VOTA “PRO” E SHQIPERISE PER PRANIMIN E MAQEDONISË NË NATO.
Në kujtesë te politikës dhe diplomacisë shqiptare. Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, do të vazhdojnë bisedimet intensive midis Greqisë dhe Maqedonisë, nën kujdesin ndërkombëtar, për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. Deri në muajin korrik, kur mbahet samiti i radhës i NATO-s, pritet që Maqedonisë t’i hapen dyrt për anëtarsim, si anëtare e 30-të e saj, nëse do të arrihet një zgjidhje e pranueshme për palët. Politika maqedone për gati dy dekada, futi në “orgazëm” politikën greke, duke e shfryrë problemin gradualisht, deri sa të vinte koha që ajo të mos ketë më në dorë të bëjë asgjë për pretendimet e saj mbi Maqedoninë. Por në fakt, deri në qershor, shtetit të Maqedonisë do t’i duhet të kalojë disa barriera politike për të marrë miratimin e antarësimit në NATO.
Shpërbërja e Jugosllavisë, në vitin 1991 solli një republikë të re, që zgjodhi emrin Maqedoni. Greqia e konsideroi këtë fyerje të rëndë, duke pasur Brenda saj një krahinë me pot ë njejtin emër. Që atëherë është zhvilluar luftë kulturore mes dy vendeve, që solli si pasojë mospranimin e Maqedonisë në NATO dhe vonesat në integrimin në BE. Kur Maqedonia u pranua në vitin 1993 si shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara, kjo u bë vetëm me kompromisin FYROM – “Former Yugoslav Republic of Macedonia” – IRMJ. Kjo solli njohjen ndërkombëtare të vendit, por jo zgjidhjen e konfliktit me Greqinë. Për Greqinë zyrtarisht nuk ekziston një shtet me emrin Maqedoni, në 26 vite konflikti mes dy vendeve fqinje, me pasoja të mëdha.
Kohët e fundit kemi një zbutje të klimës në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë, për shkak të një mirëkuptimi që do të çonte në votën greke “pro” antarësimit. Pas largimit të Nikola Gruevskit nga pushteti, tonet e Maqedonisë drejt Greqisë janë zbutur. Momentalisht bëhet fjalë për “tone pajtuese, për marrëdhënie miqësore dhe kompromise politike dhe kulturore”. Zaev shpreson më shumë se sa një marrëdhënie të mirë. Ekonomia ka ritme shumë të uleta, papunësi të lartë dhe problem politike me vendet fqinje, përfshi dhe Shqipërinë. Zaev dëshiron ta përfshijë vendin si antar të NATO-s dhe të BE-së, për të krijuar klimën e stabilizimit. Antarësimet do të qartësonin më shumë marrëdhëniet ndërballkanike. Futja në NATO do ta drejtonte Maqedoninë përfundimisht drejt perëndimit, duke i zbehur dëshirat e Moskës drejt saj. Anëtarësimi në BE do të thjeshtonte problemet ekonomike dhe politike. Këtë interes me sa duket e kanë edhe politikanët e shtetit fqinj, Greqisë, të cilët janë të përfshirë në krizën e tyre të brendëshme. Pavarësisht problemeve, Athina nuk lëshon hapësirë në çështjen e emrit.
Sot shembulli i bashkëjetesës greko-maqedonase është Selaniku, por nëse për këtë çështje palët mund të merren vesh, ajo që na tërheq vëmendjen, është vendi dhe roli i faktorit politik shqiptar në zgjidhjen e konfliktit politik. Toneve të errëta nacionaliste që, “nuk na duhen më shqiptarët”, u ka ardhur fundi. Maqedonia nuk do të ketë të ardhme, pa respektuar statusin e popullsisë shqiptare dhe popullsive të tjera brenda saj. Ky duhet të jetë një nga kushtet kryesore, që duhet respektuar me masa konkrete, për t’i hapur rrugën demokratizimit të shoqërisë me standardet perëndimore dhe antarësimit të saj në NATO dhe integrimit në BE.
