Shtypi ndërkombëtar: Incident diplomatik mes dy rivalëve të Ballkanit

Foto Rama VucicShtypi ndërkombëtar e ka cilësuar si një incident diplomatik përplasjen mes kryeministrit shqiptar Rama dhe atij serb Vuçiç për çështjen e Kosovës. Gazeta prestigjioze amerikane “The Washington Post”, ka shkruar se dy rivalët e Ballkanit e kanë pasur të vështirë për të shkrirë akujt mes tyre.

“Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë, u angazhuan për të lënë mënjanë divergjencat dhe të fokusohen në dëshirën e përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Por shkrirja e akujve mes dy rivalëve të Ballkanit nuk zgjati as deri sa konferenca e përbashkët për shtyp.”

“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë të tensionuara për dekada, më së shumti për çështjen e Kosovës”, – shkruan e përditshmja amerikane, duke theksuar se Serbia e konsideron Kosovën si djepin e saj dhe të fesë së saj.

“Washington Post” shton më tej se deklarata e Ramës, se “pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se sa më shpejt të njihet, aq më shpejt ne mund të ecim përpara”, ndezi një reagim të fortë të kryeministrit serb Vuçiç. Më tej ajo citon fjalët e kryeministrit serb që nuk e priste “këtë provokim”.

Edhe agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” ka shkruar mbi vizitën e Ramës dhe debatin e tij me kryeministrin Vuçiç për Kosovën.

“Lideri serb e ai shqiptar përplasen për Kosovën. Konferenca u kthye në një përplasje televizive. Serbia e konsideron Kosovën djep të kombit, ndërsa vizita e Ramës shënohet 68 vjet pas asaj të ish-liderit komunist Hoxha”, – shkruan “Reuters”.

“Serbi-Shqipëri: përplasje mes Ramës dhe Vuçiç për Kosovën”, – shkruan agjencia italiane e lajmeve Ansa në versionin e saj on line. Për Ansa-n, konferenca e shtypit mes dy kryeministrave në Beograd, ishte një incident diplomatik, “pavarësisht se vizita e Ramës është historike”.

Agjencia italiane më pas raporton se deklaratat e Ramës për Kosovën, ndezën reagimin e ashpër të Vuçiç për deklaratën e bërë sipas tij nga kryeministri shqiptar për Kosovën.

Megjithatë, sipas Ansa-s, pavarësisht nga incidenti për Kosovën, Vuçiç vazhdoi të bisedojë me Ramën.

10 nëntor 2014 (gazeta-Shqip.com)