Pozita neutrale e Turqisë në luftën ndërkombëtare kundër ISIS, është shkërmoqur sot në zjarrin e luftimeve në kufirin turko-sirian. Një oficer turk u vra dhe dy ushtarë u plagosën në shkëmbimin ndërkufitar të zjarrit.
Media turke raportoi se ISIS hapi zjarri ndaj ushtrisë turke në qytezën e Kilisit duke shkaktuar viktima.
Reporterët e agjencisë së lajmeve Anadolu thanë se ushtria turke u kundërpërgjigj menjëherë duke sulmuar një bazë të ISIS në territorin sirian dhe duke vrarë të paktën një luftëtar.
Përveç tankeve që morën pjesë në luftime, raportimet flasin se Turqia ngriti në ajër edhe gjuajtësit e saj luftarakë F16, të cilët morën pjesë në aksion.
Përplasjet kanë vazhduar ndërsa forcat turke goditën rëndë shënjestra të tjera të ISIS në Siri.
Ushtria turke lëshoi një komunikatë ku njoftoi se 5 ushtarë të ISIS kishin hapur zjarr ndaj ushtarëve, dhe se ushtarët ishin kundërpërgjigjur.
Ushtria konfirmoi edhe viktimat.
Turqia ishte munduar të mbante një pozicion neutral në luftën e aleancës së armatosur kundër ISIS.
Gjatë rrethimit nga ISIS të qytezës kurde të Kobanes në Siri gjatë vitit 2014, shumë pranë kufirit turk, në disa raste u raportua se xhihadistët kryen sulme ndaj mbrojtësve të qytezës duke kaluar përmes territorit turk.
Mediet ndërkombëtare pasqyruan pamje të ushtarëve turq që u flisnin luftëtarëve të ISIS duke u kërkuar të mos qëndronin shumë pranë kufirit me Turqinë, por pa ndërmarrë asnjë veprim luftarak ndaj tyre.
Më herët këtë muaj, një sulm kamikaz vrau dhjetëra persona dhe plagosi mbi 100 të tjerë në qytetin turk Suruçitpranë kufirit me Sirinë, për të cilin autoritetet fajësuan “Kalifatin”.
Qindra të rinj qëndronin aty për të ndihmuar në rindërtimin e qytezës siriane, Kobane, të shkatërruar gjatë luftimeve mes forcave kurde dhe luftëtarëve të ISIS.
Kamikazi ishte një 18-vjeçar.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/