LULET NË LIVADHIN E JETËS
Dashuria ta dha fytyrëskuqjen e pafajshme të Evës
Në cilin planet
Ishte fshehur kur më shtizove gjer në Qiellin e Tetë?
Oo,
Në cilin shteg ta dëgjova këngën tënde të zemrës?
Në cilën ditë
Lahuta, fyelli, violina bënin për ne orkestër gjer tek retë?
Mikja ime,
Në cilin cep të diellit ishte fshehur fytyra e zemra jote?
Më e bukur
Se Hirushja e Përrallës që gjyshja ma pat treguar.
Ti
Ishe dhe mbete kudo me mua si princeshë hirplote
E bëheshe
Një vajzë agimi, një nuze pragu a një gjyshe e lumturuar.
Bashkë
I vumë notat në Pentagramin e këngës së ngrohtë
E premë
Shiritat e përurimit si në një ekspozitës tërë jetë
Të kujtohet
Dita kur shtrënguam butësisht pëllëmbën e dorës
E mos më thuaj
Se kur do të vijë Dita e Muzgut të zbehtë.
Kostarët për ne kositën
barin për ta pirë qumështin më të freskët
Bletarët
vunë në radhë bletët për mjaltin e pashijuar
Pendarët
Shkuan këmbëzbathur pas brazdës në ugarin e thellë.
Avionët
u ulën në gjunjë për të na marrë si kuajt e shaluar.
Bashkë kënduam
Himnin e agimeve ku urimi rizgjohet
Bashkë
E gjetëm saktësisht ilaçin ne Farmacinë e Lumturisë
E pyes sërish
Ku do ta varim çengelin e ditës së nesërme, o bukuroshe?
Ja këtu,
Ky sytë nuk kanë pikuar Lotin e Humbjes asnjë ditë.
Rrudhat Sot na duken si brazda ku rihidhet fara
Ku fëmijët
Do prekin gjyshërimin e tyre plot lumturi.
Mos më pyet,
Për Livadhin ku thurëm kurorën me fjalë të arta
Po pyetmë Për ëndrrën më të re që riçel si trëndafil.