KUJTIM FËMIJËRIE
Gjer në Borsh, për në mulli
Rruga ngjitet, pastaj zbret,
Edhe mali kish uri,
Edhe malit i vin et.
Përmbi gurët kurizmurmë
Nget kjo vegjëlia ime,
Dhe opinga nuk le gjurmë
Nëpër rrahe e shkarëzime.
Veç pak miser mbart mbi sup
Dhe një dhëmbje përmbi ballë,
“Shko,-tha nëna,- se kam turp,
Nesër fshati do më tallë.
Kur mbërrita te mulliri,
Ç’të zigjaste mullixhiu!?
Diçka ndjeu brenda gjirit,
Dora përmbi strajcë i ngriu.
Në mes gishtash çkërmoq kokrat,
Një ofshamë heq pastaj:
“Bir, kaq miser e mbajnë mokrat,
Ç’të të jap e ç’të të mbaj!?”
Ca më pas më la në duar
Strajcën mbushur miell plot,
Shumë mote kanë shkuar
Dhe të dua s’e harroj dot…

