.NJË AED NË BERAT… Nga Simon Vrusho

.NJË AED NË BERAT…

-Një këngëtar i verbër, këngëtar ambulant, 77 vjeçari Rauf Karamelo-
I
Atij nuk i pushon goja: në rrugë, në lulishte, në kafene, në shtëpi, në takime me të tjerë apo në takime vetmie me vetveten… Nuk i pushon goja, qoftë mëngjes, qoftë mbrëmje, qoftë mesditë, qoftë mesnatë… Shkurt: në çdo vend, në çdo kohë… Shprazet melodisht me një repertor të pasur, të largët duke nisur nga Çanak Kalaja deri në mes të pazarit, në mes të Tiranës, në një këngë për Rrem Demnerin që në dyqanet me xhama e njeh gjithë Tirana, se i thonë edhe Rrem Tirana. Rrem Demneri vjen me armë në dorë… për të vjen aty me urgjencë edhe vetë majori me makina, duke iu thënë të tijve, madje kapter Selimit “Mos luaj me Rremën, se është babë 7 fëmijësh!”

Dhe, ja dasma:
Ditë enjte, dy sahati,
Po bën pushkë Rrem Kasapi!
……………………………………….
-Mos m’qaj, e zeza gru,
Nuk jam vrarë, jam plagu!
Mu ke çesma, mu ke rrapi,
Qita dhjeçen, po s’ia zhgrapsi!
Më qaf’ më paç dhjeçe e shkretë,
Mos qe Lami, m’shtin’ n’dhetë!
Turistët e dëgjojnë, e duartrokasin, e fotografojnë… Beratasit e urojnë, e gostisin që edhe të ketë intervale pushimi, edhe t’i njomet goja.
II
ÇANAK KALAJA E RAUFIT
Çanak Kalaja rrethuar me zinxhirë,
Aty rri sulltani, rri e bën sehir.
O Çanak Kalaja, o medet, medet,
O Çanak Kalaja, bofshi selamet!
Çanak Kalaja ka nj’ selvi të gjatë,
Aty rri sulltani, rri e gjen rehat…
III
Rauf Karamelo edhe ka kënduar shumë, 54 vjet që nuk ndahet nga kënga, por edhe ka punuar shumë: që 10 vjeç ndihmës kovaç, pastaj punëtor në komunale, pastaj ushtrinë, pastaj fshirës xhamash tek kombinati i tekstileve, të pastroje xhamet e larta të kombinatit, i palidhur, por i varur duke vënë një këmbë mbi kabllin elektrik dhe këmbën tjetër tek tubi i ftohtë, i akullt dhe orari i tij ishte jashtë orarit. Edhe kur fshinte neonet e larta të reparteve, me një shkop 10 metrosh, ku lidhte fshesën me pambukë… Dhe në orkestra, në dasma, sebepe, gëzime, duke i rënë klarinetës… Këngë e muzikë pa fund… Lumë… Edhe paguhej, fitonte, por siç i merrte në gëzime, po me gëzim i shpërndante tek motrat, njëra kishte 9 fëmijë, tjetra 7, vëllai 4, 4 ishin të tijtë, pra 24 fëmijë ushqeheshin nga zëri i Raufit… Hamdi Çavolli e përfshiu tek banda e Beratit me klarinetë.

IV

Copëza nga këngët:
Se robi kurrë s’e ka mendue,
Se vjen prapa një pleqni….
……………………………………………….
Më shkoi rruga nga përroi….
……………………………………………….
O baba, o mjekërr kërçupe,
Pse s’e marton-o këtë çupe?
-Ta martoj, po s’kam takate!
-Jep 7 gjymat-e me kapake!
Jep 7 gjymat me kapak !
2 sepetet me varak !
Kush t’i shoh, t’bahet merak!
………………………………………………..
Ra dëbora, mbuloi çatinë,
Burri im harroi shtëpinë!
…………………………………………………
Qelepir, o gjeç belanë,
Vrave hoxhën me Zyranë!

Qelepir, o i pabesë,
Vrave hoxhën në avdes!

Dhe histori e këngë për çengijet (valltare, këngëtare të Bregut, me një bukuri e sharm marramendës valltaret e famshme të Bregut, artiste popullore, qytetare, ku kostumi i secilës, kostume, fustane mëndafshi mbartte si dekoracion 7 kg flori (!) me një mentalitet që më shumë se shekujt e kaluar, të kujtojnë artistet e Hollivudit sot.
V
Jemi tek klubi i Nikos, lagjia “Jani Vruho”. Aedin tonë, Rauf karamelo e shoqëron Bardhyl Rubani, 70 vjeç, bashkëlagjas i Bregut me Raufin, nip i të famshit Jaup Kula… Ai mendon, përforcuar ky mendim edhe nga një bisedë me eruditin Vexhi Buharaja, se të parët e tij, rreth 1000 vjet më parë u larguan nga Persia, Irani, në një kohë kataklizmike… Ata përshkuan Azinë, Lindjen e Mesme, Jordaninë, Sirinë, Anadollin, Kretën dhe u futën në Iliri, në atë pjesë që sot njihet si Ballkan, fillimisht në Dardani, pastaj zbritën në brendësi…

Nga triptiku (“Rrëfej, rrëfenja, rrëfime”)