Kalon mesnata, Greqia ende s’ka votuar, Protesta të dhunshme para Parlamentit .Publikuar nga Bota Sot | 15.07.2015 21:16

Grekt athineOrë të vështira në Greqi. Kaloi mesnata në Athinë dhe Parlamenti i thirrur të votojë planin e reformave që qeveria Tsipras ka rënë dakord me Evropën e FMN, ende s’ka votuar.

Marrëveshja parashikonte që paketa e parë të votohej brenda mesnatës së 15 korrikut. Vetë Tsipras nuk ka qenë prezent në Parlament, kur në sallë duhej të votohej mbi paketën e parë të reformave të rëna dakord me BE-në.

Ndërkohë përleshje të dhunshme kanë shpërthyer para tij. Bomba molotov dhe gaz lotsjellës në sheshin Syntagma mbrëmjen e 15 korrikut 2015, kur brenda në parlament deputetët grekë vijonin të debatojnë për masat e forta ekonomike të cilat duhet t’i miratojnë në fund të ditës në mënyrë që një marrëveshje shpëtimit prej 86 miliard eurosh të arrihet.

Jashtë një grup anarkistësh kanë hyrë në shesh me helmete duke hedhur bomba molotov dhe fishekzjarrë dhe gurë.

Sipas policisë janë rreth 12 mijë persona të mbledhur në në sheshin Syntagma, para parlamentit, për të kundërshtuar masat e kursimit, që përfshijnë rritjen e taksave dhe reformimin e pensioneve.

Dhunës policia nga ana e saj iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe ka arrestuar rreth 50 persona.

Brenda në parlament kryeministri Tsipras i është drejtuar kështu deputetëve disidentë të partisë së tij: Nëse nuk më mbështesni iki.

Një kërcënim për dorëheqje nëse plani i reformave nuk duhet të kalojë.

Ndërsa ministri i Financave greke Euclid Tsakalotos gjatë debatit në parlament deklaroi: Nuk kishim zgjidhje tjetër. E hëna ishte dita më e vështirë e jetës sime që do e mbaj mend përgjithmonë. Nuk kemi thënë kurrë që ishte një marrëveshje e mirë.

Orë dramatike në Greqi, tension brenda dhe jashtë Parlamentit

Tensionet në sallën e Parlamentit grek me zërat pro dhe kundër marrëveshjes së arritur me huadhënësit ndërkombëtarë, janë reflektuar më së shumti në rrugët dhe sheshin pranë godinës.

Qindra qytetarë grekë janë mbledhur për të protestuar kundër votimit të masave shtrënguese në sheshin “Sintagma”.

Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gurë dhe molotov në drejtim të forcave të policisë, të vendosura përreth godinës së parlamentit.

Policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestat.

Situata vijon të mbetet e tensionuar, megjithëse intensiteti i përleshjeve ka rënë disi.

Më herët, kryeministri Tsipras u ka kërkuar deputetëve të tij mbështetjen për kalimin e marrëveshjes, në të kundërt qeveria rrëzohet.

“Nëse nuk më mbështesni sot, nesër nuk do të jem kryeministër. Ose bashkë me mua sot, ose nesër bie Qeveria e majtë!”, kanë qenë fjalët e fundit të kryeministrit Tsipras drejtuar deputetëve të partisë së tij.

“Kush më gjeti një zgjidhje tjetër që nuk do të ishte me pasoja katastrofike për popullin dhe unë nuk e bëra – le të ma thotë”, është shprehur ai.

Tsipras ka deklaruar se as falimentimi i çrregullt dhe as dalja e përkohshme 5-vjeçare e Greqisë nga Eurozona e planifikuar nga zoti Shcauble, nuk duhet të ndodhin.

Por nga ana e tij, grupi marksist brenda Radikalëve të Majtë, i drejtuar nga ministri i Energjetikës, Panagiotis Lafazanis karakterizon dilemën: “Marrëveshje ose katastrofë”, si dy alternativa që terrorizojnë deputetët dhe se kjo dilemë nuk duhet marrë parasysh.

Kanë qenë të shumta publikimet e orëve të fundit për ministrin në fjalë, sipas të cilave ka propozuar konfiskimin e 22 milionë eurove që ndodhen në Bankën e Greqisë dhe qarkullimin e një monedhe të re kombëtare, duke dalë nga Eurozona.

Bota Sot | 15.07.2015 21:16