Botuar ne faqen elektronike EPOKA E RE
Lideri i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, është shprehur mjaft kritik ndaj elitave politike në Kosovë dhe Shqipëri.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Danaj ka thënë se Prishtina dhe Tirana vuajnë nga elitat e mirëfillta politike. Ai ka deklaruar se elitës aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri i intereson vetëm pushteti, e jo vizioni për të ardhmen e kombit shqiptar. “Ata kanë një grumbull grindavecësh që zihen me njëri-tjetrin se kush është i ‘pari’, një grumbull grindavecësh që i tregojnë ‘biografinë’ njëri-tjetrit. Puna e parë që duhet bërë është shkrirja e dy Akademive të Shkencave si në Tiranë dhe në Prishtinë”, ka deklaruar Danaj. Në këtë kontekst, Danaj ka thënë se kombi shqiptar ka elitë, por këtë, sipas tij, nuk e duan politikanët nga Prishtina dhe Tirana. “Këtë elitë nuk e duan politikanët e të dyja kryeqyteteve, këtë elitë nuk e duan mediet pro këtyre politikanëve. Elitë do të thotë progres, do të thotë vizion, do të thotë kundërshti, do të thotë dialog, do të thotë të gjejmë çfarë kemi të përbashkët, e jo të merremi me atë se çfarë na ndan”, është shprehur Danaj.
Ndërkaq duke iu referuar mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila do të mbahet këtë muaj në Tiranë, Danaj ka thënë se kjo mbledhje është vetëm rutinore.
Koço Danaj në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se formimi i kësaj gjykate është skandal dhe “krim demokratik”. Ai ka deklaruar se nëpërmjet kësaj gjykate lobi proserb në Bashkim Evropian (BE) është duke kërkuar hakmarrje ndaj UÇK-së. “Mjerisht në ndihmë të tij janë sot politikanët shqiptarë, disa medie shqiptare, disa analistë shqiptarë”, ka theksuar Danaj. Ai ka vlerësuar se nëse Kuvendi i Kosovës do të lejojë që gjykata të emërtohet si “Gjykata Speciale për krimet e ish-UÇK-së” atëherë, sipas tij, Kuvendi duhet të shkojë dhe t’i zhvarrosë nga varri të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e UÇK-së.
“Epoka e re”: Z. Danaj, si i vlerësoni proceset e fundit politike në Kosovë dhe në Shqipëri, konkretisht çështjen e Gjykatës Speciale dhe përplasjet e fundit politike në mes të PS-së e LSI-së me PD-në?
Danaj: I vlerësoj si shenjë papjekurie të politikës shqiptare. I vlerësoj si shenjë neootomanizmi të kësaj politike. Shikoni ju lutem me vëmendje, kemi dy “taborë” pozitë dhe opozitë pa vizion, pa qartësi për kombin shqiptar. Si në Tiranë dhe në Prishtinë ato kanë vetëm një gjë të përbashkët, luftën për pushtet.
“Epoka e re”: Çfarë barre i vihet Kosovës mbi supe me rastin e formimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merret vetëm me UÇK-në?
Danaj: E ky është ndoshta problemi më i madh përballë politikës shqiptare, përballë asaj që ju e quani “elitë”, përballë atij që unë e quaj opinion publik shqiptar. Është një skandal i vërtetë, është një “krim demokratik”, është njësoj sikur të ringrehesh nga varri dhe t’i rivrasësh edhe njëherë Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Iliaz Kodrën, Ismet Jasharin, Fehmi Lladrovcin etj.
“Epoka e re”: Z. Danaj, pse e thoni këtë?
Danaj: A e dinë zotërinjtë e Perëndimit se UÇK-ja më 19 shtator 1999 pushoi se qeni edhe si emër. A e dinë ata se, pas kësaj date, kemi një emër tjetër, TMK? Çfarë krimesh do të gjykojnë ata që, sipas tyre, janë kryer nga UÇK-ja? Do të gjykojnë si krim pse UÇK-ja luftoi kundër ushtrisë jugosllave? Do të gjykojnë si krim pse në luftë janë vrarë edhe serbë apo edhe shqiptarë që u bashkuan me serbët? Për çfarë e kanë fjalën? Për vrasje të ndodhura pas luftës? Po, do të thotë dikush. Bukur. Por a e dinë këta zotërinj se pas luftës nuk kishte më UÇK? Po përsëri dikush mund të thotë se këto vrasje i kanë kryer njerëz që dikur kanë qenë në UÇK. Dakord. Po pse nuk thoni më thjesht: Gjykatë për krimet e kryera pas luftës. Por këtu qëndrojnë djallëzia, diabolizmi, shovinizmi, urrejtja ndaj emblemës “UÇK”. Lobi proserb në BE kërkon të hakmerret ndaj UÇK-së. Mjerisht në ndihmë të tij janë sot politikanët shqiptarë, disa media shqiptare, disa analistë shqiptarë. Ndërkaq problemi është i thjeshtë. Doni Gjykatë? Po. E doni Speciale? Po. E doni për individë që kanë kryer vrasje? Po. Dakord. Por, kurrë për mua dhe për të gjithë ata shqiptarë që e urrejnë shovinizmin serb, pra kurrë nuk duhet lejuar që në emrin e kësaj gjykate të figurojë emri i pavdekshëm UÇK. E përsëris, kurrë. Në qoftë se Kuvendi i Kosovës do të lejojë që Gjykata të emërtohet si “Gjykata Speciale për krimet e ish-UÇK-së”, atëherë ky Kuvend duhet të shkojë dhe t’i zhvarrosë nga varri të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e UÇK dhe t’i “vrasë për herë të dytë”.
“Epoka e re”: A gjenden këto dy shtete në një udhëkryq, i cili është duke dëmtuar rënd interesin e qytetarëve të të dyja vendeve?
Danaj: Natyrisht, kur nuk ke vizion për të ardhmen, do të thotë se ndodhesh në udhëkryq.
“Epoka e re”: Sipas jush, janë duke vuajtur Kosova dhe Shqipëria nga elitat e mirëfillta politike?
Danaj: As Prishtina e as Tirana nuk kanë elita të mirëfillta politike. Kanë një grumbull grindavecësh që zihen me njëri-tjetrin se kush është i “pari”, një grumbull grindavecësh që ia tregojnë “biografinë” njëri-tjetrit. Puna e parë që duhet bërë është shkrirja e dy Akademive të Shkencave si në Tiranë dhe në Prishtinë.
“Epoka e re”: E kombi shqiptar, a ka elita?
Danaj: Ka, por këtë elitë nuk e duan politikanët e të dyja kryeqyteteve. Këtë elitë nuk e duan mediet pro këtyre politikanëve, sepse elitë do të thotë progres, do të thotë vizion, do të thotë kundërshti, do të thotë dialog, do të thotë të gjejmë çfarë kemi të përbashkët, e jo të merremi me atë se çfarë na ndan.
“Epoka e re”: Z. Danaj, këtë muaj në Tiranë është paraparë një mbledhje e përbashkët e dy qeverive shqiptare. Çfarë rëndësie ka për popujt e dy vendeve kjo mbledhje?
Danaj: Thjesht një mbledhje rutinore. Asgjë tjetër.
(Lirim GECI)