Qëndrimi politik i Shqipërisë është i rëndësishëm në këtë rast. Shqipëria dhe Kosova janë shtete aleate të natyrëshme të Maqedonisë dhe u intereson stabiliteti në këtë shtet. Shqiptarët nuk mund të bëhen pjesë e lojrave politike desatbilizuaese, që do t’u shërbenin me ose pa dashje fuqive të tjera që duan destabilizimin e Maqedonisë, edhe pse ajo ende është e përfshirë në një krizë të gjithanëshme politike me motive nacionaliste. Shqiptarët nuk do ta dëshironin destabilizimin e Maqedonisë. Shqiptarët janë për zgjidhje afatgjata me efekte integruese. Shqipëria dhe Kosova formalisht janë shtete të ndryshëm, por ato kanë dëshmuar se janë aleate të natyrshme të Maqedonisë dhe u intereson stabiliteti në rajon.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni edhe për shumë kohë do të jetë në opozitë. Kjo situatë komplekse, e cila nuk mbështetet në të dhënat reale dhe të sakta të potencialit elektoral, meriton të ç’kodifikohet.
Së pari, politikanët shqiptarë duhet të jenë original para pasuesve të tyre dhe jo të synojnë karriget e ngrohta të pushtetit për interesa të ngushta, për ndryshe ata po tentojnë t’i kthejnë partitë politike në falanga militantësh. Të gjithë kryetarët e partive politike kanë shfaqur interesa, duke synuar bashkëqeverisjen në Maqedoni. Kjo nuk sjell diçka të re. E nëse kjo parimisht në këtë shtet kjo pranohet, rezulton që ata ta keqpërdorin vullnetin e zgjedhësve, duke cënuar vlerat e demokracisë dhe më tej, interesat kombëtare.
Së dyti, nëse brenda për brenda faktorit shqiptar synohet të ndahet pushteti, atëherë ata e kanë vendin në opozitë, duke lënë mënjanë interesat kombëtare. Situata bën përgjegjëse të dy palët për moszbatimin e kërkesave bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Të jesh në opozitë të bashkuar, do të thotë që t’i kesh zgjidhur problemet më të mëdha të shqiptarëve, që burojnë nga programet politike. Marrëveshja ndërkombëtare dhe rruga e ndjekur silli dështimin e saj për të dy palët që e vlerësonin pushtetin mbi përparësitë apo diskriminimin etnik. Sot në Maqedoni për shkak të pranisë së popullsive të ndryshme, është e domosdoshme të funksionojë dhoma e nacionaliteteve.
Së treti, duhet të zgjidhet çështja e respektimit të simboleve kombëtare. Shqiptarët dhe popullsitë e tjera, mund ta respektojnë flamurin maqedon si flamur kombëtar dhe shtetëror, por duhet të kenë të drejtën e përdorimit të flamurit të tyre kombëtar pa kufizime.
Së katërti, në situatën e re politike, sot në Maqedoni nuk mund të pretendohet ndarja e pushtetit nga parti me program nacionalist, siç mund të pretendohej më parë. Ishte kjo situatë që shkaktoi krizën më të thellë morale të politikës, e cila ushqeu nacionalizmin ekstrem me pasoja në jetën social politike të vendit. Drejtuesit e partive më të mëdha maqedone dhe shqiptare nuk mund të imponohen më mbi një realitet të ri, që kërkon futjen e frymës qytetare në jetën politike të vendit.
Së pesti, lufta për të ndryshuar Ligjin Zgjedhor do të sillte konkurrencën e ndershme elektorale, duke vepruar në dimensioin e standardeve demokratike. Përbërja etnik e Maqedonisë e pranon më së miri një zonë zgjedhore. Mbështetja në standard demokratike edhe duke qenë në opozitë kompakte, balancon peshën specifike të pushtetit politik në shtetin dykombësh.
