“VOSKOPOJA” E ZONËS SË SHPIRAGUT… Nga Simon Vrusho Berat.

QYTEZA E SHPIRAGUT
OSE
“VOSKOPOJA” E ZONËS SË SHPIRAGUT…

-Sadovica, një fshat-qytet në Rrugën Perandorake Vlorë-Konstanipojë.-

Jani Lili Koka, 70 vjeç, ikur nga fshati 16 vjeç, mekanik:

– Sadovicarët, pothuaj, janë larguar me kohë… Thuajse të gjithë… Mbiemra, fise të Sadovicës: Koka, Prifti, Filipi, Gjymshana, Gjyzari, Stasa, Lino, Doga, Gjinaj, Gjata, Llazari, Gjika, Thana, Nani, Çërra, Pyze, Shyti, Veshaku, Shahini, Papa, Opingari, Fëke, Mboqe, Turçe, si dhe familje të besimit mysliman, si: Abazi, Hoxha, Muça, Tahiri, Kullsi. Më i shquari i këtyre të fundit,Shako Veliu, burrë 400 dërhemsh…
-Fshat me 5 çesma dhe 50 puse, burime…Çesma në rrugë, puse në shtëpi. Tavolina guri… në natyrë… Çesma i takonte sa udhës, po kaq dhe udhëtarit…
-Fshat me 500 kopshte: Me ullinj, rrush, fiq, mollë, dardhë, shefteli, zerdeli, arra, bajame, ftonj, shegë, vallëza, gorrica, kumbulla, mëna, qershi, kulumbri, thana, lajthi, etj Dhe bletë, mjaltë… Shtëpi dykatëshe me gur të gdhendur…
-Duhet t’i kushtonim kujdes veshjes. Nuk na linin të dilnim me rroba të vjetra ose të pa qepura mirë, sepse dukeshe keq, më keq se lakuriq. Babai e kujtonte fshatin, stimën qytetare, me këtë thënie: “Të vinte turp të dilje nga shtëpia i paveshur dhe i paveshur do të thoshte i veshur keq, pa shije. I tillë nuk dilje dot as tek sheshi i Kishës, por jo e jo tek Xhadeja e Kuqe, në të dalë të fshatit, përtej në Palikësht.”

Petrika Stasa:
-Sadovica dukej si pikturë, si peizazh, si akuarel e hedhur me një frymë në talajo qoftë me bojëra vaji, vaj ulliri, po të duash, qoftë me bojëra uji, por ujë burimesh Sadovice… Qendra e saj kompozicionale ka qenë Kisha e Shën Kollit, e madhja, kisha më perfekte, më e pasur, më e rafinuar, kishë me tipare karakteristike arkitektonike postbizantine shqiptare, me kapitele, me portiqe, , me tre nefe, me tavane të punuar hollë… Ishte dhe Kisha e Shën e Premtes…. Sheshe, kalldrëme, rrugë në mes, bordura guri, çesma, me oborre, me mure, porta me harqe… Si një lagje qyteti… Fshat me logjikë urbane spontane, fshat me jetë qytetare… Fshat me sokakë… Shkurt, “Voskopoja” e zonës së Shpiragut…

Llazar Thana:
-Sadovica – një fragment qyteti në ecje, në lëvizje… Gjyshi, Llazar Thana/Myzeqar, ishte nga zona e Strumit, nga Plashiva, merrej me tregti. Shiste basmara dhe artikuj të tjerë. Nja dy vjet hapi dyqan në Lofkën, Mallakstër, pastaj e transferoi dyqanin në Smokthinë, në Labëri, ku tregtia i vjati më mbarë… Shtëpi dykatëshe, burim, çesma, puse, ujëra gjithandej… Po ka qenë një Shako Veliu, me qylaf lab, tek Mreti… Edhe babai, Toli, me tregti merrej, shiste sheqer, verë, raki,, oriz, kishte një bakalliko…

Tek shtëpia e Jorgji Thanës në Berat pritesh edhe me gliko thane nga Sadovica, sikurse dhe me gliko qershie ardhur po prej andej… Shohim një album… Albumi i fotove: 10 maj 1942: Kujtim nga një vizitë në Qimitrionin Monumental të Uznovës…Foto të tjera, gjysh Llazari, foto të babait me fëmijët…

Kristaq Doga:
“ Fshat interesant, dinamik. Me mbiemra të larmishëm, si mbiemri Shahini, tek familja e njohur e Mihal Shahinit…. Prift Ikonom Llazari, i ati i Kozma Llazarit…

Sotir Stasa: “…Çesma e Rrapit, Çesma e Çërres, e Dogës, e Fon Pyzes… Burimi…Ruhej fshati, ruhej me bekçi, me pazvan. Qiraja e armës paguhej në shtet. Pa lejen e bekçiut nuk hyje dot në fshat… Jam 70 vjeç, kam ardhur kopanec, dy javësh në Berat…”

* * *
Këtu kalonte një rrugë perandorake, nga Vlora në Konstaninopojë… Ja dhe një emërtim i vjetër, me jehonë: Xhamarov… pjesa poshtë, ara kullota, tek Fieri i Nishanit…

