Konferencë për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç:
Falenderoj Kryeministrin Vuçiç për këtë vizitë dhe shpreh qysh në fillim bindjen se këto 24 orë që ai do të qëndrojë në Tiranë, do të jenë për të një shtysë që të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë.
Uroj, po ashtu, që mbresat pozitive të vizitës së tij, 24 orëshe në Shqipëri, ta nxisin kolegun serb që në kthim të inkurajojë bashkëqytetarët e tij ta vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë verës, ku përfitoj nga rasti i pranisë së mediave serbe, t’i siguroj se do gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikpritjen më pozitivisht befasuese.
Kryeministri Vuçiç është në Tiranë për një vizitë dypalëshe, ashtu siç ishim dakordësuar më parë. Njëkohësisht ai është këtu, për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Viena Economik Forum, në kuadrin e përfundimit të mandatit të presidencës shqiptare të SEECP.
Për arsye të punimeve që po bëhen në katin e parë të ndërtesës së Kryeministrisë, i cili po transformohet në një mjedis që së shpejti do të jetë i hapur për publikun, ne e organizuam në këtë pallat, ceremonialin e pritjes së kolegut serb.
Kryeministri Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që mikëpritet në Tiranë me të gjitha nderimet protokollare.
Kështu, sot, në harkun e gjashtë muajve, ne kryem këmbimin e parë të vizitave në rang kryeministrash, mes Tiranës dhe Beogradit, pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona. Për ne, ky fakt është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet tona më pranë njëri-tjetrit, pavarësisht se jemi ende larg së qenit dakord për gjithçka.
Por, ky fakt është dhe shenjë e vetëdijes dhe bindjes së përbashkët, se sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike, që ta kthejnë paqen e meziarritur në këtë rajon në një paqe që ja vlen të jetohet.
Unë besoj se ne, shqiptarët dhe serbët kemi sot mundësinë të bëjmë për të mirën tonë dhe të njëri- tjetrit dhe të rajonit tonë, atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten dhe për Europën, pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti ynë, i qeverisë shqiptare, është i palëkundur në mbështetje të synimit tonë të shpallur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufij ku mes shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, që nga barrierat historike tek barrierat ekonomike, tregtare, shoqërore e kulturore, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot ta projektojmë së bashku të ardhmen. Për ta projektuar të ardhmen, jo thjesht politikisht si një destinacion të përbashkët, në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, por konkretisht përmes hartimit bashkërisht dhe mbështetjes së përbashkët të projekteve në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim, kulturë.
Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekjen për të rritur ekonominë tonë dhe shumëfishuar energjinë pozitive, që kaq shumë i duhet popujve tanë, në këtë kohë mundësish të mëdha dhe njëkohësisht sfidash të rënda për secilin prej nesh, ashtu si dhe për të gjithë sëbashku. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur suksesin që duam për kombet dhe vendet tona, në këtë rajon ku jetojmë kaq të ndërlidhur në fatet tona.
Fatet e vendeve të Ballkanit janë kaq të ndërvarura sa është e pamundur të imagjinohet që njëri mund të shkojë shumë përpara, teksa tjetri mbetet prapa, apo ndërkohë që një i tretë ngec në rrugë, për një arsye a një tjetër, e cila në një mënyrë a një tjetër lidhet me njërin ose me tjetrin apo me të dy bashkë. Sepse ne të gjithë jetojmë me një pjesë të tjetrit, edhe kur me tjetrin jemi të ndarë. Kjo duhet të na motivojë të gjithëve që, drejtimin e duhur për veten ta shohim të pandarë nga drejtimi i duhur për tjetrin dhe duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian, të bëjmë me tjetrin dhe për tjetrin, as më shumë e as më pak, se çfarë pretendojmë që tjetri të bëjë me ne dhe për ne.
Kurajo që Franca dhe Gjermania patën për të ecur sëbashku pas luftës së Dytë Botërore, duke kapërcyer lumenj të tërë gjaku që rridhnin prej shtresave të historisë së një dasie tejet të egër, duhet të na frymëzojë për ta kthyer këtë kohë të panjohur paqeje mes nesh në fazën historike të ndërtimit të themeleve të një bashkëjetesë të qëndrueshme në paqe e harmoni ndëretnike, ndërfetare e ndërshtetërore.
