ALASKA, ISH-RUSIA AMERIKANE BLERJA MË E MËNÇUR E SHBA-VE

Artur VrekajAlaskaALASKA, ISH-RUSIA AMERIKANE BLERJA MË E MËNÇUR E SHBA-VE

Alaska është territori më veriperëndimor i Amerikës së Veriut që kufizohet me Polin e Ngrirë të Veriut, oqeanin Paqësor dhe Kanadanë. Është një tokë e banuar fillimthi nga Indianët Aleuts dhe Eskimos që e kanë prejardhjen nga e njëjtë origjinë, që disa studjues e quajnë Mongolët e detit Bering.
Nga zbulimet arkeologjike atje janë gjetur vegla të pune që identifikojnë popullimin e Alaskës me banorët para Eskimos, që 13 mijë vjet më parë. Indianët Aleuts që jetonin në zinxhirin e ishujve me të njëjtin emër me zhvillimin e industrisë prerëse kanë ndikuar në përparimin e Indianëve Eskimos në tokën kontinentale të Alaskës. Pjesa më e madhe e e tokës e frekuentuar nga njerëzit e hershëm gjatë periudhës së Moshës së Akullit është nën ujë. 6 mijë vjet më parë, bazuar në gjetjet arkeologjike që u përkasin Njerëzve të Veglave të Vogla, u shpërndanë në Alaskë njerëzit e ardhur nga Asia nëpërmjet ngushticës së Bering me kulturë të njëjtë Indiane të gjuetisë njëlloj si dhe vëndasit.
Në Norton Sound 5 mijë vjet më parë u zhvillua industria e prerjes së Gurit dhe materialeve të tjera. Popullsia Indiane e Alaskës jetonte me çfarë siguronte prej gjuetisë në oqean dhe në tokë. Në rajonin e ngushticës së Bering 2 mijë vjet më parë vërehet një valë tjetër emigrantësh prej Siberisë e cila ndikoi në kulturën vëndase Indiane Amerikane duke u integruar me kulturat perëndimore të fiseve Indiane që ishin vendosur këtu prej migrimeve. Eskimos janë banorët e parë të Botës së Re që njihen sot nga Europianët.
Si e zbuluan Rusët Alaskën ? Në marinën perandorake Ruse në shekullin e 18-të egzistonte plani i zgjerimit Rus në kontinentin Amerikan pasi fuqitë Europiane të kohës apo edhe SHBA-të ende nuk e kishin zotëruar kontinentin binjak Amerikan ( pa filluar punimet për kanalin e Panamasë) në gjithë sipërfaqen e tij veriperëndimore. Ishte eksploratori Danez Vitus Bering, në krye të ekspeditës Ruse, që e zbuloi Alaskën më 1741 si mision i sponsorizuar prej Pjetrit të Madh. Ideja e Bering për zgjerimin në kontinentin Amerikan zuri fill më 1733 në kohën që Rusinë e sundonte Ana. Ushtaraku Bering i propozoi perandores Ana mundësinë e sponsorizimit të një ekspedite me qëllim eksplorimin e Alaskës që Rusët më vonë do ta quanin Rusia Amerikane.
Pas lajmit të gëzuar të zbulimit të Alaskës Rusia mori kontrollin e saj dhe Rusët erdhën më shumë për tu furnizuar nga vëndasit me lëkurë, lesh,mish, peshk e të tjera materiale.
Prej vitit 1790 Erës Ruse në Alaskë po i vinte fundi. Britanikët u shitën armë Indianëve vëndas dhe armatosja e tyre u bë shqetësim për Rusët pasi këto mund të përdoreshin kundër kolonëve Rusë siç edhe ngjau në disa vëndbanime.
Më 1790 Rezanov kishte ideuar një plan që Rusia mund të merrte në kontroll edhe Kaliforninë dhe më 1799 ai themeloi kompaninë shtetërore Ruso-Amerikane. Kjo kompani kishte edhe lejën të priste drurë në pyjet shtetërore dhe të blinte armë dhe municione me lekët e shtetit në shkëmbim të programit të kolonizimit, mbajtjes së marëdhënieve tregtare me shtetet kufitare të Paqësorit , bërjes së popullsisë Indiane besnike të kurorës perandorake Ruse dhe të Kishës Ortodokse. Rusia nëpërmjet kësaj kompanie u zgjerua edhe në Kaliforni kur më 1812 vendosi një postë Ruse në tokën Kaliforniane që nuk zotërohej atëherë nga Spanja, por që ju ble toka Indianëve vëndas dhe u quajt Fort Ross. Kjo postë u mbajti sukseshëm për 30 vjet me ndihmën e Meksikës që zotëronte Kaliforninë prej 1822 derisa e shiti Fort Ross për 30 mijë dollarë më 1841 tek John Sutter, një tregtar Zviceran. Prej kësaj poste u sigurua edhe blerja e drithërave aq të domosdoshme për koloninë në Alaskë apo edhe vetë Rusinë.
