Nga kush e presim konsolidimin e shtetit tonë?!!!
Si një qytetar i një shteti të lirë, e ndjej detyrim moral dhe kushtetues të vihem në shërbim të tij, pa kushte dhe pa pritur asgjë në këmbim. Ndaj, sot e kam fjalën si “armë” dhe më duhet ta përdor me përgjegjësi. Nuk është asnjëherë e tepërt për të përdorur shprehjen e famshme të presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John F. Kennedy , “ Mos pyet se çfarë do të bëjë atdheu për ty, por çfarë mund të bësh ti për të”. Kjo është motoja që mua më udhëheq çdo ditë dhe unë besoj se ajo duhet të jetë e tillë për çdo qytetar të denjë të shtetit më të ri të botës, Kosovës. Them shtet dhe nuk them komb sepse ne jemi ndër kombet më të vjetra në kontinent. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi qytetarë të Evropës e për ta dëshmuar këtë nuk na duhet as vizë dhe as pasaportë, na mjafton gjaku që na rrjedh ndër vena. Por, ndryshe ndodh kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, në kontekstin e bashkimit ekonomiko-politik. Ëndrra jonë e përbashkët, ëndrra për të cilën u derdh gjak, ëndrra që na e kanë lënë amanet, do të duhet të çohet deri në fund. Që Kosova, që ne, që unë dhe ti, të bëhemi shtetas evropianë, duhet të mësojmë që në radhë të parë mos luftojmë mes veti, të mos bëjmë fushata (propagandë) që dëmtojnë atë çka është e përbashkët, pra shtetin. Shteti nuk ka ngjyrë, shteti nuk ka një emër të përveçëm, por ama ka përgjegjësi, përgjegjësi individuale dhe kolektive. Përgjegjësia jonë, pa ndasi, është të mbrojmë interesat e shtetit dhe të mos luftojmë kundër tij. Përgjegjësia jonë është që të ndërtojmë një të ardhme të sigurt për brezat, të luftojmë dhe të përpiqemi çdo ditë për të rritur mirëqenien, dinjitetin dhe për të forcuar shtetin e së drejtës. Çdo propagandë që shkon kundër me këtë logjikë, nuk mund të jetë veçse e dëmshme dhe me pasoja të rënda. Forca e Kosovës, forca e mbijetesës së çdo vatre kosovare është familja, janë të rinjtë. Nëse ne lejojmë që kjo forcë të dobësohet atëherë me duart tona po kontribuojmë në shkatërrimin e asaj që mbrojtëm me gjak. Ndaj, dua të sjellë, për të gjithë ju që e ndjeni se duhet t’i bashkoheni zërit tim një shprehje të shkruar nga Edith Durham (High Albania 1909): “Ata janë të shpërndarë me rrënojat e perandorive të vdekura- fuqive të vdekura – vetëm shqiptari vazhdon përgjithmonë”.