KURAJO POLITIKE DHE QYTETARE: Skema tradicionale e shtetndërtimit mund të ndryshojë!

KURAJO POLITIKE DHE QYTETARE: Skema tradicionale e shtetndërtimit mund të ndryshojë!

Tashmë jemi të bindur se diplomatët kryesorë të SHBA-ve dhe të BE-së e kuptojnë dhe vlerësojnë aspiratën shqiptare. Ata me siguri nuk kanë dyshime në ndjenjat që ushqen populli shqiptar në vlerësimin e partneritetit strategjik me këto dy fuqi të mëdha planetare. Nëse janë të befasuar apo të lodhur me këtë klasë politike, për konfliktualitetin dhe rebelizmin e paskrupullt që ajo shfaq në respektimin e rekomandimeve për një demokraci të konsoliduar dhe anëtarësim në BE, atëherë është në nderin dhe detyrimin e tyre institucional që të gjejnë rrugëzgjidhje të reja në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Mjaft më hipokrizi politike.
Ndërhyrja e tyre në zgjidhjen e ngërçit të fortë politik deri tek dalja e PD-së nga çadra dhe gjetja e formulës për të çuar vendin në zgjedhje të sigurta, të lira dhe të garantuara, e dha modelin më të mirë. Të ndodhur në bashkëqeverisje teknike, dy forcat më të mëdha politike shkuan me qetësi dhe garanci në zgjedhje. Askush nga dy partitë e mëdha nuk mund të ankohet dhe të kontestojë rezultatin përfundimtar. Kjo reflektoi mesazhin paqësor në elektoratin shqiptar. Për herë të parë konflikti i ashpër politik në situata zgjedhore u shmang. Le të mbetet kjo një metodë e mirë që mund të realizohet në çdo rast të zgjedhjeve në Shqipëri.
Kundër kësaj marrëveshje, që garantonte zgjedhejt e lira, u pa të rreshtohej LSI. Lideri i saj shkeli normat kushtetuese, edhe pse ende nuk është betuar për postin e Presidentit. Marrëveshja në interes të Shqipërisë europiane preku rëndë interesat e përfitimit të kësaj partie dhe e pozicionon atë në opozitë, e destinuar të humbasë çdo privilegj të fituar padrejtësisht nga pazaret politike. Tentativa për t’u dhënë zgjedhjeve natyrën agresive dhe gjithçka e sajuar në manipulimin e tyre, nuk zenë vend në opinioni e qetë shqiptar.
Presidenti i ri, i emëruar nga marrëveshja politike midis dy partive më të mëdha shqiptare, duhet t’i fshijë atij ëndërrën për t’u rikthyer edhe një herë si kryeministëer i Shqipërisë. Në postin e Presidentit, ai duhet të mendojë thellë dhe të veprojë si përfaqësues i unitetit të popullit dhe të vihet me të gjithë energjitë e tij në mbështetje të programeve reformuese në Shqipëri. Pakënaqësitë kundër bashkëqeverisjes së kaluar, nuk e nderojnë, përkundrazi. Nëse trembet nga drejtësia dhe ka probleme me të, kjo nuk është më çështje pazaresh në pushtet. Mjaft më me marrëzitë që e kanë çuar Shqipërinë sa herë në buzë të greminës. Erdhi koha që Shqipëria të mos mbetet më peng i emrave të veçantë.
Në këtë situatë mund të përballemi me një opsion politik shumë interesant dhe mjaft të përfolur dhe të diskutueshëm. Përvoja europiane ka dhënë rezultat, kur marrëveshjet janë ndërtuar mbi bazë interesash zhvillimi dhe kanë përjashtur interesat klanore dhe individuale. Në vijimësi, për të mirën e zbatimit të detyrimeve për reformat e thella demokratike dhe kushtetuese, ndoshta bashkëqeverisja e Shqipërisë nga dy partitë e mëdha mund të jetë çudia më e madhe për skeptikët apo për klanet e interesave të dyshimta, por mund të jetë oguri dhe shëmbulli më i mirë për ta pastruar politikën shqiptare dhe për t’i kthyer besimin e humbur popullit tek politika.
