“Po marr nga fjala e kryeministrit dhe dua ta falenderoj që “po, në Himarë ekzistojnë pjesëtarë të minoritetit etnik grek. Marrë edhe thënien se “pikërisht për të kufizuar hapësirat ne bëjmë këtë bashkim”, – ishin fjalitë e deputetit Vangjel Dule që më pas do të sillte replikën e kryeministrit Edi Rama
Denion Ndrenika
Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule u përfshi në replika me kryetarin e qeverisë Edi Rama mbi të drejtat e pakicave në Shqipëri.
Por, në replika u vu re se zoti Dule përmendte cilësimin “etnik” kur fliste për minoritet grek në Himarë, kurse kryeministri jo.
Zoti Dule foli menjëherë pasi kryeministri iu përgjigj pretendimeve për etnicitetin e krahinës së madhe të Shqipërisë Jugore, Himarës që bashkohet me Horë-Vranishtin dhe Lukovën me ndarjen e re administrative dhe territoriale të vendit.
Deputeti dhe kryetar i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut që mbron interesat e pakicës së vogël joshqiptare (greke) në jug të vendit, Dule ironizoi kryeministrin, përfshi atë që e quajti “pjesë të fjalës së tij” për çështjen e Himarës.
Ai i tha zotit Rama se “kur flasim për politikë në parlament ajo që mbizotëron është nocioni “shtet”, “sundimi i ligjit”, “të drejtat e njeriut” dhe për mua edhe “të drejtat e minoriteteve”:
“Po marr nga fjala e kryeministrit dhe dua ta falenderoj që “po, në Himarë ekzistojnë pjesëtarë të minoritetit etnik grek. Marrë edhe thënien se “pikërisht për të kufizuar hapësirat ne bëjmë këtë bashkim”, – ishin fjalitë e zotit Dule që më pas do të sillte replikën e kryeministrit.
“Duket qartë ajo që denoncova: Tendencioziteti. Duket qartë ajo që theksova në fjalën time dhe është neni 16 i Konventës Kuadër, i cili nga goja e kryeministrit provohet se shkelet në mënyrë të vullnetshme: Shtetet palë duhet të frenojnë veten nga marrja e masve, të cilat synojnë tjetërsimin e raporteve të popullsisë në hapësirë ku jetojnë pjesëtarë të minoriteteve kombëtare dhe të cilat synojnë në kufizimin e të drejtave dhe lirive që rrjedhin nga kjo konventë kuadër”-tha nënkryekuvendari.
Fjalët e zotit Dule në pohimin e tij mund të kishin pasur edhe siç tha referenca “në shumë fakte historike”, kur iu drejtua kryeministrit:
“Mund të lexojmë edhe deklaratën që Fan Noli si ambasador i Republikkës së Shqipërisë parashtroi në Lidhjen e Kombeve në vitet ‘20. Mund të përmend vendimin e Gjykatës Permanente të Hagës në vitin 1984, por nuk është as koha as vendi. Dëshiroja të konkludoja duke thënë se krenarë meritojnë jo ata që hartojnë ligje dhe ratifikojnë konventa për demagogji, por ata që i bëjnë pjesë të përditshme të jetës institucionale dhe politike të një vendi”.
Por, pas fjalës së zotit Dule, erdhi reagimi i kryeministrit, në një ngjashmëri të një seance të vitit 1991 kur u replikua mes deputetit të “OMONIA”s Panajot Barka dhe të Partisë Demokratike asokohe, Abdi Baleta për grekët dhe shqiptarët.
Vërejtja e parë e kryeministrit Rama ishte drejtuar deputetit Dule me fjalët: “I dashur Vangjel, unë e kam çmuar gjithmonë inteligjencën tënde, por nuk mund të pranoj që të fyesh timen! Dhe, aq më tepër ta thyesh inteligjencën time duke më cituar çka unë nuk e thashë”!
Mandej, qartësimi i kryeministrit vijoi mbi referimin e deputetit Dule për Konventën Kuadër, pa përmendur cilësimin “etnik”:
“Në Himarë nuk ka shtete “palë”! Himara është si gjithë bashkitë e reja të Republikës së Shqiëprisë. Nuk ka përpjekje për të kufizuar asnjë liri dhe të drejtë të minoritetit grek aty, të cilin ne nuk e njohim sot, e kemi njohur dhe e respektojmë dhe do ta respektojmë gjithmonë”.