Në rastin e mundësisë së pranimit të Maqedonisë në NATO, le të jetë kjo situatë e diskutueshme edhe brenda faktorit politik shqiptar, pa përjashtuar qëndrimin e Republikës së Shqipërisë, e kushtëzuar, derisa faktori politik maqedon të pranojë ndryshimet kushtetuese që lidhen më statusin e popullsisë shqiptare dhe të futet në rrugën e reformimit të plotë demokratik. Në këtë mënyrë, shqiptarët nuk do të humbasin asgjë, përveç se do të fitojnë të drejtat dhe statusin e tyre. Tryezat politike do të sjellin të mira për të dy kombësitë, do të vij natryshëm vullnëti për bashkëjetesë, do të goditet ultranacionalizmi dhe shteti do t’i kthehet funksionit normal për të gjithë palët.
Në këtë situate, nuk mund të flasim thjeshtë për një konformizëm politik pro parimeve demokratike, por për një qëndrim të mbështetur mbi parimet dhe standardet e respektimit të të drejtave njerëzore. Shqiptarët nuk mund të pranojnë të jenë vetëm grupim votash për të çuar disa njerëz në Parlament, por të kthehen në një faktor vendimarrës për demokratizimin e jetës së vendit dhe çuarjen e reformave përpara. Fakti që, duket sikur jemi brenda një “normaliteti”, por në fakt situate po shtrihet brenda proceseve të reformimit të jetës demokratike në Maqedoni, tregon se politika është në hapat e para të pranimit të një realiteti problematik që duhet ndryshuar. Kundërvënia e pushtetit të vjetër nacionalist të VMRO-DPMNE, vazhdon të ndihet fort, për ta thyer vullnetin politik drejt orientimit properëndimor të Maqedonisë.
Mentaliteti i vjetër po vepron me kokëfortësi. Shkak bëhen një pjesë e politikanëve shqiptarë, të cilët koha i ka përfshirë në situate kritike me përgjegjësi shtetërore dhe qytetare. Përpjekjet për unifikimin e faktorit shqiptar janë bërë dhe për disa parti politike, kjo ka rënë në vesh të shurdhër. Pse duhet të shkaktoje frikë bashkimi politik i shqiptarëve? Faji nuk ka pse të mbetet përsëri tek shqiptarët. Krerët politik të nxitur nga ndjenja e “përjashtimit nga rrethanat favorizuese”, janë përkulur më shumë, duke kapitulluar përballë presionit nacionalist, me “argumente” bajate, përballë përgjegjësisë së lartë kombëtare.
Trajtuam disa qëndrime politike për të kuptuar që, edhe në këtë event historik, të mundësisë për pranimin në NATO, politika shqiptare nuk mund të ecë, siç bëri në vitin 1994, për njohjen e FYROM “pa kushte” edhe pse brenda këtij shteti jetojnë gati 1 milion shqiptarë. Kërkesa ndaj ndryshimeve kushtetuese të paralajmëruara, duhet të jet kushti kryesor, për të respektuar statusin e shqiptarëve brenda Maqedonisë. Vota “pro” e Shqipërisë për antarësimin e Maqedonisë në NATO, duhet të jetë një votë reale me vlera, për të ndikuar në demokratizimin e jetës së vendit. Nuk mund të pranohet një shtet në këtë aleancë politiko – ushtarake, me problem kaq të rënda, të trashëguara nga e kaluara e saj e hidhur. Vullneti politik i palëve për bashkëjetesën, duhet të jetë treguesi i parë dhe më i kërkuar. Kush premton se shumë nga këto ndryshime kushtetuese do të bëhën në vijimësi, nuk duhet të harrojë përvojat e hidhura të përplasjeve etnike, të cilat në Ballkan janë më pasoja të rrezikëshme.
Dr. Sulejman Abazi NESHAJ, Tiranë më 09.01.2018.