VESEL bej UJANIKU…Nga Simon Vrusho

VESEL bej UJANIKU…

I.
Vesel bej Ujaniku (1900 – 1990) me 1000 kokë dhenë e 500 kokë dhi, me blegtori e me bujqësi, që mbillte misër e grurë, elb e tërshërë, okërr e koçkull e thekër që kishte dhe yshyre, arra, rrush, mollë e dardhë, ftonj e shegë, që kishte kuaj e pela hergjele, lopë e qe, sigurisht që kishte për vete dhe një kalë, kalë me shalë, ballin e kujave, kalë dori, kalin e bardhë me të cilin nisej nga Ujaniku, dilte në Qafë të Shtyllës, në Karakoll, tek Gjurma, zbriste në Rrasë e pastaj në Bargullas… E gjitha kjo valëvitej si një shall i hollë i bardhë rreth Tomorit, si e shtruar me kalldrëm a zhavor dëbore të butë…
Nga Qafa e Qershisë tek Abas Aliu,
-Ujanik! Ujanik ! – këndon veriu
Ku dhe dredh mustaqen Musabelliu…

Vesel bej Ujaniku zbret në Berat pas 9 orësh rrugë dhe qëndron tek Hani i Qafallinjve…
Aty, në një klub gjen Avdyl bej Kapinovën me të tijtë…
-Mirë se u pamë, Vesel bej!
-Mirë se të gjeta, Avdyl bej!
-Ku do ulemi, Vesel bej?
-Ku të dojë e bardha zemër, Avdyl bej!
… Ulen. Fjalosen me njëri-tjetrin…
Shtrohen me raki rrushi e meze dashi… E po, deshët, dash duan…
Fjalosja zgjat… Ja, fap, vjen me vrap Jemin Ferra nga Gradeci.
-O Vesel!
Veseli as kthen kokën, as përgjigjet.
-O Vesel! -prapë.
Prapë nuk ka përgjigje…
Kurse herën e tretë:
-Vesel bej! Ka shpëtuar kali, ka shpëtuar doriu!
-Të çaftë ujku ty dhe kalin! Jam këtu me miqtë e mi e mos ma prish këtë terezi. Lidhe kalin, rregulloje dorinë se ke punë me mua…
-Kaq desha, – ia kthen Jemin Ferra dhe zhduket nga dera…
………………………………………………………………………………………………………
Fjalosen… ngrenë dolli… këndojnë…
O ju, male me dëborë,
Ndrit një flakë në Tomor!
Dervish Iljazi – sëmurë,
I djeg balli si një furrë!
Po me vrap e ngre Teqenë,
E tund qiellin, e tund dhenë!
Kjo teqe në majë malit
Ndrin si Ylli i Karvanit!
Falemi Baba Plakut,
Dhe Teqesë së Kulmakut!…

II.
Në kohën e luftës italo-greke, bashkë me disa skraparlinj të tjerë, grekët kapin edhe babanë, Vesel bej Ujanikun, nja 100 shqiptarë, dhe i marrin me vete… kur në Kapshticë babai takon Myslim Gradecin.
-Myse, – i thotë, -më duhen ca lekë se po më degdisin në Greqi. Sa do më japësh, shko dhe merri tek vëllai, Saliu, në Ujanik.
Kthehet pas një viti babai, Vesel bej Ujaniku. I mbajtën një vit në Athinë.
Kur kthehehet në Ujanik, u hap haberi. Festë e madhe, gosti e madhe, darkë e madhe. Vjen dhe Myslim Gradeci… Në fund të zijafetit, babai, Vesel bej Ujaniku, i thotë Myses:
-T’i dha paratë Saliu? Sali, ia dhe paratë?
-Nuk di gjë, – ia kthen Saliu, i vëllai.
-Erdha për të të parë, – i thotë Mysja, – nuk erdha për para. Për të të parë, jo për para…
Dhe ia refuzon paratë… Pinë nga një pikë gjak të njeri-tjetrit dhe u bënë vëllamë, byrazer, u bënë vëllezër…

III.
Tregon i biri, Fitim Musabelliu:
-Për vizitë në shtëpi Dr. Ymer Dishnica… Babai, Vesel bej Ujnaniku, unë dhe shoferi i taksisë, Xhafer Shemja, që e kisha shok… U shtrua tryeza…
-Të të them shok, – thotë Dr. Dishnica, – shok s’jemi, se ti je me thinja të bardha, po dhe nja 10 vjet më i madh se mua… Me thinja jam dhe unë, por të miat nuk janë zbardhur të gjitha… Por po të them Vesel bej Ujaniku…
Babai brof në këmbë…
-Do të ngre një dolli për tufën, -vijoi doktori, Dr. Dishnica, – për tufën e fëmijve, nipër e mbesa… dhe një dolli për trapezën…
Babai u ngrit në këmbë… Ishte para ’90-ës…

Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho