Pjese te shkeputura nga libri Hebrenjte e Beratit me autor Simon Vrusho.
…….Duke qenë një qytet me kulturë të hershme, qytet
i kodikëve apo i poetëve dhe dijetarëve të shquar shekujve
XVII-XVIII, u bëri vend edhe hebrenjve, që filllimisht
zbritën në Berat, për të gjetur strehim dhe për të ndërtuar
një jetë të përbashkët qytetare.
Këtë qytet ata e parapëlqyen, sepse banorët e tij
respektonin liritë fetare, jetën, kulturën e të gjithë
ardhësve. Aq e vërtet është kjo, sa ata u lejuan të
vendoseshin së bashku në rrugicën mbi Xhaminë e
Telelkave, që është njohur në vite si Mëhalla e Çifutëve.
Ata u mbrojtën në zhvillimin e jetës së tyre
tregtare dhe kulturore., sa u bënë pjesë e kulturës dhe
letërsisë që u lëvrua në gjuhën shqipe në këtë qytet. I
dëgjuar ka mbetur poeti hebre Solomoni, prej të cilit,
edhe pse nuk na ka ardhur asgjë nga krijimtaria e tij, na
ka mbetur emri midis poetëve beratas, si Nezim Berati,
Mehmet Ashkiu, Fejziu, Sulejman Naibi etj.
Duke i njohur vetitë e shquara të bashkëqytetarëve
të vet, Mehmet Qypryliu, kur mori urdhër për ndëshkimin
e udhëheqësit shpirtëror të hebrenjve Sabbatai Zevi, ai e
dërgon atë në Berat, duke e lënë në besë të tyre.
Hebrenjtë në Berat, edhe pse nuk dihet nëse paten
sinagoga, duke qenë të mbledhur në një mëhallë të
veçantë, ritet fetare i kryenin në shtëpitë e tyre të
pashqetësuar.
Beratasit nuk veçonin qytetarët në rrënjës, apo
ardhës. Ata i quanin të gjithë beratas.
Nga koha kur hebrenjtë kanë ardhur në Berat,
edhe pse ata u larguan prej qytetit valë-valë, nuk ikën pa
lënë gjurmë apo edhe pasardhës, të cilët jetojnë edhe
sot edhe pse nuk e kanë ruajtur gjuhën e tyre amëtare.
Nga këto familje po përmend vetëm njërën, atë
më të njohurën, që i ka shtëpitë në lagjen Përrua të
Beratit, dhe që ruan mbiemrin Avrami (Abrahami).
Shpirti i beratasve njohu një lulëzim të ri edhe
në vitet e Luftës së dytë Botërore.
Emri i mirë që kishte ruajtur qyteti, solli edhe
ardhësit më të rinj, hebrenjtë e fundit, të cilët qëndruan
në besë të beratasve.
Falë ndërtimit të qytetit, me shtëpi që
rrethoheshin me mure dhe bahçe që ndërlidheshin midis
tyre, si dhe trimërisë dhe shpirtit vetmohues të
qytetarëve, u bë e mundur që asnjë nga hebrenjtë e ardhur
në Berat, të mos bjerë në duart e gjermanëve.
Kjo histori që hebrenjtë e ngritën në qytetin e
Beratit, gjen pasqyrim të gjerë në këtë botim të hartuar
prej poetit, publicistit dhe studiuesit të njohur beratas,
Simon Vrusho.
Ky është një botim që nderon autorin, por na
nderon edhe ne qytetarët beratas, sepse nxjerr në pah
ato vlera që u kultivuan prej banorëve të këtij qyteti në
shekuj.
AGIM MEHQEMEJA
Studiues
Berat, më 22 qershor 2009
….Ah, si hebrenjtë u degdisëm në botë
Dhe natën ne iknim, se ditë s’gjenim dot !
Anonim