Nga Sulejman Gjana Tematika e përzgjedhur mbart në vetvete gjithë peshën e vuajtjeve që regjimi komunist i shkaktoi popullit e kombit shqiptar.
Ky regjim e kjo diktaturë sunduese në vendin tonë pas LDB, e pati zanafillën në gjysmen e dytë të vitit 1943, veçanërisht pas Konferencës së Mukjes që sigurisht komandohej nga Beogradi.
Siç u vërejt nga referimet e mbajtura dhe siç dëshmohet nga mjaft studime dhe arkiva të bëra tashmë publike, komunistët patën filluar një luftë vëllavrasëse e guerile në formën që sot njihet si terroriste, kundra çdo elementi nacionalist në mbarë trojet tona.
Kjo luftë gjoja-çlirimtare është mitizuar përgjatë viteve të diktaturës komuniste dhe pas 90-ës, madje shpesh është përdorur edhe nga politika për qëllime elektorale.
Për fat të keq, nuk është marrë asnjëherë guximi me u shkëput zyrtarisht e krejtësisht nga mitet rreme dhe goxha të dëmshme për brezat e ardhshëm. Kjo do të kishte qenë boll e mundshme, nëse do tregohej vullneti i duhur, pasi faktet dhe provat e gjalla flasin vetë:
1- A nuk është absurde, madje e dyshimtë, që shqiptarëve t’u flitet për çlirim, ndërkohë që më shumë se gjysma e trojeve dhe popullsisë shqiptare mbetën të robëruara pas LDB-së ?
2- A nuk ishin komunistët kolaboracionistë të antikombëtarizmit kur vepruan sipas udhëzimeve të serbëve, duke zbatuar madje dhe planet e tyre për shfarosjen e shqiptarëve?
3- A duhen akoma prova dhe dëshmi të tjera edhe më bindëse, për të arritur në përfundimin se komunistët shkaktuan masakra, dhunë e terror në popull për marrjen e pushtetit?
4- A nuk do të mjaftonin viktimat, krimet, masakrat dhe mërgata që shkaktoi regjimi komunist, për të nxjerrë konkluzionet e nevojshme pas ndryshimeve politike të fillimviteve ’90-të?
Legalistët shqiptarë e kanë dëshmuar se kanë qenë gjithnjë konsekuentë në qëndrime kur bëhej fjalë për interesat kombëtare:
1- Duke udhëhequr rezistencën anti-fashiste të 7 prillit 1939.
2- Duke bërë rezistencë në vazhdim ndaj pushtuesve nazi-fashistë.
3- Duke u përballur edhe me komunistët gjatë LDB-së.
4- Duke rezistuar ndaj diktaturës komuniste, pavarësisht dënimeve, vrasjeve, burgimeve dhe kampeve të internimit.
5- Duke zhvilluar aktivitete politike, diplomatike dhe mediatike në mërgim gjatë gjithë viteve të komunizmit, për të denoncuar diktaturën dhe krimet komuniste.
6- Duke mbajtur qëndrime pa mëdyshje dhe pa kompromis ndaj regjimit që shkaktoi luftën civile dhe më pas edhe luftën e klasave, si dhe ndaj atyre që vazhdojnë t’i referohen me nostalgji.
Sot ndihemi të lumtur e krenarë që shumica e studiuesve, elitës politike dhe shqiptarët në përgjithësi, me përjashtim të kategorisë së pandreqshme që për fat të mirë është në zhdukje, kanë mbështetur edhe tezat e kauzat tona.
Kjo na bën të kuptojmë se historia u dha të drejtë nacionalistëve, pikërisht atyre viktimave të krimeve e masakrave të regjimit komunist në vendin tonë.
E megjithatë, duhet të jemi syçelë e të bashkojmë forcat dhe energjitë tona rreth atyre që vërtet përfaqësojnë dhe kanë vullnetin e mirë të mbrojnë idealet e të persekutuarve nga komunistët.
* Nga fjala që mbajta më dt. 21.11.2014, në Konferencën “Krimet dhe masakrat e regjimit komunist në Shqipëri” që organizoi Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipëriqë, në bashkëpunim me Partinë e Ballit dhe të Legalitetit, për të kujtuar, në 70-vjetorin e të ashtuquajturit çlirim, krimet dhe masakrat që shkaktuan komunistët.