Gjermania kërkesë për hetim ndërkombëtar për Kumanovën, Rama: Gur themeli për bashkëjetesën

Gjermania kërkesë për hetim ndërkombëtar për Kumanovën, Rama: Gur themeli për bashkëjetesën

rama10Kryeministri i vendit, Edi Rama ka shprehur mirënjohjen për vendimin e Gjermanisë për të kërkuar hetim ndërkombëtar lidhur me ngjarjet e ndodhura në Kumanovë, ku nga operacioni policor e ushtarak në lagjen e trimave të banuar nga shqiptarë u vranë 22 vetë, nga të cilët 8 policë maqedonas

“Mirenjohje Gjermanise per kerkesen publike per hetim nderkombetar per Kumanoven! Drejtesia per Kumanoven gur ne themelin e bashkejeteses”, shkruan Rama në Facebook.

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Shqipërisë bënë sot thirrje në Berlin për më shumë transparencë lidhur me rastin e konfliktit të armatosur në Kumanovë, ku humbën jetën 18 vetë, 8 policë dhe 10 persona të armatosur.

“Episodi i para dhjetë ditëve alarmoi Europën, por po ashtu na bëri më të vëmendshëm. Shpresoj që ajo që pamë nuk është fillimi i një acarimi, por që autoritetet do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të na sqaruar se çfarë ndodhi. Së dyti, shpresoj që do të marrin gjithë masat që episode të tilla të mos përsëriten më”, tha Shtajnmajer.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati u shpreh se është në interes të Maqedonisë të respektojë sa më mirë marrëveshjen e Ohrit.

“Gjykuar nga pikëpamja apo konteksti i kompozimit etnik dhe social që ka Maqedonia, i cili është disi unik për rajonin e Ballkanit Perëndimor, mendojmë që është në radhë të pare në interesin e Maqedonisë për të bërë një transparence më të plotë sic e tha edhe ministri Shtajnmajer në lidhje me zhvillimet në Kumanovë në mënyrë që kriza aktuale të ndalohet dhe të mos përshkallëzohet dhe rruga apo busulla orientuese e Maqedonisë si gjithë vendet e tjera të rajonit të vazhdojë të mbetet integrimi euroatlantik dhe integrimi euroatlantik që besojmë të gjithë bazohet në respektin për sundimin e të drejtës, në respektin për një marrëdhënie ndëretnike, harmonike sic parashikonte Marrëveshja e Ohrit dhe për një cohesion më të mire politik dhe social”, tha Bushati.

21 maj 2015 (gazeta-Shqip.com)