KJO ËSHTË VETËVRASJA JONË KOMBËTARE, NË KOHË PAQE! Nga Sulejman Abazi

Filozofia serbe po shfrytëzon me efikacitet të gjithë rastet që paraqiten për të futur përçarjen midis kombit shqiptar, mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne rastin e diskutimit marramendës të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, helmi që u hodh në opinionin, duke shkuar deri në anatemimin “shqiptar apo kosovar”, vërtetoi edhe një herë se, “kollona e pestë” po vepron ashpër në mediat shqiptare, duke hedhur farën e përçarjes, të dyshimit dhe të mosbesimit.
Njerëzit e aftë dhe të dobishëm, si nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi e kanë dhe duhet ta kenë derën të hapur të punojnë në institucionet shqiptare, të shërbejnë atje ku i bëhet mirë interesave kombëtare dhe shtetërore, sot e në të ardhmen.
Arma që u jep në dorë politika shqiptare me diversitetin antikombëtar, është një mendjelehtësi, që më së shumti reflektohet veçanërisht nga Ilir Meta, Edi Rama, Sali Berisha e të tjerë në Shqipëri. Përballimi i situatës së përkrahjes së një vendimit të tillë, shkaktoi kaos politik institucional.
Kjo është shumë e rrezikëshme, një sgresion kundër kombit nga titizmi i vjetër dhe pinjollët e tyre të rinj.
Kjo nuk është një luftë me tanke e artileri, as me rrezikun ushtarak që shpesh na çon nën presionin psikologjik të përkuljes, por një luftë e egër për ta mbajtur kombin të përçarë, duke goditur pikën më të fortë të tij, unitetin.
Kjo nuk është luftë e re për shqiptarët, por një luftë shekullore, me të cilën jemi përballur me shumë pasoja në planin e brendshëm.
Nga kjo pëervojë e hidhur ne nuk po mësojmë ende, duke bërë lëshime të rrezikëshme. Ngjarja me Ministrin e Jashtëm tregon se, ne kemi shumë probleme me unitetin e vërtetë kombëtar.
As të përbashkëtat që kemi në historinë tonë, nuk po mjaftojnë për të na mbajtur të bashkuar në mendim dhe në qëndrimin kombëtar.
Shkalla e vetëdijes kombëtare të individëve po gremiset gradualisht, duke i dhënë terren përçarjes, urrejtjes, shkatërrimit të sistemit politik dhe pasigurisë për të ardhmen, kur në fakt duhet të ishte krejt ndryshe, për të përfituar maksimalisht nga situata e favorëshme që po afron SHBA-të në planin e interesave gjeopolitike, brenda dhe jashtë kombit tonë.
Këtu dhe vetëm këtu e kemi rrezikun më të madh.
Kur do ta kuptojmë këtë?
Kjo është goditja e fshehtë që po na jepet me anë të klasës politike, që sot kemi në krye të hapësirës së menaxhimit të interesave kombëtare.
Armiqtë e kombit shqiptar, në një situatë të favorëshme që po sjell koha për ne, janë hedhur në sulm me të gjithe mundësitë dhe potencialet e tyre politiko diplomatike dhe të shërbimeve inteligjente, duke shkaktuar agresionin më të madh brenda kombit.
Dikur kemi besuar në praninë e “rrezikut që na sillte amiku i jashtëm dhe i brendshëm”, sot vazhdojmë të qeshim me këtë koncept politik.
Sot ka ardhur koha të besojmë më shumë se kurrë, që këto falanga të brendëshme antishqiptare, të koordinuar me agjenturën e jashtëme politike, po na godasin pa mëshirë, e theksoj, pa mëshirë duke përdorur shpesh njerëzit tanë.
Kjo është vëtëvrasja jonë në kohë paqe.
Të kujtohemi duke kthyer pak kokën pas në historinë tonë. Rilindasit tanë i ngritën në MIT vlerat kombëtare.
Sot ne kemi rënë pre e përçarjes dhe urrejtjes dhe heshtim edhe atëherë kur duhet të ulërijmë për gjëmën dhe stratagjemën që po përjetojmë, duke lejuar të na përdhosen dhe grabiten vlerat kombëtare.
T’i lëmë pallavrat dhe përbetimet patriotike.
Armikun më të rrezikshëm e kemi brenda jetës tonë me plotë halle. Resurset antishqiptarë të Batonëve, Fevzinjve, Matoshëve, Bosëve të Mediave, pushtetarëve të kapur e të shitur & CO, i kemi çdo ditë para syve tanë.
Ta kuptojmë edhe një herë mirë. Ky nuk është më tranzicion i pambyllur sistemesh politike. Kjo ka marrë fund.
Kjo periudhë është një tranzicion i tmerrshëm politik, e cila ka emergjente zhdukjen e një klase politike të degjeneruar, të kriminalizuar, kusare dhe bandite, deri antishqiptare, e cila po luan shumë rëndë me interesat kombëtare, duke synuar edhe nxitjen e armiqësisë së shqiptarëve me Perëndimin dhe me SHBA-të.
Sot jemi futur në një etapë tjetër, atë të shkrirjes së këtij “akulli” ngrirës, që po e bën kombin dhe shtetin të nëpërkëmbet, të përkulet deri në dorëzim. Varfëria në të cilën është katandisur kombi ynë në të gjithë trojet, po sjell çdo ditë agresivitetin, duke shkatërruar vetëdijen kombëtare.
Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kjo.
Urrejtja ekstreme e opinionit për kokën e politikës shqiptare, meriton një shpjegim. Populli kërkon rrugëzgjidhjet dhe jo të bëhet spektator i përplasjeve të mëdha, që e çojnë kombin dhe shtetin në greminë.
Sulejman Abazi NESHAJ
Tiranë, 17. 01. 2019.