Shkëlqim Abazi:

-Sadovica është një ngulim i lashtë. Të paktën këtë e dëshmon toponimi sllav “sadovicë”, (kopsht, fidanishte). Sipas burimeve gojore, deri nga fillimi i viteve 1700-, ka qenë banuar nga myslimanë, ndërsa pas djegies së Voskopojës, u vendosën ortodoksit, gjë që e dëshmon edhe kisha e fshatit (e vjetra që ka qenë, pikërisht, atje ku sot gjendet e reja). Sadovica ka pasur 4 mëhalla myslimane, pra katër fise: Muçaj, Abazaj, Hoxhaj dhe Tahiraj. Secila mëhallë kishte kroin, çesmën dhe pusin e vet, edhe për faktin se ishin dhe në distancë prej njera- tjetrës.

-Popullsia merej me bujqësi dhe blegtori, por një pjesë edhe me tregti, në Janinë, Selanik dhe në Stamboll, kurse nje elitë modeste ishte e punësuar në administratën shtetërore, si rasti i gjyshit tim. Sadovicarët kishin dyqanet e tyre ne Berat, Fier, Vlore, Durrës, madje deri ne Bari.

-Mesa kam dijeni banorët, janë autoktonë, përveç Veliajve që nuk ishin vendalinj. Të parët e tyre mbetën jetimë, e ëma ishte bijë nga fisi Abazaj, martuar në Shalës të Tepelenës, vëllezërit e morën me gjithë kërthinj dhe i rritën, i martuan, i bënë me shtepi dhe katandi. Kjo duhet të ketë ndodhur pas viti 1850, sepse i ati i Shako Veliut ka ardhur i mitur dhe ka vdekur rreth të tetëdhjetave, aty nga vitet ’30-të.

-Shako (Jashar) Veliu (Abazi), vërtetë ka qenë një burrë me virtyte të rralla, trim, i besës, i xhevapit, i dollisë dhe i këngës. Trupmadh dha shtatlart sa, kur i hipte kalit, e paloste në mes, por mbi të gjitha nuk e hoqi anjëherë qylafin e labit deri sa vdiq, duke ruajtur me dinjitet zakonet, origjinën e të parëve të tij.

Ismail Abazi:
-Sadovica ka qenë një qytezë e vogël e Beratit, qytezë e Shpiragut… 500 familje… Toka, kullota, vreshta, pemë pa fund, kalldrëme, shtëpi dykatëshe, tregti… Fshat i lashtë… me 20 varreza…
-Jam i biri i Shako Veliut, -Babai rrinte me qylaf labi, bëri 6 djem e tri vajza. Jam i pesti në radhë, por 77 vjeç sot.
-Babai, Shako Veliu, Shako/Jashar, (1895-1967), kur nisa punë si ekonomist, më tha:
“Ti, po humbe një qindarkë të shtetit, si po more një qindarkë të shtetit, gjeje vetë se ku do ta kesh shtëpinë. E dyta, po kaloi njeri natën tek rruga, pranë shtëpisë tonë, po të lehë qeni, merr fenerin, dil, merre botin dhe bjere në shtëpi. Ndryshe na bie, na zë shtëpia. E treta, miqtë me armë, në gosti, në sebepe, i lënë armët në dorën tonë që i ruajmë në një vend që ata nuk e dinë. Kur i prcjellim, ua japim. Por nga fisi ynë, i famshëm mbetet xhaxhai i babait, Veli Veliu, që rroi gjatë, 129 vjeç (1844- 1973), 7 vjet nizam në Jemen, atje ku piqej buka në diell e vdiste asqeri në vapë… Nga 250 nizamë që vanë, u kthyen gjallë vetëm 20 vetë…
-Në Sadovicë kanë qenë 4 fise myslimanësh: Abazi, Hoxha, Muça dhe Tahiri… Fshat me çesma: Çesma e Pulos, çesma e Kokës, çesma e Çërrës, çesma e Fon Pyzes, etj.
-Veli Veliu i Jemenit bëri pak dava me një Skënder Metohu për një blerje në Palikësht. Skënder Metohu ishte në gjendje, kishte kope pa fund me dhi, cjep me zile të mëdha, por Veli Veliu qe më i zoti në Pazar: “Skënder Metohu, të rrofshin patkonjtë e cjepve, mua të më rrojnë florinjtë, se Palikështi nuk merret pa flori…”
* * *

Më të arsimuarit e krahinës, të denjë për rrugën perandorake që kalonte mespërmes, midis malit dhe fushës, sadovicarët mbartnin idealizmin e malit, por edhe një ndjenjë nënshtrimi ndaj punës dhe fitimit dhe Vlora, Vlora, deti, u jepte edhe ndjenjë, edhe ndjesi lirie, kurse peizazhi kodrinor, përherë me gjelbërim, u jepte dhe maturi, dhe qetësi, dhe meditim dhe ekuilibrim

Fotografia e Simon Vrusho

Fotografia e Simon Vrusho

Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho