PJETËR GJOK TUMANI (1900 – 1981)
“EMRI I MALIT E KA VENDIN NË MAL…”
Pjetër Gjok Tumani. Sinonim dhe simbol i Malit të Bardhë, një fshat malor përskaj një pllaje të pasur me kullota për dele, pllajë që përfshinte pjesë nga mali i Veleshnjes dhe i Molishtit, rreth 20 km larg nga Berati, në hapësirën jugore të tij.
Bir i Gjokës, Pjetri ishte djalë i tij i vetëm, me një motër të vetme. Pjetri do të kishte 8 fëmijë, 6 djem e dy vajza. Xhorxhi, Vasili, Andrea, Llazari, Jorgji, Ndini, Katerina dhe Saveta.
Pjetri ka qenë myftar, kryeplak i fshatit si në kohën e Zogut, edhe më vonë, kryetar i këshillit dhe partizan dhe kur duhej të përballonte nevojat familjare, i mirëkuptuar lë radhën në brigadë, ku e zëvëndëson i biri, Xhorxhi, që bie dëshmor në tetor të ’44-ës. Një tjetër djalë i tij, 12-vjeçar, Jorgji, do të vritet nga paslufta, viti 1946, nga një bombë italiane e mbetur apo e lënë atje tek Bregu i Bufarit, tek Gropa e Shipes.
Një analfabet i ditur, ky ka qenë Pjetër Gjok Tumani. Drejtuesi i fshatit, I lidhur me tokën, me bagëtitë, me delet… I lidhur dhe me luftën për liri e dinjitet… Merr pjesë në Luftën e Palikështi, bashkë me të birin, Xhorxhin… Pas kësaj beteje, ku fashistët italianë u thyen keqas, u vjen ‘shpërblimi”: Fshati Mali i Bardhë, sikurse dhe shumë fshatra të tjerë të Shpiragut, digjet, rrafshohet…
Ai e mbajti vulën e fshatit për gati 50 vjet… I matur në të folur, me një zë të urtë e të ulët… Nuk mbahej mend të kishte bërtitur ndonjë herë… Mbante si sektreatr këshilli Tilin, Sotir Tumani, që kishte mësuar pak e shkrim e këndim, kur kishte punuar tek Like Avdyli në fshatin fqinj, Molisht.
Vulën e fshatit ia dorëzoi të birit, Vasilit… Fshat i vogël me dhjetë shtëpi…
Erdhi koha e kooperativës… Iu tha t‘i shpërngulnin si fshat e t’i çonin në fermë, pranë Beratit, madje duke ua ruajtur edhe emrin në tabelë: MALI I BARDHË-TUMAN. Nuk e pranuan.
-Jo, – tha Pjetër Gjok Tumani.-Emri i malit e ka vendin në mal…
U bënë kooperativë… Viti 1966… Kooperativë e çuditshme me 12 shtëpi, 10 Tumanë dhe dy Merkaj, nga mikro fshati ngjitur, i quajtur Vilë… Kooperativë e vërtetë me kryetar, llogaritar, ekonomist, magazinier, brigadier… Gati dukej se gjysma ishin drejtues… Me një tufë delesh, me një tufë qesh dhe disa kafshë samari…
Por problemi që kishin me ujin kërkonte dhe ujarë me bucela që të mbushnin ujë tek Ujtë e Ftohtë, nja 3 km larg… Ujësjellësi, tubat, sylinat, hapja e kanalit në një terren shkëmbor përbënin një kosto të lartë për kohën dhe, nisur nga kjo, iu miratohet shprngulja si fshat për t’u vendosur në Gurin e Bardhë, në Urën Vajgurore… Nga guri në gur… Të gjithë, nga viti 1973, ikën, u larguan, me përjashtim të Pjetrit që qëndronte ende atje me njërin djalë, Llazarin… Deri më 1979, kur zbriti në Berat, 79 -vjeçar, për të qënë edhe më pranë të birit dëshmor për t‘i çuar një tufë me lule…
Drejtuesit e pushtetit në Berat, kur shpërngulja në qytet ishte rreptësisht e ndaluar, hezituan ca, por Pjetër Gjok Tumani iu tha se unë nuk ju bie në qafë, nuk u kërkoj shtëpi, se shtëpitë do t’i ble vetë…
-Jam ’79-të tani, – iu tha pushtetarëve të Beratit. -Po më qaset tani, prandaj dhe dua të qasem tek çuni…
Çuni ishte dëshmori, i rënë në tetor të ’44-ës për çlirimin e Kuçovës, por që eshtrat i kishte në Varrezat e Dëshmorëve të Beratit…