Historia e dasisë mes shqiptarëve dhe serbëve është e atillë që e bën sot sfidën e paqes së qëndrueshme mes nesh një përgjegjësi të përbashkët, edhe ndaj fatit të së nesërmes të rajonit si i tërë. Fakti që edhe një top futbolli rrezikoi të na rrokulliste në pikën zero, ishte mjaft domethënës për brishtësinë e kësaj kohe të re paqeje dhe për peshën e rëndë të sfidës, që përbën kthimi i saj në një fazë të re bashkëjetese dhe bashkëveprimi mes nesh.
E vërteta se aty ku ka një vullnet të përbashkët ka me patjetër edhe një rrugë të përbashkët, është një e vërtetë që vlen edhe për ne, shqiptarët dhe serbët, pavarësisht se ka ende mes nesh një mosdakordësi sa një mal lidhur me çështjen e Kosovës. Sidoqoftë, kjo mosdakordësi nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që për ne është prologu kurajoz i çeljes së një kapitulli të ri, jo vetëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe në historinë e përbashkët të rajonit.
Sepse, pa hapjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës procesi i çelur në Berlin për bashkëpunimin rajonal në rrugën e integrimit Europian, nën lidershipin e Kancelares Merkel dhe të Gjermanisë mike nuk do të kishte qenë sot i mundur. Ashtu siç nuk do të kishte qenë sot e mundur që ne, Shqipëria dhe Serbia, të kishim hyrë në rrugën e bashkëpunimit konkret, për të realizuar projekte të përbashkëta për rrjetet e integruara infrastrukturore dhe energjetike, apo dhe jo më pak e rëndësishme për bashkëpunimin rinor, nën shembullin frymëzues të Francës dhe Gjermanisë së pasluftës.
Kam kënaqësinë, sot, të rikonfirmoj vullnetin e plotë të palës serbe dhe Kryeministrit Vuçiç, për të jetësuar plotësisht Marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave të të rinjve, çka dakordësuam në parim në takimin e shkuar në Beograd dhe unë pata rastin t’ia përcjell, që të nesërmen shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata presin më shumë nga qeveria e Serbisë dhe Kryeministri Vuçiç, në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar plotësisht shtetin dhe institucionet e Serbisë.
Ashtu sikundër, ne këtu në Shqipëri presim që shqiptarëve të jugut të Serbisë t’ju rezervohet po ai trajtim dinjitoz që u rezervohet serbëve të Veriut të Kosovës. Dialogu Serbi-Kosovë, të cilin Shqipëria e mbështetet qysh në krye të herës, duke përshëndetur kurajën dhe vullnetin për të ecur përpara të lidershipit të të dyja palëve, duhet të përparojë paralelisht me zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara. Sepse, nuk është në interesin e askujt që ai dialog jetik për ardhmërinë e rajonit të mbetet një histori europiane suksesi në letër. Prandaj dhe jetësimi i përfshirjes së plotë të Kosovës në iniciativat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare, sipas parimeve të gjithëpërfshirjes dhe në përputhje me angazhimet e marra nga të dyja palët për të mos e penguar këtë proces, është një domosdoshmëri. Jo, thjesht për produktivitetin e dialogut, por për forcimin aq shumë të nevojshëm të besimit reciprok, të qëndrueshmërisë së paqes ende të brishtë dhe të urave ende të dobëta të bashkëpunimit në rajon.
Ngjarja tragjike në Kumanovë vërtetoi edhe një herë brishtësinë e kësaj paqeje kaq shumë dhe për kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan dhe për Ballkanin. Ky është rasti për të theksuar se Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të sajin dhe të shqiptarëve në Maqedoni, po njësoj të të gjithë rajonit dhe të vetë Europës, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të Maqedonisë.
Qoftë ideja e cenimit të integritetit të shtetit maqedonas, qoftë mosfunksionimi i demokracisë në Maqedoni janë të papranueshme për ne.
