Nën kujdesin e Qëndrës së Komunitetit Shqiptar, një organizim qytetar me Shqiptaro-Amerikanë i ligjëruar në shtetin e Konektikut, në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit Amerikan, prej të hënës së kësaj jave valëvitet flamuri i shtetit të Kosovës në përkujtim të Ditës së Pavarësisë me ndihmën edhe të senatorit Tim Larson dhe të përfaqësuesit Angel Arce.
Më 17 Shkurt 2015 dhjetëra makina të zbukuruara me flamuj Amerikanë, Shqiptarë dhe të shtetit të Kosovës bënë një rrugë tre milje nga Franklin Ave përmes qëndrës së Hartford, kryeqytetit të shtetit Konektikat deri para ndërtesës së përfaqësuesve të zgjedhur të popullit Amerikan ku u zhvillua edhe ceremonia zyrtare e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Si asnjëherë tjetër, u përcoll me zërin e këngëtares Entela Ilirjani himni kombëtar Shqiptar, i cili u këndua në kor nga të gjithë pjesëmarrësit.
Në emër të Qëndrës së Komunitetit Shqiptar përshëndeti të pranishmit Presidenti Artan Martinaj, një veprimtar i palodhur për komunitetin.
Në emër të Dhomës së Përfaqësuesve foli përfaqësuesi Angel Arce që uroi për këtë ngjarje të shënuar dhe vlerësoi arritjet e komunitetit Shqiptar të Hartford, Konektikut. Ai dorëzoi për komunitetin Shqiptar të Konektikut një proklamatë identifikuese e firmosur nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, që e mori anëtari i Bordit Vedat Selimi.
Gjithashtu, folën për historinë e Kosovës, të kombit Shqiptar dhe të organizimit të Qëndrës Shqiptare veprimtarë e shkrimtarë si Prend Qeta, Raimonda Moisiu, Vedat Selimi, Ilir Kola, Medi Cama dhe Artur
Vrekaj.
Bukurinë e kësaj ceremonie e shtoi edhe dhurata nga Ministria e Diasporës së Kosovës, që përmbante tekste shkollore për projektin e hapjes së Shkollës Shqipe në Hartford, në vijim.
Një risi e kësaj dite ishte edhe sjellja e gatimeve tradicionale të kuzhinës Shqiptare nga nëna Shqiptare të Hartford që morën urimet e rastit.
Kjo veprimtari është një fillim i mbarë i veprimtarisë së bordit të Qëndrës së Komunitetit Shqiptar që tashmë ka marrë përkrahje në Hartford dhe Waterbury më së shumti ku banojnë më shumë Shqiptarë.