Zbardhen detaje te programit te vizites se kryeministrit Edi Rama ne Beograd

edi_rama2
Vizita , më datën 10 nëntor
11:00 Takimi “kokë më kokë” Rama-Vuçiç
11:30 Takimi mes dy delegacioneve
12:30 Konferenca për shtyp e dy Kryeministrave
16:00 Rama do të takohet me gazetarët në hotel “Hyatt”
17:00 Zhvillohet forumi i biznesit serbo-shqiptar
18:00 Takimi në Bashkinë e Beogradit
Më datën 11 nëntor
Nisja në ora 5:00 të mëngjesit drejt Preshevës
Ora 11:00 Takimi me kreun e komunës. Më pas, fjalimi para sheshit

Marrin fund spekulimet e mediave serbe rreth axhendës së kreut të qeverisë, Edi Rama, në Beograd dhe në Preshevë, ku dje është konfirmuar se Kryeministri shqiptar nuk ka ndryshuar asgjë në axhendën e tij në lidhje me fjalimin dhe takimet që do të mbajë ditën e dytë të vizitës me shqiptarët dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor në Luginën e Preshevës. Edhe pse axhenda e kreut të qeverisë ka pësuar disa ndryshime nga ajo e paraqitur për vizitën e datës 24 tetor, ku është hequr takimi me Presidentin serb Tomislav Nikoliç, si dhe deri diku nuk është saktësuar nëse kreu i qeverisë Edi Rama do të marrë titullin “Çelësi i Qytetit”, pjesa tjetër ndryshon edhe në takimin me Kryetaren e Parlamentit. Ndryshimi në axhendën e Kryeministrit, e cila është harmonizuar edhe me atë të homologut serb, është dhe mosrealizimi i takimit me Kryetaren e Kuvendit, Maja Gojkoviç, për të cilën pala serbe nuk ka dhënë asnjë shpjegim deri më tani. Lajmi për vizitën e tij në Beograd, edhe pse autoritetet dhe mediat serbe po përflasin për një anulim të takimeve të Ramës me shqiptarët e Preshevës, është konfirmuar edhe nga vetë ambasadori ynë në Serbi, Ilir Boçka, i cili ka theksuar se “nuk ka asnjë ndryshim deri më tani në lidhje me vizitën e planifikuar të Kryeministrit Rama së bashku me delegacionin shqiptar në Luginën e Preshevës”. Gjatë vizitës së Ramës, pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje kryesisht në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Gjithsesi, mediat serbe e kanë konsideruar si provokim vizitën e Ramës në Preshevë.

Megjithatë, sipas shefit të qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiç, nuk është vendosur ende asgjë rreth vizitës së homologut të tij shqiptar për vizitën në Preshevë. Ashtu si në takimin e planifikuar më datë 24 tetor, Kryeministri serb ia ka lënë fundjavës planifikimin e axhendës. I pyetur nëse Rama do të vizitojë Luginën e Preshevës, përgjigjja e Vuçiç ishte: “Unë nuk e di”. Ndërkohë që Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, nuk është ndikuar nga afrimi i vizitës së Ramës për të zbutur tonet ndaj Shqipërisë, ku gjatë takimit ditën e premte me Kryeministrin francez, Manuel Valls, Nikoliç denoncoi ato që ai i quajti provokime në rritje të shqiptarëve në rajon. Teksa ka konfirmuar se ai nuk do të jetë ditën e hënë në Serbi.

Takimet

Delegacioni shqiptar pritet që të mbërrijë në orën 11:00 në pallatin “Serbia”, ku do të pritet nga Kryeministri serb, Vuçiç. Pas 10 minutash është planifikuar një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave, ndërsa pas 20 minutash do të ketë një takim mes dy delegacioneve, ku pritet që të nënshkruhen marrëveshjes mes dy ministrave të Jashtëm. Rreth orës 12:15 është parashikuar edhe konferenca për shtyp e dy Kryeministrave. Në orën 18:00, Rama pritet të mbajë fjalën në tryezën e bashkëpunimit Shqipëri-Serbi, që është planifikuar të zhvillohet në hotelin “Frankensteiner” në Beogradin e ri. Vizita në Bashkinë e Beogradit, ku sipas axhendës së paraincidenteve pritej të merrte “Çelësin e Qytetit” mbetet për t’u konfirmuar. Rreth orës 20:15 është planifikuar një shëtitje më këmbë në Beograd, ku nëse shihet e arsyeshme, gjatë këtij intervali, Kryeministri mund të shkojë drejt memorialit të Dimitrije Tuçoviç për të vendosur spontanisht një tufë të thjeshtë lulesh (pa protokoll shtetëror). Dita e dytë e vizitës i është kushtuar takimeve në Preshevë. Axhenda përfshin mbërritjen në Preshevë në sheshin “Liria”, përpara godinës së Këshillit Komunal, ku dhe do të bëhet prezantimi i anëtarëve të këshillit. Pjesë e axhendës është dhe fjalimi në podium si dhe një shtrëngim duarsh me të pranishmit e në fund, vizita në qendrën spitalore, për të cilën qeveria shqiptare ka kontribuuar.

Mustafa: Do ta presim Ramën, si Kryeministrin tonë

mustAFAGazeta serbe “Kurir”, në një shkrim të saj botuar dje, e konsideron skandal deklaratën e bërë nga kreu i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, se ata do ta prasin Edi Ramën si Kryeministër të tyre. “Skandal. Ragmi Mustafa provokon sërish: Do ta presim Ramën si Kryeministër të dytë”, është titulli i shkrimit në gazetë, teksa Mustafa, nga ana e tij, ka shprehur mbështetjen e plotë për vizitën e Ramës me shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Vizita e Kryeministrit Rama në Preshevë do të jetë e hapur dhe do të jetë e drejtpërdrejtë me popullin, sepse krerët e vendit janë takuar me qindra herë, por populli është i interesuar që të prekë Kryeministrin dhe të presë mesazhet që do t’i japë në sheshin kryesor para qytetarëve që do të dalin me një entuziazëm të madh, madhështor, duke e konsideruar Edi Ramën si Kryeministër të tyre”, ka thënë Mustafa. Gazeta vijon më tej, duke shkruar se “nga ana tjetër, kreu i Komunës së Preshevës ka deklaruar se Beogradi zyrtar po bën përpjekje që të pengojë vizitën e Kryeministrit shqiptar në Preshevë, duke e treguar qartë urrejtjen edhe në incidentin në stadium”, thekson më tej “Kurir”. Milovan Drecun, kryetar i Komisionit parlamentar për Kosovën dhe Metohinë në Kuvendin e Serbisë, ka thënë për Kurir se deklaratat ekstreme të politikanëve shqiptarë janë të qëllimshme për të destabilizuar situatën në një mjedis që ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj gjërave të tilla.