Më 1821 Rusia e ndaloi me ligj tregëtinë me joRusët në Alaskë dhe vendosi që furnizimi i kolonisë Ruse atje do të bëhej vetëm nga anijet Ruse, por kjo mënyrë sjelljeje hasi në kundërshtimin e Britanikëve dhe Amerikanëve. Britania me sekretarin e saj Canning kërkoi ndihmën e SHBA-së për të bashkëpunuar që tu kundërviheshin provokimeve Ruse në rajonin e Alaskës. Me këshillën e John Adams, sekretari Amerikan i shtetit, presidenti James Monroe deklaroi Doktrinën Monroe në të cilën deklarohej se Bota e Re nuk ishte më e hapur për kolonizime të mëtejshme. Furnizimet me grurë për kolonitë Ruse në Amerikën e Veriut ranë ndjeshëm. Pas 1823 duke parë vështirësitë e krijuara me diplomacinë e saj në rajonin e Alaskës, Rusia vendosi të bënte kompromis me fuqitë fqinje dhe u nënshkrua një konventë për kufirin Jugor të Alaskës në paralelin 54 gradë e 40 minuta nga më parë që ishte deklaruar nga Rusia në paralelin 51 gradë, (kur në të njëjtën kohë SHBA e Britania e kishin në paralelin 55 gradë brënda territorit të Oregon. Rusët lejuan anijet tregtare Britanike për 10 vjet në rajonin e Alaskës.
Me rënien e tregëtisë së lëkurëve e të leshit, si dhe të krejt marëdhënieve tregtare jofitimprurëse midis Rusisë, kolonisë së Alaskës dhe SHBA-ve u bë e vështirë edhe mbajtja dhe administrimi i Alaskës. Governatori i Siberisë Lindore Nicolas Muravie i kërkoi qeverisë Ruse që tu jepej fund zotërimeve në kontinentin Amerikan dhe Rusia duhet të fokusohej më shumë në Azi. Në një memorandum më 1853 ai predikoi se Amerikanët që tashmë zotëronin Kaliforninë në mënyrë të pashmangshme do të bëheshin zotërues të gjithë Amerikës së Veriut. Ai rekomandoi që Alaska ti jepej Amerikës dhe me këtë gjest të arsyeshëm Rusia fitonte tek SHBA një mik që ti jepte mbështetje asaj kundër Britanisë. Qysh më më 1843 u dëgjuan fjalë se Rusia mund t’ja shiste Alaskën SHBA-ve. Kështu pas konsultimesh perandorake më 1855 vëllai i perandorit Rus Duka i Madh Constantine u caktua të kryesonte çështjen e shitjes së Alaskës, i cili ishte në favor të shitjes së Alaskës me ose pa kompensim e nënvizuar si “një luks që Rusia nuk mund ta përballonte”.
Duke parë nevojën për para për të larë borxhet e luftës në Krime sekretari Rus Gorchakov mendonte se vlera e Alaskës ishte 5 milion dollarë. Në takimin e Dhjetorit 1866 në Shën Petërburg u vendos përfundimisht shitja e Alaskës. Lufta Civile e SHBA-ve dhe pasojat e saj e vonuan në kohë aktin e blerjes së Alaskës.
Në vizitën e ambasadorit Rus Stoechel në New York pas kërkesës që sekretari i shtetit Amerikan Seward i bëri kolegut Rus që njerëzit e Territoreve Washington duhet të lejoheshin të peshkonin në ujërat e Alaskës , Seward e pyeti Stoechel nëse kolonia e Alaska ishte për shitje, por e ripërsëriti se do të bënte një ofertë përfundimtare. Stoechel deklaroi shitjen e Alaskës, ndërkohë Seward informoi presidentin Andrew Johnson për të rënë dakord për blerjen e Alaskës. Kabienti qeveritar Amerikan pas konsultimesh e aprovoi blerjen dhe në të njëjtën kohë Stoechel informoi qeverinë Ruse për të nënshkruar traktatin e shitjes së Rusisë Amerikane – SHBA.
Çmimi për koloninë dhe kompaninë Ruso-Amerikane u ra dakord të ishte 7.2 milionë dollarë dhe më 18 Tetor 1867 SHBA-të morën në zotërim Alaskën.
Nuk ishte e lehtë puna e sekretarit të shtetit Seward që bindi presidentin dhe kabinetin, por edhe anëtarë të Kongresit dhe Senatit që ta mbështetnin megjithë që mori disa këshilla kundështuese nga kryetari i komisionit të jashtëm të Senatit se ai duhet të tërhiqej nga nënshkrimi i traktatit të blerjes së Alaskës. Gazetat kryesore Amerikane u bënë mbështetëse të nismës së Seward për blerjen e Alaskës. Senati Amerikan votoi pro, 37 me 2.Më 18 Korrik 1868 nëntë muaj pasi hynë trupat Amerikane në Alaskë, Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit vendosi të paguajë Rusinë në vlerën e vendosur të blerjes.
