Veç një atdhe kam -Poemë- Nga Namik Selmani

Veç një atdhe kam
-Poemë-
Nga Namik Selmani
Mund të shoh ca male të tjerë me blerim mbushur
Mund të shkoj në Everest si fitimtar me flamur.
Veç një atdhe dua që më dha emrin e bukur
Që më dha lumturinë e një urimi për udhë.

Mund të më dërgojnë në dete me korale e mistere
Mund të prek gojëhapur parqe, piramida e ylbere pa fund
Veç asgjë nuk e ndërroj me dorën e nënës pas reve
Askush s’ma jep këngën çame që më mbetet në buzë.

Mund të më vijnë ballaz ushtri, gjeneralë, raketa
Të më djegin djepe, ullinj e furkën e një gjysheje.
O, vetëm këtu jam gur i pashkelur në breza
Me fjalën e Shirokës ribëhem dallandyshe.

Mund të më vënë traktate të rinj në tryezë
Të më tregojnë mes llampadarësh vula, dekrete.
E njoh atdheun tim nga fusha në bjeshkë
Ia njoh dhe symbyllur krojet, brigjet në dete .

Mund të më vënë në duar margaritarë
Të radhitur në shporta, vetrina, peshore
Po pluhurin e atdheut si parfum të rrallë e kam
Dhe në livadhin e malit mund të fle pa droje.

Mund të më mbysin me fjalë në tribunën e kuqëluar.
Ku tollumbacet janë më shumë se njerëzit në shesh
Veç atë, tingullin e fyellit dhe shqipen e bekuar
Askush nuk ma shuan e asnjë nuk ma merr

Mund të më vënë para syve pije, makina e çeqe
Të më rreshtojnë mes buzëqeshjeve të ftohta, dekorata
Po atdheu e kam në pëllëmbë, në çdo pikël djerse
Nuk ma heqin, edhe pse pa bukë mund të jetë vatra.

Mund të më vinë në këmbë pajtonë me kuaj të bardhë
Ca njerës me kapele me strehë të mëdha në kokë
Të ë zgjojnë nga ghjhui më një balalajktë
Të më afrojnë një uiski, raki orizi a një vodkë.
Do u nxjerr rakinë e pjergullës që e ka puthur dielli,
Do u vë byrekët çamë që duart një nga një të lëpijnë
Nëse vrasin gjumin para një valleje që shkon te qielli
Nuk është faji im që tërë natën aty do ta gdhijnë.

Në vallet kazake mes stepash prek ritëm lufte
Në vallet e haremit më vjen në mendje ngjala
O, më sillni një tepsi të rri me Osman Takën në supe
Të më marrë në gjoks si stërrali në male.

Mund të më ftojnë mes daulleve në kuti votimi
Me ca betime moderne të më japin tetë qiej të blertë
Oh, falmë, atdhe për këtë soj të hidhur filizi
Ku lulja e livadhit ndërrohet me një ferrë.

O, kurrë nuk vrapova në botë me trasta me plumba
Të vras diku një fëmijë a të ngul një kokë në gardh
Në zemrat e njerëzve dua të ngrej kafazë me pëllumba
E ugarin e dua të lirë të mbjell një farë të re në ugar.

Më dhemb trualli i kafshuar si thela e tortës
Kurrë nuk qava nga dhimbja e një plage armiku
O, mblidhni etnografët e filozofët e gjuhëve të botës!
Të shohin se si pritet në vatrën shqiptare miku.

Me fjalën naimjane puth Tomorin, Shkëlzenin e Sharrin
Me sytë e Tahsinit dhe të Gjeçovit shoh qiej e libra
E prapë shkoj i menduar të ajo pllakë shqipe e varrit
Të dëgjoj amanete që më rizgjon koha e liria.

Plisin e bacës do të bëj vëlla me festen e babait
Në dasmat e nuseve do të vë një flamur të kuq
Veç një atdhe kam e jo një mall të kalbur kandari
Se nuk dua të jetë si druri që digjet në prush.

I njoh bajlozët modernë me kuajt gërdallë
I di se ku hedhin shikimet si të ishin lak litari
Prapë ajo fjalëshqipe më jep forcë në damarë
Pa dashur ta ndërroj si një rrobë te Tregu i Gabit.

Me fjalën e Isës në Trepçe rizgjoj gazin e urimit
Për djemtë e palindur, për librin e pahapur
E kam një atdhe që më mund acarin e dimrit
Që ma bën jetën e fëmijës si qiell të përflakur.

Me gurët e Çajupit bëj netëve lirika tek tastiera
Për kurbetçinjtë lotin në qerpikë e fsheh
Më fal, atdhe që s’mblodhëm as rrobat në tela
Biletën një drejtimshme një ditë e blemë.

Fustanellën çame të ma marrë flladi i prillit
Te vazoja e vjetër do të vë farën e re të një zambaku
E kam një atdhe do i them nipit të nipit
Ta përcjellë si një gurrë që buron tek pragu.

Të lamë, atdhe tek zuzarët me kollare të kuqe
Ah, sikur të rizgjohej Noli sërish andej nga oqeani!
Oo, e di, tufanet e halleve na kërrusën supe
Po mbetëm këtu, qoftë dhe gurë të vetmuar varri.

E kam një Çamëri më shumë se një fole zogu
E kam një truall që rënkon dhimbshëm në shi
Oo, kush i hedh pak ujë një një farë borziloku
Kush vjel bahçen e gjyshit me shegë e ullinj.

E kam një atdhe më tepër se paçavuret relike
Me zërin e bririt do të zgjoj për të të gjallë e të vdekur
Se balta e tij është më e ëmbël se mjalti në brigje
Se toka e tij ma bën vargun dhe më të etur.

Maj, 2017