Blerta Zhegu, sopranoja shqiptare nuk ndalet, shkëlqen me rolin e Musettës.
Ajo është një artiste tjetër shqiptare në botën operistike që po shkëlqen, duke u ngjitur sa në një skenë prestigjoze në tjetrën. Blerta Zhegu, sopranoja shqiptare po vijon sukseshëm rrugëtimin e saj artistik, duke treguar se fal punës, përkushtimit dhe pasionit mund të shkosh përpara.
Pasi ka mbyllur një kalendar të sukseshëm me debutime brilante gjatë vitit 2018, ajo ka nisur po aq sukseshëm dhe vitin 2019, duke interpretuar rolin e Musettës, në të famshmen “La Bohème”
Në një intervistë Blerta Zhegu rrëfeu disa nga arritjet e saj të deri tanishme dhe projektet për të adhmen.
Musetta në operan “La Boheme” është roli i parë për vitin 2019, rol me të cilin Blerta Zhegu sopranoja shqiptare shkëlqeu në premierën e operës në Teatrin Goldoni të Livornos.
“Në Dhjetor të 2018 debutova, rolin e protagonistes së operas “Si” ne Teatrin Goldoni të Livornos ( qytet i lindjes së kompozitorit P.Mascagni) në të njëjtin produksion me një ndër yjet e botës operistike Fabio Armiliato”, tha Blerta.
Me modestinë që e karakterizon Zhegu shprehet se i suksesshëm ka nisur për të dhe viti 2019 dhe në rastin e Blertës gjithçka është rezultat i një pune të palodhur, përkushtimi dhe pasioni që duket se kanë lindur bashkë me të.
“Në janar të 2019 në të njëjtin teatër u shfaq premiera e “La Bohème” ku interpretova rolin e Musettës. Do të kem kënaqësinë, që edhe këtë produksion, i cili bëhet në bashkëpunim me Teatro del Maggio Fiorentino, ta debutoj edhe ne qytetin e lindjes së kompozitorit, Lucca” thotë ajo.
E larguar nga Shqipëria në vitin 2009 drejt Italisë Blerta Zhegu ka prekur disa nga skenat më të rëndësishme operistike të botës, duke treguar se është një yll në ngjitje i artit shqiptar dhe si e tillë ajo nuk do të ndalet.
“Rrugetimi im artistik do të vazhdojë në muajin Shkurt në Teatrin Filarmonik të Veronës me rolin e Norinës në operan “Don Pasquale” de G.Donizettit”, u shpreh ajo.
Blerta Zhegu, që siç dhe shprehet dashurinë për artin e ka dhuratë nga familja e saj, e cila ndonëse nuk vjen nga bota e artit e ka bërë atë që ta dashurojë, atë dhe talentin e saj, fal punës dhe përkushtimit ta kthejë në gjënë më të rëndësishme në jetë.
“Kam patur fatin të interpretoj në disa skena prestigjoze dhe një nga arritjet më të mëdha mbetet interpretimi në Chorégies d’Orange në Gala-ne “Musiques en fête”. Ky interpretim ishte veçanërisht emocionues për shkak të numrit të personave që ishin në publik (rreth 10000 ) pa llogaritur artëdashësit që ndoqën emisionin e transmetuar direkt në Francë 3 dhe Radio Classique”, shprehet ajo.
Ndonëse, ka prekur skenat më të njohura botërore të operas Blerta Zhegu nuk ka lënë pas dhe skenat operistike shqiptare dhe këtë e ka bërë sa herë i është dhënë mundësia.
“Koncerti im i fundit recital u zhvillua në muajin Tetor të 2018 në Pallatin e Brigadave. Në këtë rast isha e shoqëruar nga orkestra e Sigal-it dhe dirigjenti Ermir Dizdari. Ky koncert u realizua me ndihmën e shoqatës”Argjiro”, Sigal-it dhe Presidencës së Shqipërisë”, pohon ajo.
Për të provuar se sa do ja dilte të interpretonte jashtë Shqipërisë dhe me ambicjen për tu bërë një soprano e njohur Blerta Zhegu u largua nga Shqipëria në vitin 2009 dhe duket se ja ka dal të jetë e suksshme, por për të ëndërra vazhdon.
“Jam larguar nga Shqipëria në vitin 2009 dhe karrierën time e kam nisur në Itali, në Teatrin Komunal të Bolzanos me rolin e Lucy-t në operan “The telephone” të G.Menottit. Në këtë qytet kam kryer dhe specializimin. Ikja ime nga Shqipëria lidhet me dëshirën për të vënë vetveten në provë si dhe me mundësitë e pakta të punësimit që mu ofruan atëherë në Shqipëri”, shprehet ajo.
Erjola Azizolli