NJË MOISI I PAFAT… Nga Simon Vrusho

NJË MOISI I PAFAT…

Moisi Baballëku… Një nga ato talente që u gëlltit nga ingjiret e shumta e të pafundme të provincës…
-Me profil Aleksandër Moisiu, ky ishte Moisi Baballëku!… – Me pak fjalë, kështu e vizatojnë të gjithë, por ky ka qenë Një Moisi i Pafat…
Mjerisht, atij që ka tronditur skenat në Berat për gati çerek shekulli, sot nuk i gjendet dot asnjë foto nga rolet në skenë… E hoqën nga skena, i hoqën dhe fotografitë, por nga memoriet nuk e hoqën dot kurrë memurët…

* * *
Dhimitër Dushi, artist i mirënjohur, tenor i shquar, e kujton Moisi Babllëkun nga viti 1979, kur vajza e Moisiut, Ludmilla, regjistrohej për kanto në shkollën artistike, madje ajo ka qenë nga të parat që ka marrë diplomën e parë në vitin 1982. Vajzën Ludmilla Moisiu e shoqëronte në çdo koncert… Kur këndonte ajo, atij i mbusheshin sytë… me dritë… Përkujdesja ndaj saj vinte nga dy prindër të përkushtuar: Babai, Moisiu dhe nëna, Nurie, infermiere në spital…
Nikolla Ikonomi: “ E kam njohur Moisinë që nga viti ’56, nxënës në vitin e tretë pedagogjike, kur më kishin aktivizuar si kitarist në orkestrën e Estradës Amatore, në Shtëpinë e Kulturës, Berat. Për talentin e Moisiut flitej gjithandej, flitej shumë dhe nga të gjithë. Dyshja Novruz-Moisi ishte epiqendra e estradës… I shumëpritur nga të gjithë, i shumëduartrokitur, po nga të gjithë… Drejtor i trupës teatrore dhe regjisor që pas vitit ’45 dhe në vitet ’50-të. ‘”
Çlirim Mukli: “Moisi me humor, i fismë, fin, por edhe i rezervuar, timid… Të vinte e qeshura pas një ore… Nuk e lanë gjatë në estradën e Beratit, kur regjisor ishte Viktor Stratobërdha… E hoqën, e çuan në ullishte, të prashiste ullinjtë, me kazmë, me shatë… Doemos, prozhektori i humorit e të satirës së tij, do të shuhej… Nuria, e shoqja, grua fisnike…”
Kujtim Babunja: “ Portreti i Moisi Baballëkut? Si ta përshkruash? Mimika, zëri, shikimi, intonacioni, timbri, sharmi, indi, fibra e një fytyre të endur me fisnikëri….”
Shpresa Toro Baballëku: ”Lutfia, hebreje, por grua kapedane… U rrit tek Shehët… Emrin e ka pasur Marie apo Dhora, apo Deborah?! Jam 84 tani, edhe lajthis… I vuri emrin Moisi djalit të kunatës dhe e rriti si djalin e saj. Me nënën natyrale të Moisiut, Hafizenë, zonjë grua nga Usoja, kalonin si dy motra… Kishte njerëz të saj, motra, vëllezër, në Amerikë. I ka takuar pasardhësit e tyre Ludmilla…”
Ludmilla Baballëku, këngëtarja e mirënjohur, flet nga Nju Jorku: “Jam krenare për ata që më rritën, më edukuan e, në sajë të tyre, jam ajo që jam sot.”

* * *
NJË HEBREJE, MARIE-LUTFIE BABALLËKU, SJELL NJË MOISI NË BERAT NË VITIN 1922!…
Skeda e saj:
Lindur më 06 shtator 1883 në një familje hebreje në Lagjen Kala, Janinë
Me emër të ndërruar babai në Abdulla.
Me emër të ndërruar nëne në Hava.
Gjuha që dinte nga vendlindja: greqisht.
Ardhur në Berat, për shkak të rrethanve dramatike familjare.
Rritur tek Hasan Shehu.
Martuar me Ramadan Baballëkun.
E ve që prej vititi 1945.
Vdekur 26 maj 1965 në lagjen “28 Nëntori”, Berat.

* * *
Fqinje, komshie në lagjen “28 Nëntori” Berat, për gati 10 vjet, 10 vjetët e fundit, me Marie Gjanin (nga fisi Dhima në Korçë, ishin 4 motra, të katra mësuse.), me të cilën pinin bashkë kafe e ndanin biseda, edhe libra, lexime, rrëfime, histori, ngjarje, flisnin shqip, por ndonjëherë edhe greqisht, sepse Marie (Dhima) Gjani kishte kryer shkollën e mesme femërore në Korçë në fund shekullin XIX, fillimshekullin XX, kurse Marie-Lutfia fliste greqishten e Kalasë së Janinës. Marie-Lutfia pëlqente edhe rrëfimet biblike…
Ing. Isa Feçi: “Familja e Moisiut ishte ndër familjet më të afërta të familjes sime në Berat. Lutfija me gjyshen time vinin nga i njëjti vend, e njëjta hapësirë dhe ishin shoqe fëminie. E ruajtën miqësinë deri në fund të jetës. Moisiu me të shoqen, Nurien, ishin dy njerëz të përkryer dhe shumë të dashur. Shpesh babai me tregonte histori të Moisiut dhe pjesë nga humori tij brilant. Kur e bija e Moisiut, Ludi, ishte e vogël, shpesh herë Nurija e sillte në shtëpinë tonë dhe e linte në shoqërinë e motrave të mia. Me Ludin të gjithë fëmijët i ruajmë relatat miqësore.”
* * *
Djalin e kunatit, (lindur më 18 dhjetor 1922-1995), e pagëzoi Maria-Lutfie me emrin biblik Moisi.

Ajo që la emrin e saj rrugës, emrin e profetit të vet e mbajti gjithmonë me vete…