Blerja e Alaskës u pa nga disa si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli si lëvizja e parë për pushtimin e të gjithë kontinentit që mbikqyr Kanadanë dhe Amerikën Britanike në përgjithësi si pjesë e SHBA-ve.Nga kjo blerje në hartën e SHBA-së u shtua edhe mali më i lartë i Amerikës së Veriut, St. Elias emëruar sipas ditës së shenjtit Elias që i përkiste kur e zbuloi Bering.
Akti i blerjes së Alaskës me nismën e Seward vërtetoi se toka e saj ishte një pasuri përrallore krahasuar me çmimin e blerjes. Amerikanët e tokës kryesore vërshuan në Alaskë për ta eksploruar fillimisht duke ndjekur rrjedhat e lumenjve që e lidhnin me tokë nëpërmjet Kolumbisë Britanike. Kështu, qymyri u zbulua në rajonin e Cook’s Inlet. Konsulli Amerikan në Victoria , në ishullin Vankuver raportonte se eksploratorët gjetën një fushë të pasur me flori në lumin Taquo si dhe në rrjedhën e lumit Stekina.
Një kompani Amerikane ishte përgatitur “të merrte” Alaskën me qera, të paguante 10 milionë dollarë në flori qeverinë Amerikane (afërsisht 3 milionë dollarë më shumë se shuma që ju dha Rusisë) dhe t’ja linte autoritetin më të lartë Kongresit Amerikan. Qëllimi i saj ishte tregëtia e leshit, minierat dhe zhvillimi i vëndit. Por nuk u miratua kjo sipërmarrje.
Traktati midis SHBA dhe Rusisë vendosi vijën kufitare lindore dhe jugore i dakorduar midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë më 1825. Transferimi formal i Alaskës (Rusisë Amerikane) prej Rusisë – SHBA-ve u bë më 18 tetor 1867.
Më shumë se 100 mijë Amerikanë u shpërngulën në Alaskë në kërkim të floririt me shpërndarjen e lajmit për zbulimin e këtij minerali të çmueshëm. Deri më 1890 vlera e floririt të gjetur vlerësohej në 900 mijë dollarë, kurse deri më 1904 arriti në 9 milionë dollarë dhe më 1895 Alaska siguronte për çdo vit 800 mijë dollarë prej minierave të floririt si dhe një shtesë prej 1 milion e 725 mijë dollarë prej mineraleve të tjera.
Maja më e lartë në Alaskë u emërua më 1896 për nder të kandidatit për president William McKinley nga W.A.Dickey. Pas eksplorimit të Alaskës në vitin 1900 pothuaj të gjithë malet dhe lumenjtë e rëndësishëm njiheshin tashmë nga të gjithë Amerikanët edhe nëpërmjet mediave. Një komision ndërkombëtar mbështeti më 1903 kufirin Alaskan ashtu siç është edhe sot.
Alaska është gjithashtu edhe një tokë e paqëndrueshme. Alaskanët kanë përjetuar shpërthimin vullkanik më 6 Qershor 1912 që shkatërroi 400 milje katrorë. Gjithashtu tërmeti i 27 Marsit 1964 me 8.4 dhe 8.6 ballë çliroi energji sa dyfishi i tërmetit të viti 1906 që shkatërroi San Franciskon dhe u dëgjua afërsisht në sipërfaqen prej gjysëm milionë milje katrore.Dëmet e shkaktuara u vlerësuan midis gjysëm deri në tre të katërtat e një bilioni dollarë.
Alaska është shteti i 49-të i SHBA-ve që prej 3 Janarit 1959 me një ekonomi fitimprurëse në naftë, gaz, lëndë drusore, peshkim, turizëm etj.
Zbulimi i fushave gaz e naftëmbajtëse në shekullin e njëzetë e ka bërë edhe më të rëndësishme Alaskën për fuqizimin e ekonomisë Amerikane. Kështu më 19 Qershor 1977 për herë të parë nafta vërshoi në linjën Trans-Alaska Pipeline.
Përfundimisht, Alaska është blerja më e mënçur Amerikane jo vetëm për pasuritë e saj ujore dhe tokësore, por e parë edhe nga ana strategjike, Alaska i jep SHBA-ve një kontroll të plotë të kontinentit Amerikan bashkë me Kanadezët, Norvegjezët dhe Danezët në kohën kur interesat e sotme Ruse janë rievidentuar për të kontrolluar dhe shfrytëzuar Polin e Ngrirë të Veriut.
Artur Vrekaj, Maj 2015
Lënda:
The Indian Heritage of America, Alvin M. Josephy, Jr
The American Heritage pictorial atlas of United States History,Alvin M. Josephy, Jr
Travel and Adventure in the Territory of Alaska, Frederick Whymper, 1868
Alaska: A History of the 49th State, Claus-M. Naske, Herman E. Slotnik

foto e Artur Vrekaj