Qeveri teknike, zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtë!
Epilogu i zgjedhjeve të 11 qershorit, për të mos thënë të pamundur, e vështirëson tej mase krijimin e qeverisë së re. Ngase lidhja e koalicioneve paszgjedhore është aq e vështirë dhe e mundimshme, sa që edhe për ndërkombëtarët do të jetë sfidë e madhe bindja e liderëve të koalicioneve parazgjedhore për lidhjen e një “kurore të re” qeverisëse, shkaku i humbjes së besimit të liderëve në njëri-tjetrin!
Andaj zgjidhja më e mirë dhe më optimale për rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit, do të ishte krijimi i një “qeverie teknike” me kryeministër nga partia më e madhe politike në vend e dalur nga zgjedhjet, në këtë rast Albin Kurti, ndërsa posti i kryeparlamentarit t’i lihet koalicionit më të madh fitues të zgjedhjeve, kurse ndarja e posteve tjera ministrore të bëhet në përputhje me fuqinë politike të secilit subjekt parlamentar.
Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë kohë për të humbur, derisa të dakordohen ish pushtetarët e deridjeshëm për ndarjen e “tortës” paszgjedhore.
Vendi në asnjë rrethanë nuk guxon të mbetët edhe më tutje peng i orekseve të sëmuara pushtetore të askujtë, e aq më pak të kapësve dhe uzurpatorëve të shtetit, të kusarëve politikë që ua zunë frymën gjeneratave të reja për ndryshime dhe reforma në subjektet e tyre politike në këto 18 vjetët e fundit.
Kosova me 11 qershor votoi për një shtet ndryshe nga ky i sotmi.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit janë ndëshkim për të gjitha koalicionet e gjertanishme që ishin në pushtet, e në veqanti për koalicionin e fundit PDK-LDK si dhe të atyre që ju bashkangjiten në koalicionet paszgjedhore, që sollën shtetin e ri të Kosovës buzë greminës.
Për ndëshkimin që i bëri popullata klasës politike që ishte në pushtet, më së miri flasin rreth 50 mijë vota të pavlefshme, të cilat shprehin revoltën qytetare ndaj kapësve dhe uzurpatorëve të shtetit.
Kështu, kësaj radhe në mungesë të një alternative tjetër serioze, populli e zgjodhi VV-në si zgjidhjen më të mirë për ta votuar, duke e shndërruar atë në fituesen më të madhe të këtyre zgjedhjeve, jo vetëm për faktin e nxjerrjes së VV-së, si parti e parë politike në vend, sa për ndëshkimin që iu dha partive të deritanishme në pushtet, duke u shkaktuar humbjen më të madhe dhe më të idhët në historikun e tyre.
Përderisa tashmë dihet fati i partive PDK-LDK, humbesve më të mëdha të këtyre zgjedhjeve, ende mbetet i paqartë fati i dy partive të koalicionit PAN, AAK-së dhe NISMA-s, të cilat ndoshta numerikisht do të ngelen dy subjekte të papërfillshme të skenës politike kosovare shkaku i shkeljes së parimeve dhe deklarimeve të tyre të mëparshme.
Thonë frikacakët dhe qyqarët çdo herë ndëshkohen siq është më së keqi! Kështu i ndodhi kësaj radhe LDK-së, e cila nga frika e hyrjes e vetme në garën zgjedhore, më shumë humbi se sa fitoi nga koalicioni me dy AA!
Kësaj radhe LDK-ja duhet të pajtohet me vendimin e sovranit, për t’iu kthyer vetvetes e jo të bëhet patericë e partive tjera për pak pushtet.
Është momenti i fundit që të lindin alternativa të reja politike, me njerëz të rinjë, nga patriot të devotshëm dhe të pakonsumuar për t’i sjellë vendit një qeverisje të re, të pastër dhe të pakorruptuar.
Ka ardhur çasti i shumpritur për atdhetarët, për njerëzit që e duan me shpirtë e zemër atdheun e tyre, që të formojnë parti të reja, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e dhimbshme 18 vjeqare, për t’i dhënë kahje tjetër ecjes dhe zhvillimit të vendit. Në mënyrë që Republika e Kosovës të ecë me hapa të shpejtë në drejtim të zhvillimit ekonomik, sundimit të rendit dhe ligjit ashtu siq funksionojnë shtetet e zhvilluara dhe demokratike të kohës moderne.
Rritja 100 % e votës së VV-së në këto zgjdhje, është treguesi më i mirë se Kosova në këto vitet e paspavarësisë nuk është qeverisur ashtu siq e kanë pritur qytetarët, prandaj kalkulimet për koalicione të reja paszgjedhore janë të kota dhe të dëmshme për vendin.
Vetëm një qeveri teknike do të ishte zgjidhja më fatlume për Kosovën e ditëve të sotme, për ta nxjerrë vendin nga kriza politike, për ta evituar ngërçin e gjatë dhe vazhdimin e errësirës politike në vendin tonë.
Me qeverinë teknike të shkohet deri në vjesht, për t’iu kthyer edhe një herë sovranit në zgjedhje të përgjithshme (lokale dhe parlamentare), për të ndarë përfundimisht “shapin nga sheqeri”.
Përfundimisht duhet të ndalet ky realitet i hidhur i krijuar në Kosovën e pasluftës, ku asnjëherë vota e qytetarëve nuk e përcaktoj qeverisjen e vendit, por ishin marrëveshjet (pazaret) e natës mes liderëve partiak, duke kontrabanduar votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve, për të qeverisur kundërligjshëm shtetin në kundërshtim me vullnetin e popullit.
Duhet të ndalet me çdo kusht ky mentalitet qeverisës, me politikanë që njohin vetëm paranë e pistë, hilen, mashtrimin dhe gënjeshtrën, shteti nuk do të ecë përpara asnjëherë me maskarada mashtruese dhe mjegulla artificiale për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit.
Në të kundërtën, çdo përpjekje për lidhje të koalicioneve paszgjedhore për vazhdimin e “Status quos”, përveqse do të marrë kohë të gjatë, nuk do të sjellë zgjidhje të qendrushme politike dhe gjë të mirë për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të varfër të Kosovës. Kur jemi në këtë segment të zgjatjes së afateve kohore, mbetët i pajustifikueshme deklarata e kreut të KQZ-së, zonjës Valdete Daka, se; “Komunikimi i rezultatit përfundimtar i zgjedhjeve të 11 qershorit do të ndodhë pas tre javësh”!
Këtë paradoks të KQZ kosovare do ta ilustroj me një shembull të thjeshtë; “Në Itali, për 42 mililion votues, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve bëhet publik brenda 24 orësh, ndërsa në Kosovë për vetëm 700 mijë votues, KQZ-së i duhen hiq më pak se tre javë”, tendencë kjo për manipulim të procesit zgjedhor, gjegjësisht për mbajtjen në pushtet të klasës së korruptuar politike!