Në gjunjë, o botë vrastare!… Nga Namik Selmani

Në gjunjë, o botë vrastare!

Sonte dua ta kap për fyti me litarë ligësinë e botës
Atë trimoshen, llafazanen, atë që të zë rrugën me gurë
Atë drizanen që të sjell borën dhe në mes të odës
Atë që kërkon të të verbojë dhe në gjumë

Sonte
Dua që ta vë në gijotinë Botën e egër, të errët
At që të shuan semaforët e blertë me të frikshmet sirena
Që të ngrin këngën pa e nisur në buzën e rreshkët
Që të vret nje dashuri të re që ia do zemra

Sonte
Dua që t’ia heq kallajin kësaj bote kaq të shtirur
Me thonj, me dhëmbë me mijëra vargje e fjalë
Se boll na kanë vjedhur diellin që e kanë lënë dhe pa lindur
Se boll na e kanë vjedhur dritën e hënës drapërartë

Sonte
Dua ta mund këtë botë me zemrën si shatërvan mirësie
Me zemrën që buron rreze drite engjëllore që më ka lumturuar
Në gjunjë , o botë, kudo që ti hedh shigjeta ligësie
Në gjunjë, të them se sot jam vetë fitimtarja kurorë kristaluar

Ah sonteee, në këtë mbrëmje marsi
Më erdhi ligësia
Po sërish nga dera e mundur doli