Të pakënaqurit, qejfmbeturit, të gjithë atyre që u ikin privilegjet e pushtetit, militantët e sëmurë, servilët dhe të korruptuarit, të gjithë ata që vegjetojnë gjatë në administratën shqiptare dhe që e kanë krimbur dhe degjeneruar atë, të gjithë do t’i kundërviheshin me të gjithë mënyrat këtij opsioni të mundshëm politik në interes të shtetndërtimit. Do të bërtasin të gjithë ata që humbasin në këtë rast nga “torta e pushtëtit”, por kjo pak rëndësi ka. Do të kundërvihen militantët politikë që mbi Shqipërinë kanë vënë partinë, por kjo pak rëndësi ka. Do të bëjnë presion klanet mafioze që u preken interesat korruptive, por dhe kjo pak rëndësi ka. Do të kundërvihen të gjithë ata që e kanë mjelë ekonominë dhe pasurinë shqiptare në këto 26 vite, por kjo pak rëndësi duhet të ketë. Bashkëqeverisja për një kushtetutë të re, për një kod zgjedhor demokratik, për pushtete të pavarura, për vizionin e rritjes ekonomike, për sigurinë e jetës, pronës dhe të drejtës në demokraci dhe për shumë arësye të shtetndërtimit, me siguri që do të marrë miratimin dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.
Sigurisht, një ndërmarrje e tillë politike do të ketë një kosto morale dhe politike mbi drejtuesin e PD-së. Nëse ka kurajon të përballet me këtë situatë dhe të distancohet përfundimisht nga klanet që kanë mbajtur peng PD-në në dy dekada, Lulëzim Basha do të tregojë dhe do të bind opinionin shqiptar për angazhimin e tij maksimal në këtë situatë me natyrë të re demokratike dhe institucionale. Kjo i bën mirë PD-së si pasuri kombëtare, por mbi të gjitha i bën mirë Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Drejtuesit më të lartë politik në PS dhe në PD, duhet ta pranojnë sfidën dhe mundësinë që ofrojnë zgjedhjet e 25 qershorit. Ka edhe opsione të tjera të qeverisjes së vendit, të cilat mund të respektohen në bazë të vullnetit të elektoratit shqiptar. Sigurisht kjo është e drejta e forcës më të madhe fituese në këto zgjedhje. Urojmë të bëhet zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë për të mirën e Shqipërisë.
Arësyet e kësaj analize janë shumë të thjeshta dhe të kuptueshme. Problemet e mbarsura në qeverisjet e këqia në këto 26 vite nuk mbajnë dot më peshën e vlimit brenda një tenxhereje me presion pa një valvulë shkarkimi. Koha e solli që marrëveshja politike të shmangte një shpërthim të mundshëm dhe të orientojë shoqërinë shqiptare në një rrugë të besueshme. Nëse inteligjncia shqiptare çdo ditë denoncon korrupsionin politik dhe opinioni kupton dhe toleron, kjo nuk është dobësi e shqiptarëve që duhet keqpërdorur, por është natyra e një populli tolerant dhe me shpirt paqësor, që duhet respektuar. Nëse historia jonë e trazuar na ka mësuar të jetojmë përherë në varfëri më rrypin shtrënguar, kjo nuk na ka bërë të harrojmë mbijetesën historike, përkundrazi. Shqiptarët kanë nevojë për Drejtësi dhe Shtet Ligjor. Pjesmarrja e ulët në këto zgjedhje është një mesazh dhe gur prove.
Politikanë: U ktheni nderin dhe dinjitetin qytetarëve shqiptarë. Ky është detyrimi juaj moral dhe human. Shqiptarët e duan Evropën, e duan dhe çmojnë shumë edhe miqësinë me SHBA-të, duan një Ballkan paqësor dhe të integruar, por ata kanë dëshmuar se e duan shumë vendin e tyre.
Sulejman ABAZI [NESHAJ]
Tiranë më, 26/06/2017