shtetit të qytetarit.
Mesazhi që mund të jepet në një datë të tillë, duhet të ketë vlera gjithpëfshirëse, pa dallime nacionale. Kjo i takon përfaqësuesve më të lartë politik të shtetit. Opinion i brendshëm në Maqedoni çdo ditë që kalon, duhet të bindet dhe të pranojë një realitet të ri, ku fryma e nacionalizmit të njëanshëm është në dëm të popujve dhe të ardhmes së vet Maqedonisë. Ndryshimi në një kohë të afërt, do të ndodhë. Do të ndodhë, ashtu siç mund të ndodhë në një shpërthim atomik, ku ligjet e fizikës diktojnë. Vakumi që krijohet nga shpërthimi atomik, për shkak të diferencës së madhe të presionit atmosferik midis epiqendrës dhe periferisë, rimbushet me një fuqi të jashtëzakonëshme, në një rikthim të hatashëm të energjisë së ajrit, duke marrë çfarë gjen përpara. Rryma koncentrike përplaset me tërë fuqinë e saj në epiqendër të shpërthimit. Përplasja koncentrike merr përpara gjithçka që gjen, duke i ngritur ato në ajër në lartësi të madhe, në formën e një kërpudhe gjigande. Ajo fillon e bie ngadalë, duke infektuar një sipërfaqe të madhe me radioaktivitet. Në qendër të “shpërthimi atomik” në territoret ballkanike sot është Maqedonia. Shembulli ka vend krahasimi për situatën problematike politiko – sociale dhe ekonomike që përjeton sot Maqedonia. Zbrazja e territoreve nga popullsia që largohet në Ballkanin Perëndimor, nuk po ndodh vetëm në Republikën e Shqipërisë apo në Kosovë dhe Luginën e Preshëves. Ajo ka prekur rëndë edhe maqedoninë, dhe kjo nuk lë vend për eufori dhe justifikime. Koha do të sjellë një ditë rikthimin e tyre, por tashmë jo më me mentalitetin bizantin dhe autoritarist të oligarkisë politike dhe financiare sllaviste, por krejt ndryshe.
Nga kjo festë e shtetit të Maqedonisë, segmentet ultranacionaliste që minojnë marrëdhëniet etnike brenda Maqedonisë, janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen shkak për praninë e krizës morale, politike, shoqërore dhe ekonomike, e cila sot nuk është e rastësishme. Kjo situatë krize është një e vërtetë e hidhur. Mafia ekonomike që ka depërtuar në majën e piramidës së politikës, është shndërruar në një “kokë Meduze”, e cila po ngrin gjithçka me vështrimin e saj ogurzi. Ajo sot, duke shfrytëzuar varfërinë e skajëshme të popullsisë shqiptare, ka arritur të ndërtojë një shtrat të përshtatëshëm për të ushtruar diktatin dhe dhunën, e cila asnjehërë nuk mundi të dalë nga natyra nacionaliste, e përfaqësuar në instancat më të larta të pushtetit politik në Maqedoni.
Kush nuk e ndjen erën e re perëndimore që po fryn edhe për të ardhmen e shtetit të Maqedonisë, kushdo qoftë nuk meriton të drejtën morale të festojë. Popullsia shqiptare në raste të tilla mban qëndrimin e saj gjakftohtë, duke kërkuar respektimin institucional dhe ligjor të të drejtave të saj. Shpresa jeton midis nesh. Koha e padrinove të politikës dhe të ultranacionalizmit një ditë do të përmbyset. Dhe shpresojmë që kjo ditë të mos jetë e largët edhe në Maqedoni. Çdo gjë që maiset shumë, është e destinuar të shpërthejë. Koha i ka vënë në prove këto fenomene.
