Krimet serbe ndaj studiuesve te albanologjise ne shekuj. Vrasja e dr. Milan Shuflaj ne Zagreb. Nga A Pllumaj

Më 1913 dhe më 1918, Akademia e Shkencave e Austrisë botoi në Vjenë dy vëllimet e para të korpusit të mirënjohur „Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“, (Dëshmi dhe dokumente të ilustruara për Shqipërinë deri në mesjetë”.) Kjo vepër, që u përgatit nën drejtimin e dijetarit të shquar kroat dr. Milan Shuflaj (Emillianus von Sufflay) në bashkëpunim edhe me dy studiues të tjerë ballkanistë, Ludovík Taloçin dhe Kostantin Jireçekun, më shpesh është njohur dhe cituar shkurtimisht si “Acta Albaniae” ose “Acta et diplomata”.

Burimologjia për historinë e Shqipërisë do të kishte një zbraztësirë të pandreqshme pa “Acta Albaniae…”. Në këtë vepër janë identifikuar referenca të dokumentuara për një periudhë disa shekullore në vazhdimësi, që zakonisht njihet si “periudha arbërore”; periudha e afirmimit të fisnikërisë shqiptare, periudha e heraldikës dhe e statuteve të qyteteve kryesore të Shqipërisë, të gjitha këto, dëshmi të dorës së parë edhe të ndikimit të epokës madhështore të Rilindjes evropian edhe të ideologjisë së saj humaniste edhe në këtë anë të Adriatikut.

Gjatë përgatitjeve për këtë rishtypje, në arkivat e Shqipërisë u gjet, gjithashtu, një tjetër dokument i rëndësishëm, në të cilin shprehej vullneti i parashkruar, i Milan Shuflajt, në formën e një testamenti, për t’ia trashëguar shtetit shqiptare të drejtën e autorit për disa prej veprave më të rëndësishme të tij. Ky testament, po aq sa fisnikërinë e dijetarit, dëshmon e paralajmëron se në brendësi ai rronte me idenë e rrezikut. Një ditë para atentatit, Shuflaj sapo kishte bërë një fletë-porosi për kopje dokumentesh në arkivin e Dubrovnikut, dokumente që, sipas krahasimit me regestin, rezultojnë se janë të zgjedhura pikërisht për plotësimin e lëndës për vëllimin e tretë të ”Acta Albaniae”.

Dijetari i madh M.Shuflay, me hulumtimet dhe botimet e veta, tentoi dhe arriti ta diskualifikojë shkencën albanologjike serbe, për destruktivitetin dhe refuzimin patologjik të botës shqiptare, deri sa ata në shkallë të egërsimit çuan dorë edhe në vetë autorin. Po t’ u referohemi datave të botimit të parë të këtyre vëllimeve,del të mos jetë vetëm koincidencë përputhja me vitet e copëtimeve, të barbarive e të tragjedive që pësuan shqiptarët në ato vite, kryesisht nga fqinjët. Tek Shuflaj fitoi kulti i të vërtetës mbi kultin e popullit të pretenduar si i zgjedhur për të sunduar të tjerët.

Në mbrëmjen e 18 shkurtit të vitit 1931, aty rreth orës 20.15 minuta, në rrugën Dalmatinska nr. 6 (në Zagreb), Milan Shuflaj goditet për vdekje. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata deklaruan që kishin marrë urdhër nga Beogradi për të likuiduar dr. Shuflaj-n.

Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave, si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skëndo, Faik Konica, si dhe Ligue Internationale des Droits des L’Homme, Federation Universitaire Internationale. Kështu, me vdekjen e Shuflaj-t, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.

Ps: As sot mbas nji shekulli këto vepra nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe!