VOA- Zeri Amerikes. Vendimi për Ramush Haradinajn pritet më 27 prill

Një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, vendosi të shtyjë për datën 27 prill vendimin për ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai u paraqit sot sërish para gjykatës, ku është shqyrtuar kërkesa e autoriteteve serbe për ekstradimin e tij. Beogradi e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Gjatë seancës së sotme prokuroria dhe mbrojtja e zotit Haradinaj paraqitën fjalën e tyre lidhur dokumentet e dërguara nga Beogradi.

Zoti Haradinaj vazhdon ta konsiderojë vetën “peng politik” dhe procesin një “abuzim me ligjin dhe drejtësinë”.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kërkesa që kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb nxiti shumë reagime në Kosovë ku parlamenti miratoi edhe një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij.

ZERIAMERIKES.COM