Në këtë ditë feste për popullsinë maqedone, gëzojmë të drejtën të japim mesazhe paqe dhe mirëkuptimi. Marrëdhëniet e shtetit të Maqedonisë më shqiptarët në kufijtë e saj, përtej një normaliteti të lëkundshëm, kanë qenë dhe do të mbeten të ndera, për aq kohë sa verbëria politike do të dominojë deri në majat e pushtetit politik. Shkaku kryesor i këtyre marrëdhënieve të brishta, është ekzistenca e popullsisë shqiptare, e cila ende nuk është e vlerësuar në statusin e saj real brenda shtetit. Kjo popullsi rivalizon faktorin maqedon në të gjithë aspektet. Por nuk është ky problemi. Ne jetën demokratike rregullat e lojës janë të qarta, të mbështetura në liritë themelore dhe në konkurencën e nderëshme mbi shanset e barabarta. Janë këto standarde të dhunuara në mënyrë të njëanëshme, që nuk lejojnë politikën të veprojë me mendje të hapur, për të respektuar popujt që jetojnë brenda Maqednisë. Fryma e nacionalizmit që vazhdon të ushqehet ka prishur raportet politike, sociale dhe ekonomike, duke krijuar një situatë të pastabilizuar, përherë me nuanca shpërthimi.
Një mendje e hapur dhe e ndritur është në gjendje të dallojë dhe të kap rrugën e perspektivës së ndryshimeve, të cilat nuk do të mbeten deri këtu. Ato do të thellohen akoma më tej, duke mundësuar të fitohen betejat politike rast pas rasti. Ndryshe nga më parë, për shkak të ndryshimit të pushtetit politik në zgjedhjet e fundit, ky fenomen ka filluar të veprojë në jetën sociale dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Maqedonia kurrë nuk do të mund të bëhet shtet demokratik i qytetarëve të saj, pa dallime etnike, nëse do të vazhdojë akoma të ushqeje jetën e saj elektorale me parti nacionaliste, të agresuara ekstremisht në përplasjen e tyre politike për pushtet. Kjo fazë që ka nisur me ndryshimet e fundit, me shumë vështirësi, po e orienton Maqedoninë drejt perëndimit.
Në një situatë komplekse, ku ndërthuren mjaft ngjarje me të kaluarën problematike të pushtetit 13 vjeçar të VMRO-DPMNE dhe BDI-së, kaosi në mendimin politik shqiptar në Maqedoni është i pranishëm. Edhe pse ka ndryshuar pushteti politik, koha është e pamjaftueshme për të qetësuar ndërgjegjen e trazuar të popullsisë shqiptare, e cila ka kaluar dhe po kalon trauma të rënda për shkak të represionit shtetëror.
Sigurisht, është e vështirë që në një kohë të shkurtër të arrihen të përmbysen praktikat shtetërore të një dekade e gjysëm. Është e vështirë të pretendohet që të kuptohet gjithçka drejt, duke lënë hapësirë për depërtimin e ideve të reja që çojnë në uljen e tensioneve nacionaliste. Ky fenomen shfaqet sa tek shqiptarët, por më së shumti në strukturat shtetërore të vjetra, të cilave u ka ardhur radha të lëshojnë institucionet. Nevoja për ndryshim dikton, por ajo po përplaset me stadin e rezistencës së pushtetit të vjetër, i mbarsur dukshëm me doza nacionaliste.
Në këtë ditë të pavarësisë së Maqedonisë, popujt brenda shtetit duhet të mendojnë ndryshe nga politika. Ky është kushti i ekzistencës. Mendimi shkencor politik i parë në planin e mbrojtjes së interesave kombëtare të shqiptarëve brenda Maqedonsë, duhet të jetë i kalkuluar mirë me logjikën matematike brenda, duke vlerësuar të gjithë faktorët veprues dhe mbi të gjitha, duke gjetur rrugëzgjidhjet, jo vetëm në interesin e shqiptarëve, por me efekte positive për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Kjo është detyra e njerëzve vizionare e atdhetar, qe dhe në Maqedoni e kudo tjetër nuk mungojnë. T’i gjejmë me urtësi, t’i mbështesim, t’u japim përkrahje masive dhe të mos rendim më pas emrave të diskretituar në politikë, të cilët deri tani kanë dëshmuar pëprgjegjëshmëri të lartë shoqërore dhe politike, duke rënuar interesat e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Festa duhet të shërbejë si një urë lidhëse miqësie dhe bashkëpunimi, bashkëjetesë dhe integrimi dhe jo si mure ndarës, ku të gjithë dalin të humbur. Është detyrimi i politikës por dhe përgjegjësi e lartë e popujve për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Dhe më së shumti sot, kjo përgjegjësi i ka rënë popujve qe jetojnë brenda Maqedonisë. Urojmë të bëhet më e mira.
Faleminderit.
Dr. Sulejman Abazi [NESHAJ]
Studiues politik.