Shpirti i poetes… Vargje nga Namik Selmani.

Shpirti i poetes
Lëvrin në drurë ai shpirt i dlirë
Si një sonambul dorën zgjat.
Kur gdhin agimi, kërkon një diell
Kur vjen një muzg, dëbon një natë.

Kur vjen një dimër, s’e ndalka hapin
Mbi akullimë mbledh xixëllonja.
Po hapni pragjet e ndizni zjarrin!
Po sjell ajo një mal me shkronja.

Po ndizni zjarr, ndritoni natën
Se vjen një shpirt i madh poeteje
T’ju ngrohë duart, sytë dhe fjalën
T’ju shtojë ninullat nëpër djepe

Trokon ndër udhë ai shpirt i bukur
Kur dielli merr dritën e lume
Një varg-pishtar ju bën të lumtur
E nuk kërkon ca copa buke.

Trokon një dorë në dyer zemre
Nderon një botë që është vrastare
O derë, që mbyll zëra poetësh
na dhe dilemën hamletiane.

Ç‘po pëshpërit ai shpirt behari
Një një shtrat ëndrre ku ka rrebesh
Merrni vrap granit nga mali
Për të e bëni monument!

Se prapë ka udhë që zgjojnë rinimin
Ku shkon shenjtorja pa kurorë.
Kur nis një udhë, përcjell urimin
Në fjalën –mal, zëqiellor.