Safeti kishte kohë që ndjente nevojën e një gomari të ri në shtëpi. Gomari që kishte, po lodhej dita-ditës me detyrat që i jepte Safeti. Ç’Safet thua? Ishte e gjithë shtëpia që ia kishte nevojën atje në atë fshat të largët ku ende makina nuk kishte shkuar dhe njerëzit donin të bluanin drithë, donin ujë për të pirë me bucelat që gomari i mbushte gjysëm ore larg. Donte bar për lopën. Donte dru për dimrin e gjatë dhe me dhëmbë që bënte atje.
E gomari shpirt kishte. Lodhej, po si të fliste, si ta thoshte. Të vetmen gjë që bënte kohët e fundit, para se Safeti ta vinte para e ta çonte në Pazar ishte pëllitja. Me të mbanin edhe gurë për të gjithë hallet që kishte shtëpia në fshat që ka një mijë kusure e nuk të del as nata e as dita që t’i mbarosh përherë do lësh një gjë mangët për të nesërmen.
Kishte nisur që të pëlliste më shumë se duhet gomari i Safetit dhe ishin aq të forta këto ankesa që ai i bënte me gojë sa Safetit i dilte gjumi dhe sikur ia dëgjonte me zë ato që ai nuk ia thoshte dot atje në atë stallë ku i kishte vënë dhe ca bar që të mballiçitej gjatë natës dhe një kusi të vjetër me ujë.
Në Pazar arriti pas një ore udhëtim. I vinte keq që t’i hipte e i hipi vetëm sa doli e pastaj zbriti dhe vetëm sa e çukisite pak në ecje. Në pazarin e madh zuri një vend të fund të tregut. Nxorri kutinë e duhanit dhe e drodhi ngdalë. E ndërroi një duhan me një shok që kishte aty pranë. Ishte Beluli që banonte në një fshat fqinjë. E në Pazar kishte tellallë që ngrinin zërin e kërkonin që të flsinin për domatet, mollët, litarin, për rrushin fiqtë e pjekur. Por për gomerët as që bëhej fjalë që të kishte tellallë. Ai që e blinte, e njihte. Edhe e provonte pak kur ecte. Kuajt shiheshin nga dhëmbët se çfarë moshe kishin.
E Safeti rrinte e priste. Erdhën tre fshatarë e pyetën dhe nuk u lidh muhabeti. Pas një ore vjen Rrahim Evgjiti. Kë shtu i thonin kur kalonte para fshatarë ve që e njohin dhe shumë herë edhe bë nin Pazar me të .
Me një qostek që e mbante në brez me një jelek lëkure dhe me një kapele lëkure me strehë që e kthente herë pas here si ato festet që e kthejnë burrat e Labërisë.
Nisën bisedën, folën çfarë flitej për pazarin. E pa Rrahim Evgjiti leshin e madh që kishte gomari dhe trëk ia bëri syri. Jo se do të bënte triko, jo, po se ishte edhe pjesë e moshës pse jo dhe e pazarit.
E ulën, e ngritën, pazari u krye. I hipi pak për ta parë gomarin që nganjëherë harronte se ishte mes popullit dhe pëlliste i shkreti. Donte kullotën, donte ujë. Mbase mendonte se i zoti do ia vinte në trup bucelat apo vandakët me dru.
E mori Rrahim Evgjiti gomarin. Nxorri portofolin e ia pagoi një më një lekët që caktuan të dy dhe u nis. Ku shkonte, vetëm ai e dinte.
Që atë ditë e shihte me kujdes gomarin. I vuri dhe një emër Buzëbardhi se kishte një të bardhë në buzë. Diku në atë që ai e kishte si stallë nxorri një palë gërshërë të mprehta dhe nisi ta qethte Buzëbardhin cep më cep në atë trup të lodhur. E lau mirë shumë mirë aq sa dhe Safeti që nuk ka mësoi emrin nuk e kishte larë tërë jetën. Edhe pse ai i kishte shërbyer urtësisht pa u mburrur për kurrizin e tij të lodhur e të plakur.
E i gjeti një erë të mirë e ia hodhi Buzëbardhit. I lumi dhe i mjeri Buzëbardh gomari! Nuk kishte parë kaq pastërti në jetën e tij. Kaq shumë kujdes. Dhe askush nuk kishte ku ta pyeste Rrahim Evgjitin se pse e bënte një gjë të tillë. Nga dashuria që kishte për kafshët e ngarkesës? Apo..? Me to kishte kaluar një jetë të tërë që kur ishte djalë e ecte pas babait tij tij, bridhte në të gjithë pazaret e krahinës. Më shumë kishte dëgjuar hingëllima kuajsh, pëllitje gomerësh, troke në rrugë, hapa mushkash të forta që shkonin edhe në shkëmbin më të mprehtë. Pela të forta që sikur këndonin kur ecnin dhe një ditë mbanin në supe edhe nuset e krahinës.
E lau, e rruajti leshin e trupit të Buzëbardhit, e ushqeu mirë shumë mirë një javë të tërë. Shumë mirë. Kalonte me të ditë e netë dhe kjo shkoi një javë .
Pas një jave doli herët në Pazar dhe zuri atë vend që dikur një javë më parë e kishte zënë Safeti. Do ta shiste se me këtë punë merrej ai. Safeti, ai i zoti i Buzëbardhit akoma me veten e tij kënaqej se ishte gjetur mundësinë që ta hiqte nga shtëpia atë gomar të lodhur. Të lodhur, të plakur, por që për një javë kishte ndërruar gjithçka te trupi i tij.
Atë ditë te këmbët e Rrahimit, ndali vëllai i Safetit, Bedriu.
Edhe atë e bënë pazarin dhe më në fund gomari ndërroi duart nga Rrahim Evgjiti tek Bedriu. Kuptohet me një çmim të dyfishtë nga ai që e kishte marrë një javë më parë.
Kur e solli në shtëpi, gomari më i zbukuruar e më i shlodhur se një javë më parë, më i larë se një javë më parë, më bukurosh, sa erdhi në oborrin e shtëpisë së vëllait dhe u zgjidh nga litari i të zotit të ri, ashtu ngadalë doli nga oborri dhe shkoi te shtëpia e Safetit që ishte një gardh më larg. U çudit Bedriu. U çudit Safeti që në fillim nuk e njohu gomarin që ishte blerë Bedriu.
-Ooo, po ky qënka gomari im!-i tha Safeti.
U çuditën, u mërzitën, mallkuan, uruan, qeshën gati se nuk qanin dot. Të gjitha i kishte, të gjitha po e jetonin atë ditë. Vetëm gomari kishte mbetur prapë në oborrin e tij ose me saktë një gardh më larg.
Një javë më vonë Rrahimi kishte zgjedhur një treg të ri për të blerë për të shitur të tjerë gomerë, mushka, kuaj po dhe pak .. mendjet e njerëzve që nganjëherë ndërroheshin me ato që shisnin.