Replika e plotë e kryeministrit Edi Rama në seancën plenare:
Edi Rama
I dashur Vangjel, unë e kam çmuar gjithmonë inteligjencën tënde, por nuk mund të pranoj që të fyesh timen!
Dhe, aq më tepër ta thuyesh inteligjencën time duke më cituar çka unë nuk e thashë!
Në Himarë nuk ka shtete “palë”! Himara është si gjithë bashkitë e reja të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka përpjekje për të kufizuar asnjë liri dhe të drejtë të minoritetit grek aty, të cilin ne nuk e njohim sot, e kemi njohur dhe e respektojmë dhe do ta respektojmë gjithmonë.
Logjika që kudo ku ka minoritet nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh administrativë të çon për shembull në idenë se meqënëse ka një minoritet serb në Shkodër, Shkodra nuk duhet të zgjerohet!
Meqënëse ka një minoritet malazez ai duhet të bëhet shkak që të mos zgjerohet territori ku jeton ai minoritet!
Meqë ka minoritet grek në Tiranë dhe Tirana duhet të mbetej aq sa ishte dhe me radhë e me radhë!
Unë e kuptoj që tema është e ndjeshme, sepse e kanë bërë të ndjeshme përpjekjet e vazhdueshme në 20 e kusur vite pa llogaritur përpara luftës, të shumëkujt që ka dashur ta shikojë Himarën, ashtu siç Himara nuk është!
Dhe, meqë përmende edhe origjinën time kur fole. Unë jam shumë krenar që jam një pjesë nga Himara dhe nuk e quaj epërsi që jam shqiptar, por jam shqiptar! (Zoti Rama është nip në familjen Koleka nga e ëma në fshatin Vuno të Himarës. v.j.).
Kjo nuk më bën të ndjej asnjë superioritet ndaj grekëve, por nuk më lejon që të ndjej asnjë inferioritet ndaj grekëve!
Thënë kjo miku im! Unë, sinqerisht dëshiroj që gjërat mes nesh të shkojnë mirë e më mirë si dy vendev fqinjë.
Por, koha kur Shqipëria hezitonte të vendoste për vete, ka marrë fund! Nga ana tjetër Shqipëria sot jep një provë spektakolare se jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me shkelje konventash, por përkundrazi në emër të respektit për të drejtat që kërkon për shqiptarët kudo ata jetojnë, afirmon këtu brenda se si respekton të drejtat e të tjerëve!
Duke krijuar bashkinë e Dropullit, duke krijuar bashkinë e Finiqit, duke krijuar bashkinë e Pustecit ne do të kemi shumë më tepër forcë nesër të kërkojmë shumë më tepër për shqiptarët e Preshevës, shumë më tepër për shqiptarët e Tuzit, shumë më tepër për shqiptarët kudo jetojnë, sepse nuk kërkojmë në mënyrë të njëanshme, por bazuar në vlera që në radhë të parë ne i respektojmë vetë.
E fundit që mendoj është shumë e rëndësishme. Ne duhet të shikojmë mirëqenien e njerëzve dhe në emër të mirëqenies së njerëzve, besoj se kjo reformë shkon tërësisht në drejtimin e duhur.
Në emër të mirëqenies edhe të njerëzve në Himarën që krijohet si bashki e re nga ko reformë.
Jo për të kufizuar në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye minoritetin, por për t’i dhënë mundësi banorëve të Himarës, qofshin shqiptarë, qofshin shtetas me kombësi greke që të jetojnë shumë më mirë dhe që të kenë më shumë mundësi për të zhvilluar ekonominë e tyre familjare dhe për t’i dhënë një shpresë reale fëmijëve të tyre, se Himara apo çdo bashki përtej Tiranës nuk është një vend për t’u braktisur në kërkim të një jete më të mirë, por se është një vend ku mund të ndërtohet dhe ëndërrohet një jetë më e mirë.
Në këtë debat është e qartë se, në cilën anë është folklorri dhe në cilën anë është politika për njerëzit dhe me njerëzit, pa dallim, shqiptarë apo minoritarë.
Pa dallim ne do të punojmë sëbashku besoj për të çuar përpara një transformim, nga i cili do të përfitojnë njerëzit aty dhe dy vendet tona.
Çështjet e mbartura janë çështje që ne duam t’i zgjidhim dhe po punojmë për t’i zgjidhur.
Prandaj me shumë miërsjellje edhe në emër të partisë, të mos kërkosh ngresh çështje që nuk ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.