Qyteti i pazakontë, Berati ku arkitektura, historia, kultura, shkojnë përkrah të gjitha sëbashku, vazhdon të mbetet muza e mjeshtrave të artit pamor shqiptar me gjithë eksperiencat e gjata artistike ndër vite. Artistët më të mirë të artit të pikturës kanë ekspozuar dje në Beratin muze disa prej veprave të tyre, të krijuara ditët e fundit në këtë qytet, të cilin jo vetëm që e duan shumë, por e kanë burim frymëzimi dhe pse e kanë sjell në pikturat e tyre shumë herë, sërisht në Berat ndihen si për herë të parë.
Artistët peisazhist të Grupit të Plein Air-it, Kujtim Buza, Buron Kaceli, Agron Dine, Nikolin Ivanaj, Vangjo Vasili, Agim Kadillari, Pashk Pervathi, Xhenet Kadillari e Agron Polovina sollën dje për publikun beratas një ekspozitë larg ceremonive zyrtare. Ata ekspozuan në shëtitoren e qytetit, pas disa ditësh qëndrimi në Berat e Skrapar, ku krijuan disa nga veprat e tyre, të cilat jo prezantuan publikut beratas.
Për piktoren e njohur Xhenet Kadillari kthimi në Berat është magji më vete, pasi ka peisazhe të papërsëritshme që çdo piktorë do të donte ti hidhte në pikturat e tij. “Ne vijmë me shumë dëshirë dhe me kënaqësi të madhe në Berat sepse jo vetëm që kemi miqë të dashur dhe të respektuar, por sepse vetë qyteti është nje vepër arti më vete dhe këtë jo se po e them unë, por është vërtetuar ndër vit. Qyteti ne na ngroh sepse ka këndvështrime shumë poetike, të këndshme dhe përherë zbulojmë gjëra të reja, sepse e them me bindje që pas këtyre ditëve do të vij sërishtë padiskutim dhe me dëshirë të madhe, sepse nuk ngopem me peisazhet që ka Berati, tha ajo. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit kam fokusuar lagjen “Mangalem” natën sepse e kisha me shumë dëshirë, kishën e vogël mbi këtë lagje, pasi e kisha si piksynim që kur erdha dhe Urën e Kasabashit që është në Skrapar. Njeriu pikturon ashtu siç dhe e ndihen dhe gjithë artistët që kanë ardhur këtu kanë ato veçantitë e veta, këndvështrimin e tyre. Piktura nuk është thjeshtë një aparat fotografik që bën numërimin e dritareve, portave, por është një gjendje shpirtërore që reflekton në pikturat sot këtu, u shpreh ajo. Po ti vësh re veprat duket se ngjajnë me njëra tjetrën, por e veçanta është se çdo artist zgjedh ato që dëshiron vetë dhe që i bën më shumë përshtypje. Berati është qytet që ka vend për të gjithë, nuk është i kufizuar për artistët e mirfilltë apo amator, por gjithë se cili jep kontributin e vetë për vlerat artistike që të ngelin edhe për brezat e ardhshëm. Është për tu vlerësuar që në Berat qytetarët e kanë kuptuar mirë që vlerat duhen ruajtur duke mos ju ndryshuar fizionominë në çdo ndërhyrje që bëjnë”, tha Kadillari.
Kujtim Buza, mjeshtri i njohur shqiptar i pikturës e kujton mirë vitin e largët kur për herë të parë ka ardhur në Berat për të pikturuar, por nuk mban mend se sa herë e ka fokurusar qytetin në pikturat e tij, të cilin ende e dashuron si ditën e parë. “Beratin kam filluar që ta pikturoj që në vitin 1953. Atëherë kam ardhur me shokun tim Hasan Nallbani, një piktor i shquar i Beratit, sëbashku me Dhimitër Budën, Sotir Capon, Vangjel Papën, në ato vite qyteti ka pasur disa krijues artist. Unë vazhdova më tutje në vite të pikturoj Beratin dhe ja ku jemi sërisht sepse çdo piktor ka pengjet e veta. Berati, qytet muze, Berati me histori, me ndërtime të jashtëzakonshme, të lidhura si një karvan njëra pranë tjetrës, ngacmues për një artist, tha ai. Unë shkova deri në Drobonik për të parë Tomorrin, e kam pikturuar malin nga tre katër krahë, i jam rrotulluar si një mullar dhe e kam pikturuar nga të gjitha anët. Kemi bërë nga tre katër punë këto ditë në Berat, kthehemi të kënaqur, të lumtur për ajrin e pasur që morën nga malet, por dhe për frymëzimin dhe ngacmimin piktoresk të këtij qyteti. Është gjithmonë kënaqësi të ekspozosh në Berat sepse beratasit janë artdashës, janë njerëz fjalë ëmbël dhe janë njerëz që e duan artin”, tha Buza
Ndërsa, artistin tjetër po kaq të njohur Buron Kaceli me Beratin e lidh edhe fakti që ka punuar për shumë kohë si restaurator dhe kthimi është po kaq emocionues si më parë. “Nuk është hera e parë që vijmë në Berat. Unë kam qënë herët në këtë qytet sepse kam punuar me restaurimin e monumenteve të kulturës, por dhe më pas e kam vizituar shpesh, e kam pikturuar shpesh dhe vijm me kënaqësi sepse çdo herë i shtoj diçka të re krijimtarisë time nga bukuritë që ka ky qytet, vlera të padiskutueshme. Gjatë këtyre ditëve qëndrimi kan krijuar dy peisazhe dhe një portret. Sot në darkë do të punoj sërisht sepse kam dëshirë që të bëj një “Mangalem” natën sepse nuk e kam në atelienë time dhe dëshiroj që ta kem”, tha ai.
E.A