Ne duam një Maqedoni të qëndrueshme, demokratike dhe padiskutim, një Maqedoni ku Marrëveshja e Ohrit të respektohet në frymë dhe të zbatohet në germë, për të siguruar bashkëjetesën e dëshiruar nga të gjithë, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy faktorë të patjetërsueshëm shtetformues për Maqedoninë.
Ne jemi vendosmërisht kundër çdo forme shfaqjeje të ksenofobisë dhe të dasisë ndëretnike. Sot dua të theksoj fort se të gjitha vendet në rajon dhe përtej duhet të distancohen nga thirrje dhe qëndrime që nxisin shfaqe të tilla në hapësirën maqedonase apo ballkanike në tërësi.
Këto shfaqe i takojnë një Ballkani që për ne i përket të shkuarës. Thirrje të kësaj natyre nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin, misionin dhe përpjekjen tonë, sot, për Ballkanin e të nesërmes. Ne e dimë fort mirë, që paqja mes nesh buron nga ëndrra europiane e secilit prej popujve tanë. Popujt tanë e dinë fort mirë se sado e luhatur duket sot Europa, përballë sfidave dhe kërcënimeve me të cilat përballet, nga jashtë dhe nga brenda saj, po ashtu, Bashkimi Europian është e vetmja hapësirë ku liritë dhe të drejtat njerëzore të popujve dhe njerëzve tanë mund të jenë përfundimisht të shpëtuara nga kërcënimet antidemokratike nga brenda dhe jashtë nesh, po ashtu.
Prandaj e sotmja e Ballkanit është Europa, e nesërmja e Ballkanit është Bashkimi Europian. Për të gjithë ne ka veç një rrugë të mundshme; Kjo është rruga e bashkimit të fuqive tona për t’i rilindur vendet tona dhe gjithë rajonin përmes jetësimit të ëndrrës europiane të popujve tanë, duke punuar me përkushtim dhe shumë durim me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, duke forcuar demokracinë në vendet tona dhe ndërveprimin mes nesh për demokratizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, duke u bërë bashkë për të mbrojtur nga çdo lloj kërcënimi gjeopolitik, që shfaqet nga palë të treta jashtë Europës dhe po njësoj, nga çdo lloj kërcënimi terrorist dhe ekstremist, paqen e mezi arritur mes nesh. Këto kërcënime të ndryshme në origjinë apo në metodë, por të ngjashme në synimin për të nxitur tensione dhe konflikte në një rajon që sapo ka kthyer sytë, i bashkuar, nga e ardhmja, pasi ka dalë nga një histori e pafundme tensionesh dhe konfliktesh, janë të patolerueshme.
Nëse për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës me të drejtë thuhet sot, se janë boshti i qëndrueshmërisë së Bashkimit Europian, nuk do të ishte besoj mungesë modestie që shqiptarët dhe serbët, sëbashku të synojnë në suazën e Ballkanit t’i kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një dëshmi të ngjashme të faktit se nga histori të përgjakshme luftërash mund të lindë shembulli i një suksesi të përbashkët paqeje.
Kjo është koha që shqiptarët dhe serbët të tregojnë përfundimisht se jo vetëm fqinjësia e mirë, por edhe ndërveprimi aktiv në interes të përbashkët mes fqinjëve janë jo vetëm themeli i paqes, por edhe fuqia e vërtetë e përfshirjes së plotë të vendeve të rajonit tonë në historinë e përbashkët të zhvillimit ekonomik dhe social të Europës së Bashkuar.
Unë e shoh këtë vizitë dhe kryerjen e këtij këmbimi të parë vizitash në nivelin më të lartë si shenjë të ndërlidhjes me këto aspirata. Ndaj i mbetem edhe një herë falenderues Kryeministrit Vuçiç për vizitën në Tiranë dhe duke i kaluar përzemërsisht fjalën, uroj intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe kthimin e marrëdhënies mes shqiptarëve dhe serbëve në një shenjë të fortë dalluese të kohës së re në Ballkan.
Sipas faqes zyrtare të Kryeministrisë…