Artistë të huaj dhe vepra e tyre për Beratin. Nga : Kastriot Dervishi

Edith Durham (1863-1944)
Mery Edith Durham lindi në vitin 1863, në Hanover Square, Londër. Edith manifestoi ambicie artistike dhe pas marrjes së mësimeve private në Londër, ajo frekuentonte Akademinë Mbretërore të Arteve. Ajo u bë një mjeshtre në ilustrime me bojë uji, dhe disa ekspoizita e morën atë për të realizuar ilustrimet në Historinë Natyrale të Kembrixhit.
Një nga mbrojtëset më të shquara të çështjes shqiptare në fillim të shekullit XX. Ka pohuar prejardhjen ilire dhe karakterin origjinal të kulturës sonë tradicionale.
Publiciste e njohur dhe autore e disa librave për Shqipërinë, por do të ndalemi në krijimtarinë e saj si piktore si dhe me përshkrimin e vizitës së saj në Berat më 1904. E ka filluar karieren e saj si piktore ilustratore. Në brigjet e Adriatikut erdhi për të pikturuar dhe u lidh ngushtë me jetën. Qëndroi shumë vjet në Ballkan, i kushtoi disa libra me ilustrime. Në vitin 1904 vizitoi Beratin ku bëri disa vizatime. Vizatimet e saj ndodhen në Institutin Antropologjik Mbretëror të Londrës. Dorëshkrimet me titull “Blloku i shënimeve të mija nga Ballkani” në vëllimin e tretë, i cili i kushtohet fiseve, kostumeve, ndërtesave etj, përmban 65 vizatime ku midis tyre janë edhe vizatimet nga Berati. Vizatimi që njohim eshtë realizuar në vitin 1904 dhe paraqet porten fortifikuese te Kalasë. Për këtë vizitë ka shkruar në librin “Brenga e Ballkanit”, e botuar ne Londër me 1905.
Ja si e përshkruan Durham Beratin, “Kaluam lumin e Beratit mbi një urë të bukur prej guri të ndërtuar para shtatëdhjete vjetësh nga një bej shqiptar dhe arritëm në Berat aty nga perëndimi i diellit. Berati ndodhet në një vend jashtëzakonisht të këndshëm, i ndërtuar në faqet e kodrave të mbuluara me tjegulla dhe të lulëzuara që ndehen deri në buzë të lumit të Beratit, shtëpite me bukuri përallore, të ndërtuara me catma druri dhe gëlqere zbresin deri tek lumi; kështjella e prishur qëndron sipër si kurore. Mali i madh i Tomorit spikat me kryemadhështore, të mbuluar me borë nga njera anë, dhe pjeresitë e kodrave në afërsi marrin ngjyrën e hirit nga pemët e ullinjve me të cilat janë të mbuluara”.
(Kastriot Dervishi)